Kronika 12 September 2026, 20:14 Nga VNA

Arratisja si në film nga spitali i Serres, kush është Gentian Çipi, shqiptari që po kërkohet nga policia greke

Ndaje në Whatsapp
Arratisja si në film nga spitali i Serres, kush është Gentian

Gentian Çipi, 41 vjeç, shtetas shqiptar nga Korça, është kthyer në një nga emrat më të kërkuar nga autoritetet greke pas arratisjes së tij nga Spitali i Serres, në një operacion të organizuar që mediat greke e përshkruajnë si “kinematografik”.

Sipas raportimeve të mediave greke, Çipi mbahej në burgun e Nigritas në Serres dhe ishte transferuar mbrëmjen e së premtes në Spitalin e Përgjithshëm të Serres, pasi kishte deklaruar se nuk ndihej mirë. Transferimi është kryer me automjet të shërbimit të jashtëm të burgjeve dhe, sipas zëdhënëses së policisë greke, pa asistencë të policisë greke në eskortë. 

Në momentin kur automjeti i shoqërimit është ndalur jashtë klinikës, janë shfaqur disa persona të armatosur rëndë, të veshur me të zeza dhe duke u paraqitur si efektivë policie të njësisë OPKE. Ata kanë kërcënuar dhe çarmatosur punonjësit e shoqërimit, kanë marrë Çipin dhe janë larguar me shpejtësi. Nga ngjarja nuk raportohet për të plagosur.

Mediat greke raportojnë se bashkëpunëtorët e tij përdorën dy automjete. Njëri prej tyre u gjet i braktisur në një rrugë anësore të unazës së Serres, ku policia gjeti një kallashnikov dhe fishekë. Një automjet i dytë është gjetur i djegur plotësisht në zonën e Volvit, në Selanik, dhe po verifikohet nëse është përdorur në arratisje. 

Sipas të dhënave të publikuara nga mediat greke, Gentian Çipi ishte arrestuar në shtator 2025, bashkë me dy shqiptarë të tjerë, për një atentat të dyshuar ndaj një 25-vjeçari pranë një kantine në zonën e Pylaia, në Selanik. Ai akuzohej për tentativë vrasjeje, ndërsa hetimet kishin zbuluar edhe dyshime për përfshirje në një organizatë kriminale të lidhur me importin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Gjatë kontrolleve të kryera në atë kohë, policia greke kishte sekuestruar mbi 30 kilogramë kanabis, një kallashnikov, dy pistoleta, municion dhe dhjetë detonatorë. Pas daljes para hetuesit në Selanik, Çipi dhe dy bashkëkombësit e tij ishin lënë në paraburgim. 

Zëdhënësja e policisë greke, Konstantia Dimoglidou, tha për mediat greke se Çipi ndodhej në burg pas arrestimit nga Drejtoria për Luftën kundër Krimit të Organizuar në Greqinë Veriore, në lidhje me një rast të tentativës për vrasje të ndodhur në Pylaia në vitin 2024. 

Pas arratisjes, policia greke ka nisur një operacion të gjerë kërkimi në Serres, Selanik dhe në zonat pranë kufijve veriorë të Greqisë, pasi po hetohet edhe mundësia që Çipi dhe bashkëpunëtorët e tij të tentojnë të largohen jashtë vendit. Në kërkim janë përfshirë strukturat e policisë së Serres dhe njësitë e Drejtorisë për Luftën kundër Krimit të Organizuar.

Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të forta mbi sigurinë e transportit të të burgosurve në Greqi. Sipas Ethnos, punonjës të burgut të Nigritas kishin paralajmëruar prej muajsh për boshllëqe sigurie, duke ngritur shqetësimin se disa të burgosur kërkonin shpesh transferim në spital për arsye shëndetësore, çka krijonte rrezik për incidente të tilla. ⁠

Pra, Gentian Çipi nuk është thjesht një i dënuar që “iku nga spitali”. Sipas mediave greke, ai është një person me dosje të rëndë penale, i lidhur me akuza për tentativë vrasjeje, armë dhe trafik droge, ndërsa arratisja e tij duket se nuk ka qenë spontane, por një operacion i organizuar me armë, mjete të përgatitura dhe bashkëpunëtorë që imituan policinë greke.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme