Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar të martën se nuk po zhvillohen dhe nuk janë planifikuar bisedime me Iranin, duke hedhur poshtë çdo mundësi për kontakte të reja diplomatike në këtë fazë.
“Nuk po zhvillohen dhe nuk janë planifikuar bisedime apo kontakte me Republikën Islamike të Iranit”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Trump deklaroi gjithashtu se bllokada detare amerikane mbetet në fuqi, ndërsa pretendoi se Ngushtica e Hormuzit është e hapur dhe funksionale dhe se të gjitha minat detare janë hequr ose neutralizuar.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një moment tensioni të lartë mes Washingtonit dhe Teheranit, ndërsa qëndrimet e dy palëve për statusin e Ngushticës së Hormuzit mbeten diametralisht të kundërta. Reuters raportoi se ndërsa Trump e konsideron ngushticën të hapur, negociatori iranian Mohammad Baqer Qalibaf ka deklaruar se ajo do të mbetet e mbyllur derisa SHBA-ja të përmbushë kushtet e Teheranit.






















