Ekskluzive 28 June 2025, 11:18 Nga VNA

“Në emër të popullit”, një fëmijë vdiq urije. Shqipëria në vitet e komunizmit, një tragjedi njerëzore pak e treguar dhe keqtrajtuar nga historia

Ndaje në Whatsapp
“Në emër të popullit”, një fëmijë vdiq

Tre dokumentet arkivore që përfshijnë letrat e Kosta Shkurtit dhe raportimin institucional ndaj tyre tek Hysni Kapo, numri 3 i pushtetit, shërbejnë si dëshmi e shfaqjes së banalitetit të së keqes në Shqipërinë komuniste të fundviteve ’50. Në qendër të tyre është një njeri i zakonshëm, Kosta Shkurti, baba i 4 fëmijve që i drejtohet shtetit me lutje njerëzore për bukë për fëmijët e tij, pasi familja e tij ishte përjashtuar nga dhënia e triskave.

Lutja e tij për bukë për fëmijët, në thelb, një kërkesë për ndihmë nga një shtet që pretendonte se përfaqësonte popullin, përballet me një reagim standard burokratik, të ftohtë dhe ndëshkues. Në vend që të merret me përmbajtjen e dramës njerëzore, autoritetet fokusohen në tonin “armiqësor” të letrës dhe propozojnë reflektim të babait para kolektivit të punës. Vetë fjalia e Kosta Shkurtit – “kemi mbetur pa bukë… këto janë vepra të liga kriminale” – është një dëshmi e asaj që Hannah Arendt ka quajtur “banaliteti i së keqes”: një e keqe që nuk vjen nga ligësia e hapur, por nga mosveprimi, verbëria morale dhe zbatimi mekanik i rregullave.

Kur tragjedia goditi, vdekja e një fëmije të Kosta Shkurtit, siç rrëfehet në letrën e 9 janarit 1957, dëshpërimi i tij u shndërrua në një akuzë therëse kundër “veprës kriminale” të shtetit. Me fjalë të ngarkuara me dhimbje dhe zemërim, ai denoncoi udhëheqjen komuniste që kishte dënuar fëmijët e pafajshëm me uri dhe vdekje.

Kjo ngjarje nxjerr në pah atë që Zygmunt Bauman e cilëson si “modernitetin burokratik”, ku individët reduktohen në numra dhe rregulloret vlejnë më shumë se jeta njerëzore. Sistemi i triskave, një mekanizëm jetik për shpërndarjen e ushqimit në një vend të shkatërruar nga varfëria, u bë simbol i indiferencës shtetërore, ku lehtësia burokratike në trajtimin e kërkesave të panumërta për mbijetesë çonte në pasoja tragjike. Propozimi për të “sqaruar” dhe paralajmëruar Shkurtin, madje për ta gjykuar në kolektivin punonjës, zbulon një regjim që, i fiksuar pas ideologjisë, jo vetëm injoronte dëshpërimin njerëzor, por e fajësonte viktimën për ankesën e saj.

Kështu, historia e Kosta Shkurtit është një dëshmi e zymtë e banalitetit të së keqes në Shqipërinë komuniste të fundviteve 1950. Në një sistem ku burokracia dhe ideologjia mbytnin çdo fije humanizmi, thirrjet për bukë dhe mbijetesë hasën në një mur të ftohtë rregullash dhe kërcënimesh. Vuajtja e një familjeje u bë një shifër në dosjet e shtetit, dhe vdekja e një fëmije, një statistikë e parëndësishme përballë “rendit popullor”. Ky realitet tragjik nxjerr në pah kontradiktën e thellë mes propagandës për një shtet të drejtë dhe realitetit të një makinerie burokratike që shuante jetë dhe shpresa.

Në këtë rast, një fëmijë vdes jo për shkak të urrejtjes, por për shkak të një klauzole teknike që nuk lejon shpërndarjen e triskave në një shtëpi “3 minuta larg nga lagjja e qytetit”.

Këto dokumente, në mënyrë të fuqishme, nxjerrin në pah hipokrizinë e diskursit për pushtetin popullor, që në praktikë ishte një sistem që dehumanizonte individin dhe e reduktonte vuajtjen në një “çështje për t’u sqaruar në kolektiv”.

Letra 1:

Komitetit Qëndror Partis Punës Shqipërisë

Nr. 42 / 12 / 177

KOMITETI Q. P. P. S

Tiranë

Vitin e Ri 1957, fëmijët e mi e Festojnë në Vuajtje e Mjerim për kafshatën e Bukës. Dhe nuk di pse këta Fëmijë të pa fajshëm të dënohen nga pushteti popullor prej Vendimit të lëshuar prej jush; plot 1 Vit Vuajtje e Mjerim e Fëmijëvet të mi për kafshatën e Bukës, megjithse me dhjetra letra dhe telegram ju jemi

drejtrar, por genka i pa zgjidhur ky problem jetik.

Unë si punonjës i thjeshtë i pushtetit popullor dij se në udhëheqje të partisë e Qeverisë janë elementë

që zgjidhin çdo problem të popullit dhe të shtetit dhe si qenka i pa zgjidhshëm ky problem për ne që

kërkojmë vetëm bukë, atë të drejtë për gëzimin gjithë punonjësit e vendit tonë dhe asgjë tjetër, heqja

e të drejtës së triskës të fëmijëve të mitur pse jemi vendës në fshat me 3 minuta largësi nga lagjja, po këtu në këtë banesë po të vijë tjetër familje po të blejë apo të strehohet i fiton triskat, nga juve kërkojmë rrugë zgjidhje për jetës, mbasi na kini dënuar pa qenë fajtor.

Fier më 30.XII.56.

Kosta Shkurti

Raportimi për udhëheqjen - Hysbi Kapon

INFORMACION

MBI KËRKESËN E KOSTA SHKURTIT

Kosta Shkurti me letrën që i bën Komitetit Qëndror të P.P.SH., kërkon të pajisen fëmijët e tij me triska ushqimi. Në letër ai ngre një sërë gjërash të pa drejta dhe armiqësore si p.sh. shkruan, se “fëmijët e mi e festojnë (vitin e ri) në vuajtje e mjerim për kafshatën e bukës dhe nuk di pse këta fëmijë të pa fajshëm të dënohen nga pushteti popullor prej vendimit të lëshuar prej jush”; më poshtë shkruan “unë si punonjës i thjeshtë i pushtetit popullor dhe si ne udhëheqje të partisë dhe qeverisë janë elementë që zgjidhin çdo problem të popullit dhe të shtetit dhe si qenka i pa zgjidhshëm ky problem për ne që kërkojmë bukë………nga juve kërkojmë rrugë zgjidhje për jetesë, mbasi na keni dënuar pa qenë fajtor”.

Kërkesën për t’i pajisur fëmijët me triska ushqimi e ka bërë edhe më parë Kosta Shkurti me disa punonjës të tjerë të qytetit të Fierit, të cilët janë sqaruar se nuk mund të përfitojnë sepse banojnë në fshat. Për këtë çështje është shkruar në vend nga ana jonë dhe Ministria e Tregtisë dhe është pare, se nuk ka mundësi të bëhen përjashtime nga rregullorja e trisketimit, mbasi kjo i le shtetit shpërdorim të fondeve të garantuara. Veç sa sipër Kosta Shkurti është sqaruar dhe i është dhënë të forcojë ekonominë ndihmëse për përmirësuar jetesën e tij. Nga ana e jonë është porositur komiteti i partisë i rrethit të Fierit për t’i sqaruar njerëzit e tillë, që kërkojnë triska ushqimi për fëmijët e tyre dhe që nuk i përfitojnë ato në bazë të dispozitave në fuqi.

Lidhur me sa rjeshtuam propozojmë:

1. – Komiteti i partisë t’a thërrasi Kosta Shkurtin e t’a sqarojë edhe një herë se triskat e ushqimit nuk i përfitojnë fëmijët e tij. Njëkohësisht ta paralajmëroje atë, se shprehjet e tij para Komitetin Qëndror të P.P.SH. dhe Qeverin janë armiqësore dhe në rast përsëritjes çështjen e tij t’a shtroje në kolektivin punonjës për të mbajtur qëndrim.

2. – T’i tërhiqet vëmendja komitetit partisë rrethit Fier, që nuk i ka sqaruar definitivisht punonjësit që nuk përfitojnë triska ushqimi për fëmijët e tyre.

DREJTOR I DREJTORISË TREGËTI-FINANCE

Pjetër Kosta

Tiranë, më 7.I.1957

Letra 2.

Komitetit Qëndror të Partis Punës

Shqipërisë

Tiranë.

Sot me datë 9.1.1957. Më vdiq një fëmi prej veprës tuaj kriminale të lëshuar prej vendimit tuaj mbi heqjen e së drejtës së triskave të ushqimit të atyre fëmijve shumë fatkeq qe po na i rremben vdekja. Sepse të jesh punonjës i thjesht pa asnjë marrëdhënie me ekonominë bujqësore, por pse jemi vëndas na keni dënuar fëmijët e pafajshëm me vdekje, ju udhëheqësit e Partisë dhe të Qeveris. Pse kur nuk mund të ushqehen 6 persona me një rrogë pa triska, këto janë veprat tuaja! Kënaqunj juve kur vdesin

bijët e popullit nga se juve i bëni hesapet pa hanxhin.

Ju lutem te na zhdukni krejtësisht nga faqja e dheut dhe të mos vuaj kot pa qenë fajtor. Me plot lot të gjithë familjes po jua dërgoj këtë letër.

Kosta Shkurti

Fier

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme