Kronika 28 August 2026, 16:53 Nga VNA

SPAK rëndon akuzat ndaj Ergys Agasit, “eminenca gri” e Ramës lihet në burg

Ndaje në Whatsapp

fvdvfvfd.PNG

SPAK ashpërson akuzat ndaj Ergys Agasit. Njeriu që konsiderohet eminenca gri e kryeministrit Edi Rama u la në masën e sigurisë “arrest me burg” nga Gjykata e Posaçme, pas një seance maratonë, gjatë së cilës mësoi se ndaj tij është shtuar edhe një akuzë e re, ajo e korrupsionit pasiv.

Gjatë seancës me dyer të mbyllura pati debate të forta mes palëve. Prokurori Bledar Maksuti kërkoi që masa e arrestit, marrë në mungesë, të lihej në fuqi pasi përveç të tjerash, ekziston rreziku që Ergys Agasi të arratiset duke iu shmangur drejtësisë dhe në këtë mënyrë të mund të ndikojë mbi dëshmitarët apo prishjen e provave.

Seanca u ndërpre dy herë; herën e parë që avokati të njihej me aktet e dosjes, ndërsa të dytën që gjykata të vlerësonte kërkesat e avokatit për provat. Në përfundim, GJKKO e la në fuqi masën e arrestit në burg për njeriun që qëndroi tetë muaj në arrati, për të përfunduar në pranga vetëm dy ditë më parë te Plepat në Durrës.

Në dalje të gjykatës, avokati Maksim Haxhiaj konfirmoi se prokuroria i ka shtuar Agasit akuzën e korrupsionit, ndërsa pretendoi se asnjë prej akuzave të tjera nuk qëndron.

“Po kërkojmë që prokuroria të na paraqesë se ku qëndron prova për korrupsion. Këto janë masa që merr prokurori për të siguruar procesin e vetë, për të mos dështuar”, tha avokati duke u përpjekur të relativizojë akuzën e re të SPAK në adresë të Agasit.

I pyetur për videot e regjistruara nga vetë Agasi në zyrën e tij, avokati tha se “nuk përbën vepër penale kur një person i respektuar takon një person tjetër”.

Ndërsa i pyetur lidhur me marrëdhënien mes Agasit dhe Mirlinda Karçanajt, ish-drejtoreshë e AKSHI, Haxhiaj u përgjigj: “Duhet të pyesni atë!”.

Ndërsa pyetjes se ku ka qëndruar Agasi gjatë këtyre muajve, avokati iu përgjigj: “Nuk është për mua as kjo pyetje!”.

Agasi u arrestua pas tetë muajsh në arrati në shoqërinë e ish-zyrtarit të Policisë së Shtetit, Ulian Shpataraku. Ai akuzohet nga SPAK si kreu i një grupi kriminal që vepronte brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

SPAK thotë se Agasi dhe Ermal Beqiri urdhëronin rrëmbimin e biznesmenëve me qëllim që, nën kërcënim e dhunë, t’i detyronin të tërhiqeshin nga tenderat e AKSHI-t.

Në të njëjtën dosje hetohen edhe ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, Ermal Beqiri, i konsideruar nga SPAK si bashkëpunëtor i Agasit, si dhe persona të tjerë të dyshuar për rolin e tyre në skemën që, sipas prokurorisë, vepronte përmes presionit ndaj biznesmenëve dhe ndërhyrjes në tenderat publikë.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme