Kronika 11 September 2026, 21:09 Nga VNA

“Lulet e së keqes”/ Kush janë shqiptarët e arrestuar në grupin e kokainës Kolumbi–Greqi? Mes tyre edhe një i kërkuar për vrasje

Ndaje në Whatsapp
“Lulet e së keqes”/ Kush janë shqiptarët e arrestuar

Autoritetet greke vijojnë të mbajnë larg publikut identitetet e personave të arrestuar në kuadër të operacionit për goditjen e një grupi të dyshuar për trafikimin e kokainës nga Kolumbia drejt Greqisë, ku pjesa më e madhe e të arrestuarve raportohet se janë shqiptarë.

Mediat greke i kanë kushtuar një artikull të posaçëm operacionit, ku në total u sekuestruan 84 kilogramë kokainë të fshehur në një ngarkesë me trëndafila. Sipas Zougla, për çështjen janë arrestuar gjashtë persona, mes të cilëve një shtetas i huaj i akuzuar për vrasje dhe djali i tij.

Pikërisht identiteti i këtij personi mbetet një nga pikëpyetjet kryesore të operacionit. Deri tani autoritetet greke nuk kanë bërë publik emrin e tij, ndërsa informacionet e siguruara flasin për një person të kërkuar nga autoritetet shqiptare për një vrasje në Shqipëri. Bashkë me të është arrestuar edhe djali i tij.

Burime tepër konfidenciale bëjnë me dije se një prej personave të arrestuar është emër i njohur në qarqet e biznesit në Shqipëri. Ndërkohë, një tjetër shqiptar dyshohet se shërbente si lidhje e grupit me rrjetet e narkotrafikut në Kolumbi.

Skema e trafikimit ishte ndërtuar përmes një kompanie të krijuar në vitin 2023, e cila përdorej për importimin e trëndafilave. Hetuesit dyshojnë se aktiviteti real i kompanisë nuk përputhej me tregtinë e deklaruar dhe se gjatë tetë muajve të mëparshëm ishin realizuar disa dërgesa të tjera nga Kolumbia drejt Greqisë.

Ngarkesat nuk ndiqnin një itinerar të drejtpërdrejtë Kolumbi–Greqi. Ato kalonin fillimisht nga Kanadaja, ku pajiseshin me dokumentacion të ri transporti, përpara se të mbërrinin në Greqi. Si destinacion figuronte një dyqan lulesh në Artemidha, për të cilin hetuesit dyshojnë se ishte ngritur vetëm si fasadë për aktivitetin.

Ngarkesa e fundit përbëhej nga 80 kuti me trëndafila. Në 15 prej tyre, autoritetet greke zbuluan se lulet kishin kërcell artificial, brenda të cilit ishte fshehur kokaina. Në total u sekuestruan 84 kilogramë lëndë narkotike.

Hetimi i çoi autoritetet edhe në një vilë të marrë me qira në zonën e Marathonës, ku dyshohet se qëndronin persona me rol kyç në grup. Gjatë kontrollit u gjetën rreth 2 kilogramë kokainë, një armë zjarri, si dhe mbetje të kërcejve plastikë të përdorur për fshehjen e drogës. Sipas hetuesve, këto gjetje përforcojnë dyshimet se vila ishte përdorur për ruajtjen dhe përpunimin e sasive të kokainës të importuara më herët.

Në operacion morën pjesë strukturat greke kundër krimit të organizuar, ndërsa informacionet fillestare për ngarkesën kishin ardhur nga zyra e DEA-s amerikane në Athinë.

Mbrojtjen e katër prej të arrestuarve e ka marrë përsipër avokati i njohur penalist Sakis Kechagioglou, ndërsa në çështje është përfshirë si avokat mbrojtës edhe Manolis Vamvounakis.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme