Kronika 7 June 2026, 10:47 Nga VNA

Tragjedia në Maliq, ish-efektivi: operacione me rrezik dhe pa mbështetje

Ndaje në Whatsapp
Tragjedia në Maliq, ish-efektivi: operacione me rrezik dhe pa

Aldi Bylyku, ish-efektiv i Policisë së Shtetit, reagon ashpër dhe me akuza të forta pas ngjarjes në Maliq ku u vra polici Enea Mekolli dhe u plagos një tjetër gjatë një aksioni për kapjen e të shumëkërkuarit Violand Braçellari.

Reagimi i plotë

Një tragjedi që pritej…

Duke marrë shkas nga ngjarja e fundit në Maliq, po ju marr disa minuta kohë për t’ju treguar se si funksionon një pjesë e anës së errët të sistemit policor.

Nuk po ju flas si një qytetar që jep thjesht një mendim, por si një ish-oficer policie që ka marrë pjesë disa herë në operacionet për kapjen e Violand Braçellarit. Lidhur me ngjarjen konkrete nuk mund të flas për rrethanat e saj, sepse nuk di konkretisht si ka ndodhur dhe s’dua të merrem me fjalë portalesh, por mund të tregoj atë që kam përjetuar vetë gjatë viteve të shërbimit.

Po e shkruaj këtë për të përfaqësuar shumë efektivë policie që nuk kanë mundësi të flasin publikisht për problemet, streset, rreziqet dhe presionet që përballojnë çdo ditë.

Kam shërbyer në Komisariatin e Maliqit nga viti 2017 deri në vitin 2021 dhe kam marrë pjesë në disa operacione për kapjen e këtij personi. Në shumicën e rasteve, grupet e kontrollit përbëheshin nga 5–7 punonjës policie, shpesh pa mjete të mjaftueshme mbrojtëse (antiplumb).

Ndërhyrjet me mbështetjen e FNSH-së apo RENEA-s ishin të rralla. Pjesa më e madhe e operacioneve kryhej nga efektivët e Komisariatit Maliq, ndonjë agjent i Drejtorisë Vendore dhe punonjës të Forcës “Shqiponja”. Informacionet për rrezikshmërinë ishin të pafundme dhe të gjithë e dinim rrezikshmërinë e personit që kërkonim, por urdhrat ishin të prerë: “duhej të shkonim në kontroll”. (Duhej të luanim me vdekjen).

Shpesh grupi përbëhej nga vetëm një ose dy efektivë që mbanin armë automatike, ndërsa pjesa tjetër me pistoleta. Madje ka pasur raste kur gjatë lëvizjeve në terren merrnim shkopinj të improvizuar për t’u mbrojtur nga qentë, pasi udhëzimet ishin që të shmangej përdorimi i armëve edhe në situata të tilla.

Një nga arsyet pse operacionet zhvilloheshin me kaq pak forca ishte edhe mungesa e mjeteve logjistike, sepse kishte mungesë nafte dhe jepej me limit, ndërsa makinat e drejtuesve kishin punë me rëndësi. Shpesh përdorej vetëm një automjet që edhe mund t’i mungonin frenat. Kur kishim dy makina dhe bëheshin 9–10 policë, e konsideronim veten me fat. (Dronat as nuk mund të imagjinoheshin).

Po jap vetëm një shembull.

Një ditë, bashkë me katër kolegë, konstatuam disa bimë kanabisi në një përrua. Njoftuam eprorët dhe urdhri ishte të qëndronim aty deri në mbrëmje, me shpresën se do të vinte personi që i kultivonte (pritej Violandi). Ishte një urdhër vetëm me gojë dhe të gjithë e dinim se rreziku ishte i madh. Ndodh pafundësisht në polici që urdhrat nuk shkruhen, se ata janë aq të aftë dhe “magjistarë” sa nuk lënë gjurmë për përgjegjësit e tyre.

Disa ditë kemi bërë shërbim aty, gjithsej dy grupe me 4–5 policë. Mbaj mend se kolegu im i zyrës sapo ishte bërë baba me një vajzë dhe duhej të ishte aty sepse mbante përgjegjësi, sepse mbulonte atë zonë. Sot, kur e kujtoj atë situatë, e kuptoj se fati na ka ndihmuar shumë.

Mbaj mend gjithashtu një rast kur në zonë erdhi një nga automjetet e reja Land Rover të Policisë. Në vend që të përdorej për të lehtësuar operacionin, u shmang futja në terren të vështirë nga frika e dëmtimeve dhe gërvishtjeve nga ferrat, se prishej bukuria e makinës dhe efektivët u detyruan të vazhdonin disa kilometra më shumë në këmbë.

Një rast tjetër ka qenë kur pas një operacioni janë kapur dy shokë të Violandit dhe unë, bashkë me kolegun tim, kemi marrë shpërblim nga drejtori i asaj kohe plot 10 litra naftë. Që kishim turp të shkonim t’i tërhiqnim në karburant.

Këto nuk janë histori që i kam dëgjuar, por janë situata që i kam përjetuar vetë dhe më vjen keq për veten dhe punonjësit e tjerë që jeta jonë vlente sa disa bimë kanabisi.

Prandaj, nëse kërkohet transparencë dhe përgjegjësi për ngjarjen e fundit, unë mendoj se duhen verifikuar disa çështje të kaluara dhe drejtuesi i Policisë të japë përgjigje transparente…

Për kontrollet që janë kryer ndër vite në banesat dhe ambientet e përdorura nga ky person.
Sa efektivë kanë marrë pjesë në këto operacione dhe me çfarë pajisjesh kanë shkuar???
Çfarë masash sigurie janë zbatuar realisht për mbrojtjen e tyre???
A janë pyetur ndonjëherë efektivët që kanë marrë pjesë në këto operacione për vështirësitë dhe rreziqet që kanë përballuar??
Pse Bashkia Maliq nuk ka marrë masa për prishjen e ndërtimeve të stanit të këtij personi, ndërsa për popullin e thjeshtë që bënte një mur pa leje duhet ta kryqëzonin????

Përgjigjet për këto pyetje gjenden në dosje dhe mbi të gjitha tek vetë punonjësit e policisë.

Ndoshta duhej dhimbja e një nëne dhe familje që shqiptarët të dëgjonin një pjesë të vogël të asaj që shumë efektivë policie kanë përjetuar prej vitesh në heshtje dhe vazhdojnë ta vuajnë nga drejtuesit e paaftë e të betuar të partisë.

Kam pasur mik dhe koleg Edison Mekollin, vëllain e Eneas, të cilin sëmundja e ligë e mori para kohe në kulmin e rinisë së tij dhe për të cilin Policia e Shtetit nuk e ndihmoi për ndonjë mjekim, thjesht e dorëzoi në fatin e tij të keq.

Gjithashtu kam pasur shok dhe koleg Enean me të cilin kam punuar në sektorin e qarkullimit, por çuditërisht e transferonin herë pas here drejtuesit pa ndonjë arsye konkrete.
I qoftë dheu i lehtë miqve të mi!

Gjithsesi po mundohem mos e zgjas shumë, se fjalët për historitë e errëta dhe sakrificat e punonjësve të policisë nuk kanë të mbaruar, se ka pafundësisht për të treguar. Nuk mund të pretendoj se fjalët e mia do dëgjohen nga Drejtori i Policisë së Shtetit Shqiptar apo dikush tjetër me pozita të larta që mund të bëjë diçka ndryshe, sepse kurrë nuk ndodh kjo, por nuk mund të rri dot në heshtje për padrejtësitë që i janë bërë kolegëve të mi, të cilat janë më shumë sesa imagjinata e njerëzve.

Edhe njëherë ngushëllime familjes së Eneas dhe shërim të shpejtë Edison Adrit! ?

Respekt dhe mirënjohje për çdo punonjës policie, të cilët janë heronjtë e padukshëm dhe të heshtur të popullit shqiptar.

Zoti i bekoftë!

PERSONALISHT MENDOJ SE DUHET NJË NDRYSHIM RADIKAL NË RREGULLOREN DHE LIGJIN E POLICISË SË SHTETIT SHQIPTAR.

Shënim: Jam i gatshëm të diskutoj publikisht për përvojën time dhe të përballem me këdo nga drejtuesit që kanë qenë në Korçë dhe mund të kenë pretendime se këto gjëra nuk kanë ndodhur, gjithashtu jam i gatshëm të jap më tepër informacion nëse më kërkohet nga institucionet përkatëse.

Ëndrra ime e trashëguar nga babai dhe gjyshi ka qenë të jem oficer policie, por… në Shqipëri ëndrrat ngelen në mes….

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme