Kronika 25 August 2026, 11:00 Nga VNA

Strasburgu dënon Shqipërinë për rastin “Papandile”, GJEDNJ: Ndalimi 15-vjeçar në drejtësi ishte joproporcional

Ndaje në Whatsapp
Strasburgu dënon Shqipërinë për rastin

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka dënuar Shqipërinë për shkelje të së drejtës për respektimin e jetës private në çështjen “Papandile kundër Shqipërisë”, duke e konsideruar joproporcional ndalimin 15-vjeçar që iu vendos Eugen Papandiles për të kandiduar në disa prej posteve më të larta të sistemit të drejtësisë.

Në vendimin përfundimtar të publikuar më 25 gusht 2026, Gjykata e Strasburgut konstatoi shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendosi që shteti shqiptar t’i paguajë Papandiles 3 mijë euro dëmshpërblim për dëmin jopasuror.

Si nisi çështja

Eugen Papandile kishte shërbyer si këshilltar ligjor pranë Gjykatës Kushtetuese dhe, për këtë shkak, ishte subjekt i procesit të rivlerësimit kalimtar, ose vettingut. Në janar 2017 ai dorëzoi deklaratën për vetting.

Në tetor të po atij viti, Papandile kandidoi për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese dhe, pasi u emërua, e mori detyrën në janar 2018.

Në vitin 2020 ai kandidoi edhe për t’u bërë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi konstatoi se plotësonte kriteret e përvojës profesionale dhe kishte një vlerësim pozitiv për pasurinë, por kandidatura e tij nuk kaloi për shkak të vlerësimit të figurës.

Vettingu u ndërpre, iu vendos ndalim për 15 vjet

Në vitin 2021, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nisi procedurat e vettingut ndaj Papandiles.

Më 23 nëntor 2022, KPK vendosi ndërprerjen e procesit dhe aplikoi ndaj tij pasojën e parashikuar nga Kushtetuta: ndalimin për 15 vjet të emërimit në një sërë funksionesh të larta të drejtësisë, mes tyre gjyqtar, prokuror, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë dhe Prokuror i Përgjithshëm.

Vendimi u ankimua në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Papandile argumentoi se nuk kishte dhënë dorëheqjen për t’iu shmangur vettingut dhe se kalimi nga këshilltar ligjor në Sekretar të Përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese kishte qenë një ngritje normale në karrierë brenda së njëjtës gjykatë.

Megjithatë, më 19 prill 2023, KPA la në fuqi vendimin. Sipas Kolegjit, pranimi i postit të ri tregonte vullnetin e Papandiles për t’u larguar nga funksioni i këshilltarit ligjor, i cili ishte subjekt i vettingut, edhe pse ai nuk kishte paraqitur një dorëheqje formale.

Një prej gjyqtarëve të KPA-së doli kundër shumicës, duke argumentuar se kalimi në postin e Sekretarit të Përgjithshëm nuk mund të barazohej automatikisht me një dorëheqje që sillte ndalimin 15-vjeçar. Sipas mendimit të pakicës, Papandile kishte shprehur gatishmërinë për t’iu nënshtruar vettingut dhe procesi duhej të vazhdonte.

Strasburgu: U penalizua për ngritjen në karrierë

Çështja përfundoi në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ku Papandile kundërshtoi pasojat e vendimit të institucioneve shqiptare.

GJEDNJ vlerësoi se rasti i tij ndryshonte nga rastet e personave që ishin larguar nga sistemi i drejtësisë përpara përfundimit të vettingut. Papandile, përkundrazi, kishte vazhduar të punonte brenda të njëjtit sistem dhe në një pozicion të lartë administrativ.

Sipas Strasburgut, në praktikë ai ishte penalizuar për faktin se kishte ndjekur një mundësi për ngritje në karrierë brenda së njëjtës gjykatë, në një periudhë kur proceset e vettingut mund të zgjasnin disa vite.

Gjykata pranoi se rregulli i ndalimit 15-vjeçar ka një qëllim legjitim: të pengojë personat që të largohen nga një funksion për t’iu shmangur vettingut dhe më pas të rikthehen në sistem.

Por, sipas GJEDNJ-së, zbatimi automatik dhe i ngurtë i këtij rregulli në rastin e Papandiles nuk ishte proporcional.

Gjykata theksoi se 15 vjet përbëjnë një kufizim të konsiderueshëm për të ardhmen profesionale të tij dhe prekin një pjesë të rëndësishme të viteve të mbetura të karrierës. Për më tepër, ndalimi përfshin disa nga funksionet më të larta të drejtësisë shqiptare, ndërkohë që Papandile vazhdon të shërbejë brenda sistemit.

Për këtë arsye, Strasburgu arriti në përfundimin se ishte cenuar e drejta e tij për respektimin e jetës private dhe profesionale, e garantuar nga neni 8 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

GJEDNJ hap rrugën për rihapjen e çështjes

Përveç konstatimit të shkeljes, Gjykata dha edhe një orientim të rëndësishëm për mënyrën se si mund të korrigjohet situata.

GJEDNJ vuri në dukje se mandatet e dy institucioneve të vettingut tashmë kanë përfunduar, por Kushtetuta shqiptare parashikon mënyrën e trajtimit të procedurave të pazgjidhura pas përfundimit të mandateve të tyre.

Sipas Gjykatës, nëse Eugen Papandile e kërkon, do të ishte e përshtatshme që procedura të rihapej dhe çështja e tij të rishqyrtohej në përputhje me kërkesat e nenit 8 dhe me konstatimet e këtij vendimi.

Në përfundim, GJEDNJ vendosi unanimisht se Shqipëria ka shkelur nenin 8 të Konventës dhe urdhëroi shtetin shqiptar t’i paguajë Eugen Papandiles 3 mijë euro dëmshpërblim, brenda tre muajve nga vendimi.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme