
Me reformën territoriale të vitit 2014, bashkitë morën kompetenca të reja për administrimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së kullimit në territorin e tyre.
Sakaq qeveria mbajti të drejtat mbi kolektorët e mëdhenj, veprat hidroteknike strategjike dhe stacionet e mëdha të pompimit, si dhe mbi politikat kombëtare të mbrojtjes nga përmbytjet.
Sipas ligjit për Pushtetin Lokal, bashkitë kanë përgjegjësinë direkte për administrimin dhe mirëmbajtjen e kanaleve të kullimit, pra atyre kanaleve që ndodhen brenda territorit të bashkisë dhe që shërbejnë drejtpërdrejt për mbrojtjen e tokave bujqësore, serave dhe zonave të banuara nga përmbytjet.
Përgjegjësitë e bashkive lidhen me pastrimin periodik të kanaleve, heqjen e inerteve, riparimet e vogla dhe ndërhyrjet emergjente në raste reshjesh intensive.
Bashkitë kanë gjithashtu detyrimin të planifikojnë dhe financojnë këto ndërhyrje nga buxhetet e tyre, si dhe të reagojnë të parat në terren kur uji del nga shtrati. Pushteti vendor është hallka që përballet drejtpërdrejt me pasojat, me fermerët dhe me dëmet konkrete.
Pushteti qendror, nga ana tjetër, mban kompetencën mbi kanalet kryesore të kullimit, kolektorët e mëdhenj, veprat hidroteknike strategjike dhe stacionet e mëdha të pompimit, si dhe mbi politikat kombëtare të mbrojtjes nga përmbytjet.
Përmes Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe strukturave të saj vartëse, ai planifikon investimet e mëdha, financon rehabilitimin e infrastrukturës kryesore dhe merr vendime strategjike për menaxhimin e prurjeve ujore në shkallë rajonale ose kombëtare.
Dublimi i kompetencave shfaqet pikërisht në pikën ku kanali kryesor lidhet me kanalin lokal. Ekspertët shpjegojnë se në terren funksionimi i njërit kushtëzon drejtpërdrejt tjetrin. Kur kanali kryesor nuk pastrohet ose nuk ka kapacitet të mjaftueshëm, ai mbingarkon kanalet lokale, të cilat janë përgjegjësi e bashkive.
Bashkitë përballen me përmbytjet, por nuk kanë kompetencë të ndërhyjnë në veprën që e shkakton problemin. Nga ana tjetër, pushteti qendror shpesh ndërhyn në kanalet kryesore pa një koordinim të plotë me mirëmbajtjen lokale, duke krijuar një zinxhir të ndërprerë funksional, shpjeguan ekspertët.
Dublimi bëhet më i dukshëm në situata emergjente. Vendimet për hapjen e portave të digave apo menaxhimin e prurjeve merren nga pushteti qendror, ndërsa pasojat i përballojnë bashkitë.
Një tjetër formë dublimi lidhet me strukturat administrative. Pushteti qendror, përmes Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe agjencive të saj, ushtron mbikëqyrje dhe kontroll teknik, ndërsa bashkitë kryejnë monitorim në terren përmes strukturave të tyre. Në vend që këto nivele të plotësojnë njëra-tjetrën, shpesh prodhojnë raporte paralele dhe reagime të vonuara.
Ky dublim kompetencash ndikon drejtpërdrejt në punën në terren, ndërsa përgjegjësia institucionale shpërndahet mes niveleve të qeverisjes.
Në raste përmbytjesh, vendimmarrja është qendrore, reagimi është lokal dhe fatura ekonomike dhe sociale bie mbi komunitetet. Ky fragmentim është arsyeja pse përmbytjet shpesh trajtohen si ngjarje natyrore, ndërkohë që pas tyre fshihet një dështimi i institucioneve, shpjegojnë ekspertët./Monitor.al/






















