Bota 16 February 2025, 17:18 Nga VNA

Turneu në Lindjen e Mesme, Marco Rubio nga Izraeli: Hamasi duhet të “shfaroset”

Ndaje në Whatsapp
Turneu në Lindjen e Mesme, Marco Rubio nga Izraeli: Hamasi duhet të

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha të dielën se i mbështet plotësisht synimet e Izraelit në luftën e tij në Rripin e Gazës, duke thënë se Hamasi “duhet të shfaroset patjetër”.

Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Rubio u takua me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, në Jerusalem, në fillim të turneut të tij në Lindjen e Mesme, ku ka shumë mundësi të përballet me kundërshtime nga liderët arabë lidhur me planin e presidentit Donald Trump për ta zhvendosur popullsinë palestineze jashtë Rripit të Gazës dhe për ta rindërtuar enklavën palestineze duke e vendosur nën pronësi amerikane.

Netanyahu e ka mirëpritur planin dhe tha se ai dhe Trumpi kanë “strategji të përbashkët” për të ardhmen e Gazës.

Duke iu bërë jehonë fjalëve të Trumpit, Netanyahu tha se “dyert e ferrit do të hapen” nëse Hamas nuk i liron dhjetëra pengje të mbetura në Gazë, që ishin rrëmbyer gjatë sulmit të 7 tetorit 2023, i cili e shkaktoi luftën.

Këto deklarata erdhën vetëm dy javë para përfundimit të fazës së parë të armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit. Faza e dytë e armëpushimit, në të cilën Hamas duhet t’i lirojë dhjetëra pengje të mbetura në këmbim të shumë të burgosurve palestinezë dhe forcat izraelite të tërhiqen nga Gaza, ende nuk është negociuar.

Rubio tha se Hamas “nuk mund të vazhdojë si forcë ushtarake apo qeveritare”.

“Përderisa [Hamasi] vazhdon si forcë që mund të qeverisë, si forcë që mund të administrojë ose si forcë që mund të kërcënojë me përdorimin e dhunës, paqja është e pamundur”, tha Rubio.

“Ai [Hamasi] duhet të shfaroset”, shtoi ai.

Kjo mund t’i ndërlikojë përpjekjet për vazhdimin e bisedimeve me Hamasin, i cili – me gjithë humbjet e pësuara – vazhdon ta kontrollojë Gazën.

Netanyahu ka shfaqur gatishmëri për ta rinisur luftën pas fazës së tanishme dhe i ka ofruar Hamasit mundësi për t’u dorëzuar dhe për t’i dërguar liderët e tij të lartë në mërgim. Hamas e e ka hedhur poshtë këtë.

Ndërkohë, në një intervistë për radio javën e kaluar, Rubio tha se propozimi i Trump ishte pjesërisht i destinuar për të ushtruar trysni mbi shtetet arabe për të propozuar një plan që do të ishte i pranueshëm për Izraelin, sipas të cilit Hamasi nuk mund të ketë rol në Gazë.

Ai gjithashtu duket se sugjeroi se shtetet arabe duhet të dërgojnë trupa për të luftuar kundër Hamasit.

“Nëse dikush ka një plan më të mirë, dhe shpresojmë që ata ta kenë, nëse shtetet arabe kanë një plan më të mirë, atëherë shumë është”, tha Rubio të enjten.

Por, “Hamas ka armë”, shtoi ai. “Dikush duhet të përballet me ta. Nuk do të jenë ushtarët amerikanë. Dhe nëse shtetet në rajon nuk mund ta zgjidhin këtë pjesë, atëherë Izraeli do të duhet ta bëjë dhe pastaj do të kthehemi aty ku ishim”.

Rubio nuk pritet të takohet me asnjë palestinez gjatë turneut të tij.

Për liderët arabë, lehtësimi i shpërnguljes masive të palestinezëve ose luftimi i luftëtarëve palestinezë në emër të Izraelit janë të dyja skenarë makthi. Për secilin prej tyre ata do të përballeshin me kritika të ashpra brenda vendit dhe mund ta destabilizojnë një rajon tashmë të paqëndrueshëm.

Egjipti thotë se do të jetë nikoqir i një samiti arab më 27 shkurt dhe po punon me shtetet e tjera për një kundërpropozim që do të lejonte rindërtimin e Gazës pa zhvendosjen e popullsisë së saj.

Grupet për të drejtat e njeriut thonë se shpërngulja e palestinezëve do të ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar./ REL

 

Video

Dy fëmijë janë filmuar duke luajtur volejboll në një fushë të improvizuar mes rrënojave në Gaza. Me shkolla, parqe dhe hapësira lojërash të dëmtuara ose të shkatërruara nga bombardimet izraelite, fëmijët po i kthejnë hapësirat mes rrënojave në vende ku mund të luajnë. Pamjet tregojnë kontrastin mes shkatërrimit të luftës dhe përpjekjes së fëmijëve për të gjetur momente normaliteti dhe gëzimi në një realitet të vështirë.

14 shtator 1998. Ceremonia mortore e Azem Hajdarit dhe ajo që ndodhi më pas… VideoCredits: FM Images Albania

Një avion privat që transportonte këngëtarin brazilian Rey Vaqueiro dhe pjesëtarë të ekipit të tij doli nga pista dhe u përfshi nga flakët gjatë uljes në Parelhas, në shtetin Rio Grande do Norte të Brazilit. Në bordin e avionit ndodheshin tetë persona, gjashtë pasagjerë dhe dy anëtarë të ekuipazhit. Të gjithë arritën të largoheshin nga avioni pas aksidentit dhe u dërguan në spitalin e Parelhas për kontroll mjekësor. Autoritetet nuk raportuan të lënduar rëndë. Sipas zjarrfikësve, avioni doli përtej kufirit të pistës gjatë uljes dhe më pas u përfshi nga zjarri. Kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, dy turbinat ishin ende në flakë. Operacioni për shuarjen e plotë të zjarrit dhe ftohjen e turbinave zgjati rreth pesë orë.

Dy fëmijë janë filmuar duke luajtur volejboll në një fushë të improvizuar mes rrënojave në Gaza. Me shkolla, parqe dhe hapësira lojërash të dëmtuara ose të shkatërruara nga bombardimet izraelite, fëmijët po i kthejnë hapësirat mes rrënojave në vende ku mund të luajnë. Pamjet tregojnë kontrastin mes shkatërrimit të luftës dhe përpjekjes së fëmijëve për të gjetur momente normaliteti dhe gëzimi në një realitet të vështirë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme