Politika 29 August 2026, 17:24 Nga VNA

Incident diplomatik për një lajm që se konfirmoi askush: Shqipëria kërkon llogari, Mali i Zi thotë “nuk e kishim me ju”

Ndaje në Whatsapp
Incident diplomatik për një lajm që se konfirmoi askush:

Një deklaratë e kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajić, për një operacion të mundshëm hibrid kundër vendit të tij ka shkaktuar përplasje mediatike dhe ka mbërritur deri në nivel diplomatik, pasi Shqipëria u përfshi në histori si një prej dy shteteve që dyshohej se qëndronin pas ndërhyrjes.

Por sipas televizionit publik malazez RTCG, Spajić nuk e kishte fjalën për Shqipërinë.

Kryeministri malazez deklaroi se autoritetet disponojnë “informacione serioze operative të sigurisë” sipas të cilave mbyllja e kapitujve të rinj të negociatave të Malit të Zi me Bashkimin Evropian mund të shoqërohet me një veprim të koordinuar hibrid, ku janë të përfshirë zyrtarë të të paktën dy shteteve të rajonit.

Spajić nuk i identifikoi këto shtete.

Megjithatë, gazeta malazeze “Vijesti”, duke iu referuar katër burimeve, raportoi se bëhej fjalë për Serbinë dhe Shqipërinë.

RTCG shkruan se informacioni për përfshirjen e Shqipërisë është i pasaktë dhe se kjo i është konfirmuar nga nivele të larta të pushtetit ekzekutiv malazez.

Historia mori përmasa diplomatike kur lajmi mbërriti në Tiranë.

Sipas RTCG, pasi u publikuan pretendimet se Shqipëria ishte një nga dy shtetet që kishte parasysh Spajić, kryeministri Edi Rama kontaktoi Qeverinë e Malit të Zi për të kërkuar sqarime mbi origjinën e informacionit.

Nga Podgorica, sipas televizionit publik malazez, Ramës i është bërë e ditur se pretendimi nuk ishte i vërtetë dhe se Shqipëria nuk ishte vendi të cilit i referohej informacioni i sigurisë i përmendur nga Spajić.

Paqartësia shtohet edhe më shumë nga fakti se një tjetër media malazeze, “Dan”, raportoi një kombinim tjetër shtetesh. Sipas saj, dy vendet për të cilat bëhej fjalë ishin Serbia dhe Kroacia, jo Serbia dhe Shqipëria.

Në deklaratën e tij, Spajić kishte thënë vetëm se ekzistonin informacione për një operacion të koordinuar hibrid me përfshirjen e zyrtarëve të të paktën dy vendeve të rajonit dhe se synimi ishte destabilizimi i Malit të Zi në një moment kyç të procesit të integrimit evropian.

Ai foli gjithashtu për mbështetje të mundshme të këtyre përpjekjeve nga aktorë politikë dhe pjesë të skenës mediatike brenda Malit të Zi, por nuk përmendi Shqipërinë, Serbinë, Kroacinë apo ndonjë shtet tjetër me emër.

RTCG kritikon mënyrën se si deklarata e kryeministrit u zgjerua më pas në media me pretendime për funksionarë të lartë të qeverisë malazeze që mund të ndodheshin nën ndikim të jashtëm, për konflikte brenda shumicës dhe madje për mundësinë e destabilizimit të qeverisë nga brenda.

Sipas televizionit publik, këto pretendime nuk ishin pjesë e deklaratës së Spajić.

Çështja merr rëndësi të veçantë pasi Mali i Zi ndodhet në fazën më të avancuar të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Vendi ka hapur të 33 kapitujt negociues dhe deri tani ka mbyllur përkohësisht 18 prej tyre, ndërsa pritet të avancojë me kapituj të tjerë.

Pikërisht në këtë kontekst Spajić e paraqiti paralajmërimin për operacione hibride si një përpjekje për të dëmtuar ose ngadalësuar kursin evropian të vendit.

Por për Shqipërinë, të paktën sipas versionit që RTCG thotë se ka konfirmuar në nivelet e larta të Qeverisë së Malit të Zi, përgjigjja është e qartë: Tirana nuk ishte një nga dy shtetet që kishte parasysh kryeministri Spajić.

Kështu, një deklaratë ku nuk u përmend asnjë shtet prodhoi brenda 24 orësh tri versione: Serbi–Shqipëri sipas “Vijesti”, Serbi–Kroaci sipas “Dan” dhe mohimin nga burime të Qeverisë malazeze se Shqipëria ishte pjesë e informacionit të sigurisë.

Dhe në fund, një histori që nisi me burime anonime përfundoi duke detyruar dy qeveri fqinje të sqaroheshin mes tyre.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme