Spanja vazhdon të shkruajë histori. “La Roja” mposhti Anglinë 3-2 në “Wembley”, në një ndeshje spektakolare të Ligës së Kombeve, duke e çuar në 39 numrin e ndeshjeve radhazi pa humbje.
Skuadra e Luis de la Fuentes kaloi në avantazh me Lamine Yamal, por Anglia reagoi dhe përmbysi rezultatin përpara pushimit. Megjithatë, Spanja nuk u dorëzua dhe me golat e Alex Baenas dhe Mikel Oyarzabalit në pjesën e dytë përmbysi sërish rezultatin, duke marrë tri pikët në “Wembley”.
Pas ndeshjes, De la Fuente vlerësoi reagimin e skuadrës dhe pranoi se Anglia pati një periudhë ku arriti të krijonte probleme.
“Patëm 6-7 minuta ku një superfuqi na bëri dëme. Në përgjithësi, besoj se ndeshja ishte nën kontroll. Në disa raste na kushtoi fakti që vrapuam pas shpinës së kundërshtarit”, u shpreh trajneri spanjoll.
De la Fuente vlerësoi veçanërisht mentalitetin e futbollistëve të tij, duke theksuar ambicien dhe dëshirën e grupit për t’u përmirësuar vazhdimisht.
“E gjithë kjo uri është meritë e futbollistëve. Janë ambiciozë dhe kanë dëshirë të përmirësohen. Kjo është meritë e këtij grupi, i cili ka treguar vlera përtej aspektit futbollistik. Janë vlera jetësore që i bashkohen talentit të madh futbollistik”, deklaroi ai.
Me suksesin ndaj Anglisë, Spanja regjistroi ndeshjen e 39-të radhazi pa humbje, duke vazhduar një seri që tashmë është rekord për kombëtaren spanjolle. De la Fuente e sheh këtë shifër si dëshmi të rrugëtimit të këtij brezi.
“Shifrat janë aty. Është shumë e vështirë të bësh atë që po bën kjo skuadër. Ndeshja e radhës do të jetë sikur të jetë e fundit. Ky është sekreti”, u shpreh trajneri.
Duke analizuar përmbysjen, De la Fuente theksoi se Spanja pati disa raste të pastra që mund ta kishin ndryshuar shumë më herët rrjedhën e takimit.
“Përmbysja nisi kur patëm tri raste të pastra dhe nuk i shënuam. E shihja skuadrën të aftë për të reaguar në çdo rrethanë. Jam i sigurt se edhe me rezultatin 3-1 do të kishim reaguar njësoj”, tha ai.
Trajneri spanjoll pati fjalë të mira edhe për Ferran Torres, duke vlerësuar kontributin e tij në lojën e skuadrës, edhe pse sulmuesi nuk ishte në listën e golashënuesve.
“Ferran është një goleador shumë i mirë. Jam i kënaqur me punën e tij dhe prej saj përfitoi më pas edhe Mikel Oyarzabal. Kjo është punë skuadre dhe kjo është forca që kemi”, deklaroi De la Fuente.
Në fund, ai u pyet edhe për mënyrën se si Spanja po e përdor Lamine Yamal, i cili shënoi golin e parë të ndeshjes në “Wembley”.
“Nuk e di se çfarë i kërkon Barcelona. Ne i kërkojmë të bëjë atë që i përshtatet më mirë stilit tonë të lojës. Është një mrekulli që është me ne”, përfundoi trajneri i Spanjës.






















