
Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasen turke Julide Yazici. 32-vjeçarja u arrestua në Shqipëri për qëllime ekstradimi, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet turke.
Gjatë seancës gjyqësore, avokati kërkoi masën e arrestit në shtëpi, derisa të përfundonte procesi që lidhej me ekstradimin. Por Prokuroria e Apelit këmbënguli që ajo të qëndrojë në paraburgim, për shkak se mund të largohet drejt Francës, ku ka edhe statusin e azilantes politike.
Yazici akuzohet nga autoritetet e drejtësisë turke për dhënie ndihme logjistike për një organizatë terroriste dhe pjesëmarrje në një organizatë terroriste. Mësuesja ishte shpallur në kërkim për përfshirje në protesta në mbështetje të të drejtave të kurdëve, të zhvilluara në Turqi në vitin 2016.
Yazici rezulton e dënuar në mungesë me 4 vite burgim.























