Politika 18 November 2024, 15:58 Nga VNA

Rama premton bonuse për pensionistët, opozita e quan tallje

Ndaje në Whatsapp
Rama premton bonuse për pensionistët, opozita e quan tallje

Rama premtoi bonus të fundvitit për rreth 700 mijë pensionistë në shumat 100 deri 150 euro dhe cilësoi këtë si një ‘lajm të mirë’ duke i shtuar premtimeve edhe një bonus në pranverë të vitit që vjen. “Paralelisht me shpërndarjen e bonusit të tre dhe dyfishuar të fundvitit, në ditët e para dhjetorit, ne po ashtu do të krijojmë pranë Bankës së Shqipërisë fondin e një bonusi të dytë. Ky bonus i dytë do të jetë bonusi i pranverës, i cili do të ndikojë më tej në rritjen e të ardhurave vjetore të pensionistëve…”- premtoi kryeministri nga foltorja e Kuvendit. Ai ia dedikoi pothuaj gjithë fjalimin për buxhetin pensionistëve dhe krahasimeve mes qeverisjes së tij 12 vjeçare me qeverinë paraardhëse. Ai akuzoi kundërshtarët e tij politikë si spekulantë në përdorimin e kësaj teme për qëllime elektorale në prag të zgjedhjeve të reja që mbahen vitin tjetër. Premtimet e Ramës u cilësuan ‘tallëse’ për këtë kategori nga ana e opozitës dhe bonusi si një mjet elektoral. Sipas deputetëve të opozitës pensionistët nuk përfitonin as një rritje pensioni nga buxheti i ri i qeverisë prej 8,2 miliardë euro. “Bonusi për pensionistët jepet vetëm para zgjedhjeve”- tha në fjalën e tij kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, duke shtuar se ndërkohë qeveria nuk ka parashikuar asnjë fond për rritje pensionesh. Sipas Bardhit, “pensionistët presin një pension minimal apo mesatar sa në vendet e Rajonit” duke sjellë shifra për vendet fqinje, ndërsa shtoi se pas 12 vitesh qeverisje të Ramës ata kanë më pak të ardhura se sa kishin 12 vite më parë. “Mbi 500 mijë persona që përfituan pension pleqërie më 2023 kishin të ardhura mujore mesatare 18,341 lekë, sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, vlerë kjo 26% më shumë se në vitin 2014, ndërkohë që inflacioni është rreth 34%”- tha Bardhi, duke shtuar se “për pasojë, pensioni real ka pësuar ulje së paku me 8% gjatë qeverisjes së Edi Ramës”. Nga ana tjetër opozita akuzoi kryeministrin dhe qeverinë se po e orienton buxhetin e shtetit në kontratat konçensionare korruptive. “Një buxhet për oligarkët, për klientelën e qeverisë dhe për të pasurit”- tha ndër të tjera Bardhi. Prej disa muajsh pensionistët janë kthyer në kryefjalë të diskursit politik në vend, pasi Lëvizja Bashkë, një lëvizje e re politike, organizoi disa protesta para kryeministrisë duke nxitur këtë kategori të dilnin në shesh për të kërkuar pensione dinjitoze. Nga ana tjetër ish-kryeministri Sali Berisha që drejton partinë më të madhe të opozitës premton rritje me 20 për qind të pensioneve duke e mbështetur këtë në historikun e rritjes së herëpashershme të pensioneve gjatë mandatit të tij të parë. Vetë Rama dhe deputetët e Partisë Socialiste ndërmorën një tur takimesh me pensionistë duke sqaruar pamundësitë e qeverisë për rritje pensionesh dhe duke akuzuar “biznesmenët” si përgjegjës për mosarritjen e tyre me argumentin se shmangin detyrimet për sigurime shoqërore. Aktualisht në Shqipëri skema kombëtare e pensioneve financohet nga sigurimet shoqërore të paguara nga të punësuarit si dhe, në një masë jo të vogël, nga taksimi i përgjithshëm. Projekt-buxheti i vitit 2025 parashikon shpenzime në masën 192 miliardë lekë (1.9 miliardë euro) për pensione ndërsa kontributet e të punësuarve pritet të mbulojnë vetëm 76% të këtyre shpenzimeve. Pjesa tjetër do të paguhet nga qytetarët përmes taksimit të përgjithshëm, fjala vjen, TVSH apo akciza.

BIRN

Video

Avokati Plarent Ndreca ka deklaruar se po shqyrtohet mundësia e një kallëzimi penal për kërcënimet që Erion Veliaj pretendoi se iu bënë nga Rama përmes ministrit të Drejtësisë. Ai bëri me dije se për këtë situatë janë njoftuar edhe avokatët e huaj. Ndreca zbuloi se i ka bërë të qartë kryeministrit Edi Rama se mbrojtjen ligjore të Veliajt do ta vendosë mbi interesat politike.

Vlora Hyseni ka refuzuar të paraqitet në seancën gjyqësore në Apelin e Posaçëm, ndërsa avokati i saj mbrojtës, Kastriot Selita, ka mbërritur në ambientet e gjykatës. Mësohet se efektivët e policisë janë paraqitur për të shoqëruar Hysenin drejt gjykatës, por ajo ka deklaruar se nuk dëshiron të marrë pjesë në seancë.

Çfarë pritet të ndodhë në GJKKO? Veliaj refuzon të marrë pjesë dhe kërkon leximin e letrës për takimin me Gogun në burg

Studentët e Universitetit Politeknik kanë ironizuar thirrjen e kryeministrit Edi Rama për dialog, duke kërkuar dorëheqjen e tij. Mbi disa karrige ata kanë vendosur foto të dhunës policore ndaj të rinjve me mbishkrimin "Diktator". Me këtë akt simbolik, protestuesit kanë shprehur qëndrimin e tyre të prerë ndaj kreut të qeverisë. Megjithëse kryeministri ka përsëritur ftesën për bisedime, studentët mbeten të vendosur në rrugëtimin e tyre. Ata deklarojnë se kërkesa për dorëheqje është e panegociueshme dhe nuk pranojnë kompromis.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme