Sociale 18 Janar 2026, 11:13 Nga VNA

Mes rritjes dhe nënvlerësimit, rrugëtimi i verës vendase

Ndaje në Whatsapp
Mes rritjes dhe nënvlerësimit, rrugëtimi i verës vendase

Turizmi i viteve të fundit u ka dhënë një shtysë të dukshme kantinave të verës, por ky impuls mbetet ende larg potencialit real. Arsyeja kryesore, sipas prodhuesve, është një zinxhir mbështetës që nuk funksionon siç duhet.

Vera shqiptare vijon të përballet me paragjykim dhe shpesh mbetet jashtë menusë së bareve dhe restoranteve, të cilat favorizojnë etiketat e importuara. Ndërkohë, sjellja e konsumatorit po ndryshon dhe kostot janë në rritje të vazhdueshme.

Kantinat theksojnë se përballë këtij realiteti, investimet dhe masat nuk janë më zgjedhje, por domosdoshmëri.

Gjatë vitit 2025, panorama për verërat lokale mbeti pothuajse e pandryshuar krahasuar me një vit më parë, ndërsa sfidat janë shtuar.

Turizmi, si një nga motorët kryesorë të rritjes, i ka tërhequr kantinat një hap përpara, por sërish jo në masën që lejon potenciali real i këtij zinxhiri nëse do të ishte i mirëkoordinuar. Edhe gjatë këtij viti, ky sektor pritet të shtrijë efektin e tij te kantinat vendase të verës, ku më shumë e ku më pak.

Interesi i të huajve për produktet lokale është real dhe vera shqiptare nuk bën përjashtim. Ajo që e frenon përhapjen e saj është “lufta” me importet.

Për shumë biznese, kjo është thjesht një llogari fitimi: zgjidhen produktet që shiten më lehtë dhe që perceptohen si “më të mira” vetëm sepse janë të importuara.

Kantinat shqiptare e kundërshtojnë këtë, duke theksuar se vera vendase, për të njëjtën kategori, ofron cilësi të barabartë ose më të lartë se importi.

Por në një treg me konkurrencë të fortë globale, vera shqiptare vijon të luhatet mes një rritjeje të vështirë, sfidash e paragjykimi që do ta shoqërojnë edhe këtë vit.

Për të forcuar kantinat, subjektet po tentojnë të bashkojnë forcat me agroturizmin duke i ndërthurur këto aktivitete, diçka që duket se jep qëndrueshmëri më të madhe.

Pritshmëritë: 365 ditë të reja mes sfidave të vjetra, turizmi si nxitës

Kantinat e verës janë të vetëdijshme se paragjykimi për markën shqiptare nuk do të mund të shuhet brenda një viti, pavarësisht punës për ndërgjegjësim apo marketimit të etiketave vendase.

Kjo sfidë do të vijojë që t’i shoqërojë ato edhe këtë vit, ashtu si shumë të tjera.

Prodhimi i bollshëm i rrushit cilësor gjatë viteve të fundit dhe pritshmëria se turizmi do të nxiste konsumin i ka bërë ato që ndër vite të prodhojnë vrullshëm.

“Në aspektin cilësor, këtë vit, prodhimi i verës duket se do të premtojë një standard të lartë cilësie, identifikuar kjo jo vetëm nga rezultatet e analizës së rrushit para procesit të vjeljes, por edhe nga analizat që i bëhen vazhdimisht gjatë proceseve të trajtimit të saj si ai i fermentimit.

Këtë e lidh specifikisht me analizat e kloneve autoktone të rrushit, të cilat jo vetëm që nuk prodhohen në sasi të larta, por rriten si të thuash ‘në shtëpinë tyre’, ndryshe nga kultivarët ndërkombëtarë, të cilët duhen trajtuar për t’ju përshtatur terrenit ku rriten.

Në aspektin sasior, ky vit ka qenë bujar për prodhuesit vendas, duke sjellë në treg më shumë prodhim ‘Made in Albania’, por në termat e përqindjes, jemi herët për të zbuluar shifra dhe do të duhet të presim ende që të zbulojmë deklarimet e sasive të prodhimit nga çdo subjekt prodhues”, shprehet Rigers Kaçorri nga Kantina “Arbëri”.

Turizmi, sipas tij, është një lokomotivë e rëndësishme e konsumit të kantinave, diçka që është reflektuar vit pas viti, madje edhe gjatë 2025-s që lamë pas.

“Kantina jonë ka pritur vizitorë nga kombësi të ndryshme gjatë gjithë vitit 2025 dhe në periudha të caktuara si p.sh. në sezonin veror, ky numër ka qenë i lartë.

Pavarësisht se ka edhe grupe turistësh që futen te profili i turistit me shpenzime të reduktuara, do të thosha që çdo turist i huaj e provon gjithmonë një produkt të vendit, qoftë kjo pije e verës apo çdo gjë tjetër që mban origjinën e prodhimit në Shqipëri. Mendoj se ‘Konsumatori Turist’, le ta quajmë

kështu, luan rol të rëndësishëm në rritjen e kërkesës nga ana e restoranteve apo dyqaneve të verës për produktet e vendit dhe si rrjedhojë, kjo sjell edhe rritjen e konsumit të produkteve shqiptare nga konsumatori fundor” nënvizon ai.

Por teksa prodhimi i kantinave ka qenë i nxitur nga turizmi, pjesa që merr importi “ndrydh” prodhimin vendas duke krijuar një qasje më të rezervuar në prodhim nga ana e kantinave.

“Prodhimi i verës ka qenë mirë. Jemi të kënaqur me cilësinë e rrushit por këtë vit kemi prodhuar më pak.

Gjatë 2018 deri në 2021, ne merrnim nga familjet që bashkëpunonim 100 tonë rrush. Këtë vit kemi marrë vetëm 15 tonë, sepse kantina është plot ngaqë verën e vendit e mbyt importi.

Ndiej keqardhje vetëm që s’mund të ndihmojmë më shumë ato 200 familje me të cilat kemi bashkëpunuar ndër vite sepse nuk po funksionon zinxhiri.

Kështu po detyrohemi të braktisim familjet me vreshta që në kushtet kur s’kanë treg detyrohen ose të prodhojnë raki ose ta shesin me çmim shumë të ulët”, shprehet Flori Uka, nga “Uka Farm”.

Lidhur me pritshmëritë për këtë vit, ai pohon se për sipërmarrjen e tij pret që puna të vijojë njëlloj, edhe si efekt i emrit të markës dhe faktit që së pari mbizotëron agroturizmi dhe më pas prodhimi i verës, por lidhur me industrinë e verës në vetvete rritja është bërë më e vështirë.

“Nuk jam pesimist për turizmin, mendoj se Shqipërinë do të vijojnë ta vizitojnë të huajt, sepse kemi kompani që sjellin turistë me kontrata dhe kjo është një lloj garancie. Duhet të reflektojmë që ata që vijnë të kenë një përvojë pozitive dhe të duan të kthehen apo të flasin mirë.

Agroturizmi është një nga ato pikat që pëlqehet më shumë sepse sjell identitet dhe për këtë ka kureshtje, ama kjo duhet të nxitet” nënvizon ai. / Monitor

Video

Shqipëria do ndryshojë kur të duam më shumë babën se kryetarin e partisë. Kushdo qoftë kryetari e cilado të jetë partia

Pas përfundimit të protestës, protestuesit kanë hedhur miell drejt Kryeministrisë. Në këtë moment, mbështetësit e “Shqipëria Bëhet” kanë identifikuar një person si të “infiltruar” mes tyre dhe për disa momente ka pasur përplasje me forcat e rendit. Situata është qetësuar disa minuta më vonë.

"Shqipëria Bëhet" protestë para kryeministrisë. Kërkohet dorëheqja e Edi Ramës. Me thirrjet “Edi Rama frikacak” dhe “Dorëheqje”, iu drejtuan kryeministrisë.

Pak momente më parë në lagjen 10 Korriku në Vlorë një mjet i rëndë i llojit skrep, i angazhuar në pastrimin e kanalit të Siavit, është përfshirë nga flakët gjatë punës. Sipas informacioneve paraprake, mjeti ka pësuar mbinxehje dhe më pas ka marrë flakë. Deri më tani nuk ka raportime për të lënduar.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme