
Strehimi po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një nga sfidat më kritike ekonomike dhe sociale në Europë. Sipas Raportit të Investimeve 2024/2025 të Bankës Evropiane për Investimet (BEI), rritja e vazhdueshme e çmimeve të banesave dhe qirave gjatë dekadës së fundit ka prekur në mënyrë disproporcionale grupe të caktuara të popullsisë, veçanërisht të rinjtë, familjet me të ardhura të ulëta dhe personat që zhvendosen drejt qyteteve për punë ose studime.
Në qytetet me rritje të shpejtë dhe destinacionet turistike, presioni është edhe më i fortë. Qytete si Dublini dhe Lisbona kanë regjistruar rritje të çmimeve të banesave nga 50% deri në 100%, ritme që tejkalojnë ndjeshëm rritjen e pagave lokale, duke e bërë strehimin të papërballueshëm për një pjesë të madhe të popullsisë aktive.
Presion i shtuar në vitet në vijim
Parashikimet për ofertën dhe kërkesën tregojnë se presioni mbi tregun e strehimit pritet të rritet më tej, pasi popullsia vazhdon të zhvendoset nga zonat rurale drejt qyteteve, ndërkohë që madhësia mesatare e familjeve po zvogëlohet. Kostot në rritje të ndërtimit, normat e larta të interesit dhe mungesa kronike e inovacionit dhe investimeve në sektorin e ndërtimit kanë kontribuar drejtpërdrejt në shtrenjtimin e banesave.
Këto zhvillime godasin më fort grupet më vulnerabël: familjet me të ardhura të ulëta, studentët, si edhe punëtorët sezonalë apo ata të shërbimeve thelbësore, të cilët shpesh nuk arrijnë të gjejnë strehim cilësor me çmime tregu.
Strehimi dhe tregu i punës: një lidhje kyçe
BEI thekson se qasja në strehim të përballueshëm dhe cilësor është thelbësore për pjesëmarrjen në tregun e punës dhe për adresimin e mungesave rajonale të fuqisë punëtore. Në zonat me rritje të shpejtë ekonomike, mungesa e banesave të përballueshme pengon zhvendosjen e punëtorëve, veçanërisht të rinjve, duke kufizuar shpërndarjen efikase të fuqisë punëtore.
Një treg dinamik strehimi do t’u mundësonte punëtorëve të lëvizin aty ku janë më produktivë dhe ku pagat janë më të larta. Në të kundërt, kur kompanitë detyrohen të rrisin pagat për të kompensuar kostot e larta të strehimit, rriten shpenzimet e punës dhe dëmtohet konkurrueshmëria e tyre.
Në plan makroekonomik, një ofertë fleksibël e strehimit mund të përkthehet në rritje më të lartë të PBB-së dhe produktivitetit, si edhe në ulje të pabarazive të pagave dhe pasurisë.
Pasoja afatgjata për grupet vulnerabël
Raporti nënvizon se edhe vështirësitë e përkohshme në strehim mund të kenë pasoja afatgjata në aksesin në tregun e punës. Më konkretisht, individët që kanë përjetuar vështirësi strehimi kanë norma dukshëm më të larta papunësie krahasuar me ata që nuk kanë pasur kurrë probleme me strehimin dhe ky efekt vazhdon edhe pesë vite më vonë, pavarësisht nëse problemet kanë qenë financiare apo të lidhura me çështje familjare.
Një tjetër problem madhor lidhet me kostot e larta fillestare për rinovime energjetikisht efikase, të cilat janë shpesh të papërballueshme për familjet me të ardhura të ulëta dhe për pronarët e vegjël. Si pasojë, këto grupe nuk arrijnë të investojnë për të ulur faturat e energjisë, duke u futur në një rreth vicioz shpenzimesh të larta dhe kushte të dobëta jetese.
Studentët dhe e ardhmja e fuqisë punëtore
Kriza e strehimit po prek drejtpërdrejt edhe arsimin e lartë. Familjet kanë gjithnjë e më shumë vështirësi të mbështesin financiarisht të rinjtë që ndjekin universitetin, pasi kostot e strehimit përbëjnë një pjesë të madhe të shpenzimeve totale, veçanërisht për studentët që duhet të zhvendosen në qytete të shtrenjta. Pamundësia për t’u zhvendosur kufizon aksesin në arsim cilësor dhe mund të ketë pasoja afatgjata në zhvillimin profesional të studentëve, duke tkurrur më tej ofertën e fuqisë punëtore të kualifikuar për bizneset evropiane.
Situata në Shqipëri
Pavarësisht se raporti nuk e përmend drejtpërdrejt Shqipërinë, të dhënat tregojnë se presioni mbi strehimin po rritet ndjeshëm, duke u bërë një faktor që ndikon drejtpërdrejt në mobilitetin e punës dhe në mundësitë e arsimimit.
Të dhënat tregojnë se qiratë e banesave vazhdojnë të rriten, me çmimin mesatar të një apartamenti me një dhomë rreth 56 000 ALL në muaj në Tiranë dhe një gamë që arrin deri në 70 000 ALL e më shumë për banesa më të mira në zona kryesore të kryeqytetit, sipas tregut aktual të qirave.
Për më tepër, indeksi i çmimeve të qirave për strehim është rritur deri rreth 6.6 % në fund të vitit 2025, duke reflektuar rritje të kërkesës dhe presionin nga turizmi dhe migrimi urban. Nga ana tjetër, çmimet e banesave janë rritur deri mbi 40 % në 12 muajt e fundit dhe rreth 90–140 % në dekadë, sipas treguesve të tregut të pasurive të paluajtshme, duke tejkaluar shpejt rritjen e çmimeve të konsumit në pjesën tjetër të ekonomisë.
Në këtë kontekst, siç nënvizon edhe Banka Europiane për Investimet, mungesa e strehimit të përballueshëm, edhe nëse është e përkohshme, lidhet me norma të ulëta punësimi dhe kufizime të lëvizjes së punësimit, efekt që mund të reflektohet edhe në tregun shqiptar, ku të rinjtë dhe familjet me të ardhura më të ulëta përballen me pengesa në qasje në banesë dhe në mundësitë e zhvillimit profesional./ekofin.al






















