Një situatë e rëndë dhe alarmante është regjistruar mbrëmjen e kaluar në Urgjencën e Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza, e cila ka mbetur pa energji elektrike për mbi 30 minuta, duke krijuar tension, panik dhe frikë reale për jetën e pacientëve, veçanërisht në shërbimin e reanimacionit.
Sipas burimeve nga brenda spitalit, ndërprerja e energjisë ka qenë e plotë dhe gjeneratori rezervë nuk ka funksionuar, duke e lënë për minuta të tëra urgjencën dhe shërbimet jetike në kushte kritike. Pacientë, familjarë dhe staf mjekësor kanë përjetuar momente ankthi, ndërsa aparaturat që mbajnë në jetë pacientët janë vënë në rrezik.
Energjia elektrike është rikthyer vetëm pas rreth 30 minutash, por ajo që ka pasuar ka qenë një deklaratë zyrtare nga QSUT që bie ndesh drejtpërdrejt me realitetin e përjetuar në terren.
Në reagimin e saj, Ministria e Shëndetësisë pretendon se ndërprerja ka ardhur si pasojë e një defekti në linjën e furnizimit me energji elektrike të tensionit të lartë që furnizon Godinën A2 dhe se falë aktivizimit të menjëhershëm të sistemeve rezervë, UPS-ve dhe gjeneratorëve, aparaturat mjekësore jetike kanë vijuar të funksionojnë normalisht, pa u cenuar në asnjë moment jeta e pacientëve.
Deklarata shkon edhe më tej, duke siguruar qytetarët se situata është menaxhuar me përgjegjësi dhe profesionalizëm, ndërsa ekipet mjekësore, teknike dhe drejtuese kanë qenë në gatishmëri të plotë dhe kanë vepruar sipas protokolleve të sigurisë.
Por vetë deklarata zyrtare rrëzohet nga një fakt i thjeshtë dhe i pamohueshëm: QSUT ka ngritur menjëherë një grup pune për verifikimin e situatës.
Nëse çdo gjë ka funksionuar “normalisht”, nëse gjeneratorët janë aktivizuar pa probleme dhe nëse jeta e pacientëve nuk është vënë në rrezik, atëherë përse është e nevojshme ngritja e një grupi pune urgjent?
Ngritja e një strukture verifikimi nuk bëhet për situata të menaxhuara në mënyrë perfekte, por për dështime, mangësi apo rrezik real. Ky veprim është, në vetvete, një pranim indirekt se diçka ka shkuar keq dhe se versioni zyrtar nuk përputhet me atë që ndodhi realisht në Urgjencë.
Heshtja për mosfunksionimin e gjeneratorit, minimizimi i një ndërprerjeje energjie në një nga shërbimet më kritike të vendit dhe përpjekja për ta paraqitur situatën si rutinë, ngre pikëpyetje serioze mbi sigurinë reale të pacientëve dhe mbi transparencën e drejtuesve të sistemit shëndetësor.
Një urgjencë spitalore pa energji elektrike për mbi 30 minuta nuk është “ndërprerje e përkohshme”. Është alarm. Dhe alarmi nuk fshihet me deklarata standarde.






















