Sociale 22 November 2024, 22:08 Nga VNA

Biodiversiteti kërcënohet nga zhvillimi dhe keqmenaxhimi -thekson raporti

Ndaje në Whatsapp
Biodiversiteti kërcënohet nga zhvillimi dhe keqmenaxhimi -thekson

Një raport i fondacionit “EuroNatur” thekson kërcënimet në rritje ndaj ekosistemeve në Ballkanin Perëndimor, duke thënë se presionet e zhvillimit, boshllëqet e politikave dhe zbatimi i dobët i rregullave rrezikojnë të ardhmen e tyre.

Një raport i ri mbi biodiversitetin në Ballkanin Perëndimor, i publikuar të enjten nga Fondacioni gjerman, EuroNatur, një organizatë për ruajtjen e natyrës, thekson nevojën për veprime urgjente për të ruajtur habitatet natyrore të kërcënuara.

Raporti thekson zonat ku habitatet natyrore janë të kërcënuara dhe speciet në nevojë mbrojtjeje në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.

Rajoni i Vjosë-Nartës në Shqipëri, i njohur për shumëllojshmërinë e shpendëve dhe lagunat,  përballet me kërcënime serioze nga ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Mbi 200 specie shpendësh, përfshirë Pelikanin e rrallë Dalmatian dhe Flamengot mbështeten në këtë habitat. Rivlerësimi i zonave të mbrojtura nga qeveria për të lehtësuar projektin e aeroportit ka përjashtuar 310 hektarë habitat të rëndësishëm në jug të vendit, duke shqetësuar ambientalistët.

“Ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, pjesë e një vizioni të gjerë për ta shndërruar këtë strehë të pasur me biodiversitet në një qendër turizmi dhe infrastrukture, kërcënon të shuhen zërat e gjallë të lagunës,” paralajmëron raporti.

Raporti përqendrohet gjithashtu në fushën e gjerë karstike të Livanjsko Polje në Bosnjë e Hercegovinë, një sit Ramsar dhe zonë të rëndësishme për shpendët, e cila mbetet pa mbrojtje në nivel kombëtar. Sitet Ramsar janë laguna të rëndësishme ndërkombëtarisht të njohura sipas Konventës Ramsar.

Përmbytjet sezonale mbështesin habitate të ndryshme dhe bujqësinë, por menaxhimi i pa-rregulluar i ujërave, nxjerrja e torfeve dhe kornizat ligjore të pasigurta kërcënojnë të ardhmen e saj.

Përpjekjet për ta shpallur Livanjsko Polje një zonë të mbrojtur janë ndalur, duke pasqyruar sfidat e qeverisjes në Bosnjë dhe politikat e fragmentuara mjedisore.

Salina e Ulqinit në Malin e Zi, dikur një zonë prodhimi të kripës, është një tjetër fushë betejë për ruajtjen e natyrës, sipas raportit. E njohur si një kandidate për Rrjetin Emerald, kjo zonë mbështet mbi 250 specie shpendësh, por privatizimi dhe neglizhimi kanë degraduar ekosistemet e saj.

Raporti thekson “një luftë, që vendos përballë njëri-tjetrit jetesat tradicionale dhe ruajtjen e mjedisit ndaj interesave ekonomike të mbyllura, duke lënë një ekosistem të tërë dhe komunitetin lokal në një udhëkryq.”

Salina u shpall Park Natyror në vitin 2019, por ende nuk është krijuar një organ menaxhues formalisht, duke penguar përpjekjet për restaurimin.

Raporti thekson gjithashtu se rruga e Migracionit Adriatik, një rrugë kyçe e migrimit të shpendëve, është nën kërcënim nga vrasjet ilegale të shpendëve, veçanërisht në Serbi. Mbi 163,000 shpendë vriten çdo vit, duke prishur balancat ekologjike. Zbatimi i dobët i ligjit e përkeqëson këtë problem, duke minuar përputhshmërinë e Serbisë me marrëveshjet ndërkombëtare për ruajtjen e natyrës.

Raporti gjithashtu thekson rrezikun e madh që i kanoset rrëqebullit të Ballkanit, një nga specie më të rrezikuara të Europës, i cili jeton në pyjet dhe malet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Kosovën.

Me më pak se 40 rrëqebuj të mbetur në natyrë, ky mace e egër është në rrezik të zhduket. Mbijetesa e saj është një prioritet i rëndësishëm për ruajtjen e natyrës, jo vetëm si një specie kyçe, por edhe si një tregues i shëndetit mjedisor të rajonit.

Raporti kërkon përmirësimin e kornizave ligjore, zbatimin më të rreptë të ligjeve për ruajtjen e natyrës dhe angazhimin më të madh të komunitetit. Rekomandimet përfshijnë restaurimin e habitateve të dëmtuara, integrimin e ekonomive lokale me objektivat për biodiversitetin dhe përshtatjen e politikave kombëtare me standardet mjedisore të BE-së./BIRN/

 

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme