
Reiz Petritaj, i moshuari nga fshati Strelcë që u përfshi në përplasjen gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Maliqit, ka treguar arsyet që e shtynë të reagonte ashpër, duke përdorur edhe bastunin për të penguar largimin nga salla të kryetarit të këshillit.
Në një prononcim për mediat, Petritaj tha se reagimi i tij erdhi si pasojë e revoltës ndaj qëndrimit të këshilltarëve bashkiakë. Sipas tij, në takimet e mëparshme ata ishin shprehur kundër shkrirjes së Bashkisë së Maliqit, ndërsa gjatë mbledhjes së sotme u larguan nga salla.
“Unë u bëra i revoltuar për arsyen sepse unë jam nga fshati Strelcë. Më kanë ikur të shumtët e njerëzve jashtë shtetit. Kur i kanë mundësitë të jetojnë këtu dhe kanë dëshirë të jetojnë. Problemi tash këtu është se korrupsioni është i pallogaritshëm”, u shpreh Petritaj.
Ai tregoi se kishte marrë pjesë më herët në një takim në Lozhan, ku, sipas tij, banorët dhe pjesëmarrësit kishin mbajtur qëndrim kundër shkrirjes së Bashkisë së Maliqit.
“Erdhën në Lozhan, ranë dakord të tërë që të mos prishet Bashkia e Maliqit. Ashtu edhe në Libonik, kudo kështu. Tani këto lojëra se si janë, nuk e di”, deklaroi ai.
Petritaj tha se pas takimeve kishte vendosur të merrte pjesë edhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak për të parë se cili do të ishte qëndrimi përfundimtar i këshilltarëve.
“Kishim folur kudo që të mos prishet Bashkia e Maliqit. Këshilltarët që kishin folur andej që mos shkrihet bashkia, këtu ikën”, tha ai.
Duke iu referuar momentit të tensioneve në sallë, i moshuari pranoi se reagimi i tij kishte kaluar kufijtë.
“Edhe drejt me thënë, më kaloi në ekstrem për moshën që kam. I shtyva kështu”, u shpreh Petritaj.
Në fund, ai deklaroi se do të vijojë kundërshtimin ndaj shkrirjes së Bashkisë së Maliqit, ndërsa ngriti akuza për korrupsion ndaj drejtuesve të institucioneve, pretendime të cilat mbeten deklarata të tij.
“Maliqi nuk duhet të prishet. U bëj thirrje edhe protestuesve që kanë dalë atje. Jam gati të vete, po s’vete dot”, përfundoi Petritaj.






















