Ekskluzive 15 June 2025, 21:08 Nga VNA

Burgu i Burrelit/ Letrat e dy të burgosurve rrëfejnë tmerret e diktaturës: Këtu muret bojatisen me gjak njeriu

Ndaje në Whatsapp

Në burgun famëkeq të Burrelit, simbol i regjimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës, nuk munguan rastet kur të burgosurit politikë gjetën mënyra të guximshme për t’i dhënë zë vuajtjeve, torturave dhe trajtimeve çnjerëzore. Përmes letrave drejtuar autoriteteve më të larta të regjimit, nga vetë Enver Hoxha, Byrosë Politike, Komitetit Qendror të PPSH, deri te Prokurori i Përgjithshëm, ata rrëfyen kalvarin e tyre personal. Këto letra zbulojnë torturat dhe kushtet barbare të jetesës në burg, duke sfiduar pushtetin tiranik dhe ligjet represive të kohës. Njëkohësisht, letrat përfaqësojnë forma të rezistencës së heshtur, ku individë të izoluar gjenin kurajon për të denoncuar dhunën sistematike dhe asgjësimin moral të njeriut, në një shtet që pretendonte se pushteti buronte nga populli. Më poshtë paraqiten dy letra të shkruara nga të burgosur politikë në burgun e Burrelit: letra e Ramiz Hysenit, e datës 5 korrik 1972, dhe ajo e Iljaz Meçanit, e datës 17 tetor 1968. Në kushtet ekstreme të këtij burgu, këto letra përfaqësojnë jo vetëm akte guximi, por edhe forma simbolike të qëndresës, duke iu drejtuar institucioneve shtetërore të diktaturës dhe duke sfiduar hapur pushtetin e regjimit komunist.

Letrat

Të nderuar zotërinjë!

Anëtarë dhe kandidatë të B.P.P.P të Shqipërisë. Zoti Prokuror i Përgjithshëm i R.P. të Shqiperisë.

Ndodhem i burgosur në burgun e Burrelit për fajë politike, të cilat ligjet nuk i gjejnë asgjë të rënda sa të më japin dënimin kapital. Por me sa shoh komanda e këtushme s‘është e kënaqur me këtë dënim dhe kërkon zhdukjen fizike të personave të veçant. Operativi dhe ndonjë kuadër tjetër komandues i burgut, në kundërshtim me ligjet në fuqi, dhe duke braktisur përfundimisht rrugën e bindjes, po përdorin forma dhe mjete të përbindëshme për zhdukjen tonë. Ju lutemi shumë, me që sapo filloi fushata e torturimit dhe sa s’është tepër vonë, ndërhyni për ndalimin e veprimeve të tilla që shëmtojnë edhe ligjet më të çmërueshme që ekzistojnë në botë, thashë më sipër fushata e torturimeve mbasi operativi i këtushëm e fillon këtë fushatë në muajin Nëntor dhe e përfundon në muajin Mars d.m.th. në muajet e ftohtë, ku i futë të burgosurit në birucë lakuriq dhe i torturon. Para ca ditësh të nderuar Zotërinjë, ra viktimë e parë e kësaj fushate të shëmtuar një i burgosur, i cili mbasi u rrah me mënyrë të çtmerrëshme nga një numur i madh ushtarësh dhe tani po dergjet në birucë. Mbetem me shpresë se ligjëshmëria socialiste do të veprojë për ndalimin e veprimeve të tilla jo parimore.

Me nderime dhe respekt i burgosuri Burrel 17.11.68. Iljaz Xh. Zeqo Meçani

———-

PROKURORIT PERGJITHESHEM R.P.SH.

Z. DHOKI PANARITI

Jam nje i burgosur që prej 4 Vjetesh, dhe denimin vazhdoj ta vuej ne burgun e Burrelit. Me falni që po ju shqetësoj, por gjendja ime morale dhe shpirterore më shtyn që t'u drejtohem me anën e kësaj letre, me anën e së cilës dua të vë në dijeni ligjin e pushtetshëm tç Republikës Popullore të Shqipërisë dhe me se ky ekziston, dhe qendron i plotëfuqishëm për të gjithë. Të lutem shume zotni, nuk kërkoj mbrojtje ligjore se për dënimin që më ka dhënë gjykata - jo, unë dua ta mësoj çdomethan "Ligji i Xhungles" se shumë herë i ndigjoj që shprehet nga personeli i shërbimit të kësaj komande. Nuk më kanë zënë syri një kaos të tillë, këtu kryhen krime nga më të shëmtuarat që ekzistojnë, kam lexuar për furat e krematoriumit - qofshin falë në krahasimin e kësaj kasaphane, që sa herë korridoret dhe muret e koridoreve bojatisen me gjak njerëzish (këtu kryhen krime me dhe anën e metodës më të poshtër dhe më të ujët që është provokimi.). Dua që t'ju vë në dijeni për shqetësimin e madh që na ka plakosur për pa sigurinë e jetës në këtë burg (Burgu është gjithmonë në dallgët e krimeve). Dhe për çudi të mos miret asnjë masë! mos vallë, ky është një udhëzim nga lartë? Unë nuk dua të besoj, dhe kur nuk e besoj që këto krime barbare të justifikohen në ditët e sotme dhe aq më tepër të udhëzohen nga lartë. Burgu ndodhet i përfshirë në grevën e urisë" dhe kërkohet sigurimi i jetës në këtë burg.

Me respekt Burrel dta 5/VII/1972 i burgosuri (Ramis Hyseni).

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme