Më 18 korrik 1976, në Lojërat Olimpike të Montrealit, gjimnastja rumune Nadia Comăneci hyri përgjithmonë në histori duke marrë notën e parë perfekte 10.00 në gjimnastikën artistike.
Rezultati ishte aq i papritur, sa sistemi elektronik i pikëve nuk ishte programuar të shfaqte notën 10. Në tabelë u shfaq vetëm 1.00, duke krijuar konfuzion për publikun, derisa u kuptua se bëhej fjalë për performancën e parë perfekte në historinë olimpike të këtij sporti.
Pesëdhjetë vjet më vonë, Comăneci, sot 64 vjeçe, thotë se ende ndihet “vajza e asaj dite perfekte”. Ajo ndodhet në Bukuresht, ku po inauguron Arena Comăneci, një kompleks i ri sportiv për gjimnastikën, i ndërtuar nga Fondacioni Țiriac me një investim prej 6 milionë dollarësh.
“Askush nuk më priste. Vija nga një fshat i vogël i Rumanisë komuniste, babai im ishte mekanik dhe nëna shtëpiake. Askush nuk mendonte se do të ndryshoja historinë e këtij sporti”, kujton ajo.
Legjenda rumune tregon se sot fëmijët i flasin për stresin dhe presionin që ndiejnë që në moshën 11-vjeçare. Këshilla e saj është që të mos i mbajnë shqetësimet për vete, por të flasin gjithmonë me prindërit dhe të mos kenë frikë të shprehin ankthin apo zhgënjimet.
Duke komentuar sportin e sotëm, Comăneci thekson se në Olimpiadë nuk ka asgjë të sigurt. Si shembull ajo përmend humbjen e Francës ndaj Spanjës në Botërorin e futbollit dhe rrugëtimin e Argjentinës drejt finales, duke nënvizuar se çdo garë duhet fituar në fushë.
Sa i përket vendimit për ta rritur në 16 vjeç moshën minimale për garat ndërkombëtare të gjimnastikës, ajo shprehet se nuk është plotësisht dakord. Comăneci kujton se në Montreal nuk kishte mbushur ende 15 vjeç dhe se askush nuk priste ndonjë rezultat të jashtëzakonshëm prej saj.
Sot ajo jeton në Oklahoma të Shteteve të Bashkuara me bashkëshortin e saj, ish-kampionin olimpik Bart Conner, ku së bashku drejtojnë një akademi gjimnastike. Sipas saj, brezat e rinj nuk janë më pak të talentuar, por kërkojnë më shumë komunikim dhe shpjegime nga trajnerët.
Për Comănecin, sekreti i perfeksionit nuk është mungesa e gabimeve, por aftësia për të mësuar prej tyre.
“Perfeksioni ndërtohet mbi dështimet. Janë detajet ato që të bëjnë të marrësh notën 10,” thotë ajo.
Në fund të intervistës, Comăneci zbulon se djali i saj, Dylan, nuk zgjodhi rrugën e sportit, por u bë mekanik, duke ndjekur profesionin e gjyshit të tij. Vetë ajo vazhdon të ushtrohet çdo ditë dhe u këshillon grave të ecin, të vrapojnë dhe të kujdesen për ushqimin.
“Mbajeni fort jetën. Është ajo që më ka ndihmuar të fluturoj për 50 vjet,” përfundon Nadia Comăneci.






















