Kronika 28 August 2026, 13:25 Nga VNA

Kush i nxori fotot e Agasit dhe Shpatarakut? Pezullohen dy policë, por gjurmët e publikimit çojnë më lart në zinxhirin drejtues

Ndaje në Whatsapp

fdvfvdfvd.PNG

Dy efektivë të “Shqiponjave” janë pezulluar nga detyra pas publikimit të fotove të Ergys Agasit dhe Uljan Shpatarakut menjëherë pas arrestimit të tyre. Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një hetim administrativ dhe verifikimet pritet të përfshijnë edhe punonjës të tjerë të Policisë. 

Por pyetja nuk është vetëm se kush e bëri fotografinë. Pyetja më e rëndësishme është se kush e nxori atë jashtë Policisë dhe kush vendosi që pamjet e një personi të arrestuar, nga makina e policisë deri brenda ambienteve të Drejtorisë së Tiranës, të përfundonin në telefonat e gazetarëve.

Sepse këtu nuk bëhet fjalë për një fotografi të vetme të shkrepur në rrugë. Pas arrestimit të Agasit në zonën e Plepave në Durrës, u publikua fotografia e tij me pranga brenda makinës së Policisë. Më pas doli një tjetër pamje nga ambientet e Policisë së Tiranës. Nga të njëjtat ambiente u publikua edhe fotografia e Uljan Shpatarakut. 

Kjo e zhvendos përgjegjësinë përtej dy efektivëve që sot janë pezulluar. Kur fotografitë dalin nga një operacion policor, nga automjeti i Policisë dhe më pas nga brenda Drejtorisë së Policisë së Tiranës, çështja nuk mund të mbyllet vetëm duke gjetur dy policët që mbajtën telefonin në dorë.

Përgjegjësia administrative dhe institucionale duhet të kërkohet përgjatë gjithë zinxhirit drejtues, deri te drejtuesit që kishin përgjegjësinë për operacionin, shoqërimin dhe qëndrimin e të arrestuarve në ambientet policore.

VNA ka informacione se fotografitë e Agasit dhe Shpatarakut nuk kanë qarkulluar vetëm horizontalisht mes efektivëve të terrenit, por janë shpërndarë edhe në grupe WhatsApp ku komunikojnë drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Sipas këtyre informacioneve, në shpërndarjen e pamjeve janë përfshirë edhe nivele drejtuese.

Ky informacion kërkon ende verifikim zyrtar dhe është pikërisht ajo që duhet të sqarojë hetimi i Standardeve Profesionale: kush i fotografoi të arrestuarit, nga cili telefon dolën pamjet, kujt iu dërguan fillimisht dhe si përfunduan më pas në media.

Në këtë pikë, përgjegjësia politike dhe institucionale nuk mund të ndalet te dy efektivët e “Shqiponjave”. Në krye të Policisë së Shtetit është Skënder Hita, ndërsa në strukturat drejtuese të Policisë së Tiranës është Oliger Torba. Hetimi duhet të përcaktojë nëse zinxhiri i shpërndarjes ka mbërritur ose ka nisur nga nivelet drejtuese dhe çfarë dijenie kishin drejtuesit për fotografimin dhe publikimin e personave që ndodheshin nën kontrollin e Policisë.

Rasti bëhet edhe më i rëndë nga një paradoks që vështirë të anashkalohet. Ergys Agasi kishte tetë muaj në kërkim për dosjen e tenderëve të AKSHI-t. Ai u lokalizua në Elbasan dhe u arrestua pas ndjekjes drejt Durrësit, ndërsa Policia e kishte kërkuar prej muajsh. 

Pas tetë muajsh gjatë të cilëve Agasi arriti t’i shmangej arrestimit, Policia duket se nuk arriti të përmbante entuziazmin kur më në fund i vuri prangat. Vetëm se entuziazmi nuk shpjegon dot pse duhej fotografuar një i arrestuar brenda makinës, pse duhej fotografuar përsëri në ambientet policore dhe pse këto pamje duhej të shpërndaheshin jashtë institucionit.

Aq më pak mund të konsiderohet kjo thjesht si një përpjekje për të shuar kureshtjen e gazetarëve. Mënyra dhe shpejtësia me të cilën pamjet u shpërndanë ngrenë dyshimin se fotografitë mund të jenë përdorur edhe si pjesë e luftës së brendshme mes grupeve rivale të pushtetit, në një moment kur përplasjet dhe konkurrenca brenda mazhorancës për afërsinë me kryeministrin nuk janë më një sekret politik.

Kjo mbetet një pistë që duhet provuar, jo një fakt i konfirmuar. Por pikërisht për këtë hetimi nuk mund të përfundojë te dy uniformat më të ulëta në zinxhir.

Nëse fotografitë kanë zbritur nga telefonat e drejtuesve drejt mediave, atëherë pezullimi i dy efektivëve nuk është zbardhje e ngjarjes. Është vetëm fillimi i saj.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme