Kronika 27 August 2026, 15:09 Nga VNA

Klodiana Lala zbulon prapaskenat e arrestimit të Ergys Agasit: Jo vetëm Mirlinda Karçanaj, dhjetëra zyrtarë janë filmuar në zyrën e tij

Ndaje në Whatsapp

ddscsdcsdc.PNG

Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje të reja mbi arrestimin e Ergys Agasit, duke bërë një kronologji të hetimeve dhe operacionit që çoi në prangosjen e tij.

Në një intervistë në studion e “News24”, Lala deklaroi se prej kohësh kishte dyshime se Agasi fshihej në Shqipëri, kryesisht mes Durrësit dhe Tiranës, ndërsa hetuesit kishin përgatitur planin operacional dhe prisnin momentin e duhur për të ndërhyrë.

Sipas saj, Agasi u lokalizua teksa udhëtonte me automjet dhe u mbajt nën vëzhgim nga Elbasani deri në zonën e Plepave, ku u ndërhy nga forcat operacionale dhe RENEA.

“Në momentin që është konstatuar se në automjet ishte Ergys Agasi është zhvilluar edhe operacioni. Policia donte të ishte e sigurt në momentin e ndërhyrjes dhe është ndjekur nga Elbasani. Në momentin që kanë mbërritur në Plepa është rrethuar nga forca të posaçme operacionale, ka qenë dhe forca RENEA. Agasi ka qenë krejt i shkujdesur. Pas arrestimit janë gjetur rreth 4 mijë euro në makinë”, deklaroi Lala.

Gazetarja tregoi se dyshimet se Agasi mund të fshihej në zonën e Durrësit dhe Elbasanit ishin ngritur gjatë kontrolleve të kryera nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas saj, gjatë verifikimeve ishte konstatuar edhe një automjet luksoz në garazhin e një prej vilave të kontrolluara.

“Ka patur dhe një reagim nga arratia e Agasit, dhe këtu kanë nisur dyshimet se ai fshihej në Shqipëri. Dhe u kuptua se qëndronte mes Tiranës dhe Durrësit. Plani operacional ishte gati dhe po pritej momenti për të ndërhyrë”, tha ajo.

Lala u ndal edhe te ndikimi që, sipas saj, Agasi kishte krijuar ndër vite, veçanërisht në Durrës. Ajo pretendoi se ai kishte ndikim në emërime të ndryshme dhe ngriti dyshime se influenca e tij mund të ishte shtrirë edhe në institucione të tjera.

“Ka pasur ndikim në emërimet, kryesisht në qytetin e Durrësit. Kur u shpall në arrati dhe u shpall zyrtarisht në kërkim, mesa duket gjërat nuk kanë shkuar në favor të tij, sepse nisën të ndryshoheshin drejtues. Pati reagim edhe nga ndërkombëtarët dhe kjo krijoi edhe ngushtimin e lakut për Ergys Agasin”, deklaroi Lala.

Sipas gazetares, Durrësi ishte një nga zonat kryesore ku Agasi kishte ndërtuar lidhjet dhe ushtruar ndikimin e tij. “Flitet për ndikim në SHISH”, u shpreh ajo.

E pyetur për deklaratat e kreut të PD-së, Sali Berisha, Lala tha se nuk e konsideron arrestimin e Agasit si një operacion të kontrolluar, ndërsa theksoi se prangosja e tij mund t’i shërbejë hetimeve të SPAK.

“Nuk marr përsipër të komentoj deklarata të zotit Berisha. Berisha gjithmonë ka hedhur akuza. Por nuk e shikoj si organizim apo arrestim të kontrolluar. Ky arrestim do t’i shërbejë shumë Prokurorisë së Posaçme. Por disa ministra të Brendshëm janë shkarkuar për shkak të Agasit. Nëse zoti Berisha ka prova, le t’i nxjerrë”, deklaroi ajo.

Lala ngriti pikëpyetje edhe mbi materialet që mund të jenë në dispozicion të hetuesve, duke deklaruar se në zyrën e Agasit dyshohet se janë filmuar dhjetëra zyrtarë.

“Fakti që do të ballafaqohet me pamje që ka filmuar vetë në zyrën e vet, do të jetë i detyruar të japë shpjegime. Në zyrën e Ergys Agasit nuk është filmuar vetëm Karçanaj, por janë me dhjetëra zyrtarë të tjerë”, tha gazetarja.

Sipas Lalës, një tjetër element me rëndësi për hetimin pritet të jetë ekspertimi i celularëve të sekuestruar pas arrestimit të Agasit, të cilët mund të hedhin dritë mbi kontaktet dhe komunikimet e tij.

“Ky është momenti kur të gjithë e kanë braktisur dhe nëse do të bashkëpunojë apo jo mbetet për t’u parë. Çfarë kanë celularët e Ergys Agasit që janë sekuestruar ditën e djeshme? Kë ka takuar, me kë ka biseduar? Janë disa detaje që mund të shërbejnë për shumëçka”, përfundoi Lala.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme