Politika 20 August 2026, 09:47 Nga VNA

Nga Dhërmiu po fryn erë shkarkimesh: Rama përgatit furtunën në qeveri dhe administratë

Ndaje në Whatsapp
Nga Dhërmiu po fryn erë shkarkimesh: Rama përgatit furtunën

Edi Rama, me gjasë, po përgatitet për ndryshime në qeveri dhe administratë. Ndryshime që, në fakt, nuk do të duhej të befasonin askënd: vetë kryeministri i ka paralajmëruar në dy mbledhjet e fundit të Asamblesë së Partisë Socialiste, ku pakënaqësia e tij me performancën e ministrave dhe administratës nuk është fshehur.

Por kësaj here pakënaqësisë për punën duket se i është shtuar edhe zemërimi politik. Rama nuk e ka pritur mirë “tolerancën” me të cilën një pjesë e administratës iu bashkua, në ditët e para, protestës së flamujve. Dhe tani, ndërsa gushti politikisht duket i qetë, në administratë po përgatitet një furtunë e re.

Pa hyrë në spekulimet për emrat e ministrave që mund të ndryshohen, një gjë duket më e sigurt: Kryeministria u ka kërkuar Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Mbrojtjes të përgatiten për një valë të madhe dorëheqjesh të drejtuesve kryesorë.

Lajmi nuk është më sekret. Në korridoret e këtyre ministrive kanë nisur prej ditësh pëshpëritjet për valën që pritet të prekë drejtorët, por që askush nuk është i sigurt se do të ndalet vetëm tek ata. Sepse bashkë me emrat e drejtuesve të administratës qarkullon edhe pyetja që në PS prodhon gjithmonë më shumë ankth se çdo reformë: po ministrat?

Nga Dhërmiu, ku ndodhet me pushime, Edi Rama duket se nuk ka bërë vetëm plazh. Me mënyrën e tij të njohur, kryeministri është kujdesur që vartësit të mos ndihen po aq “relax” sa mund të sugjerojë kalendari i gushtit. Aq më tepër në një muaj kur zyrat e rëndësishme të shtetit duket se kanë qenë më të freskëta nga kondicionerët aktivë sesa nga aktiviteti i atyre që duhet t’i popullojnë.

Ndoshta nuk është rastësi që disa prej ministrave të tij janë shfaqur papritur shumë aktivë në rrjetet sociale. Takime, inspektime, njoftime, fotografi dhe prova publike pune në vapën e gushtit. Një lloj dëshmie dixhitale për t’i mbushur mendjen shefit të madh se ata janë aty, vigjilentë dhe të gatshëm të punojnë fort edhe kur të tjerët pushojnë.

Vështirë, megjithatë, që Edi Rama të bindet nga Instagrami.

Po aq e vështirë është të merret seriozisht çdo emër ministri që qarkullon këto ditë si i larguar apo i emëruar. Në këtë pikë, çdo listë është më së paku spekulim. Rama di ta mbajë sekret për vete vendimin deri në momentin e fundit dhe, mbi të gjitha, di ta shijojë shpalljen e ndryshimeve live, gjatë transmetimit televiziv të Asamblesë.

Është një nga ritualet e tij të preferuara politike.

Emrat lexohen njëri pas tjetrit, kamerat janë ndezur dhe salla pret. Ndërsa Rama njofton se kush ngrihet dhe kush bie, ka edhe luksin të shohë dhe të gjykojë mimikat e ushtrisë së servilëve që presin të dëgjojnë emrin e tyre për ndonjë emërim të mundshëm.

Deri atëherë, ministrat mund të vazhdojnë të postojnë, drejtorët të presin dhe korridoret e ministrive të gumëzhijnë.

Sepse këtë gusht, duket se pushimet më të qeta po i bën pikërisht ai që po ua prish qetësinë të gjithëve të tjerëve.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme