Sociale 24 Shkurt 2026, 19:01 Nga VNA

Paradoksi i zhvillimit të qendrës së Tiranës: Shumë ndërtime, pak banorë

Ndaje në Whatsapp

Paradoksi i zhvillimit të qendrës së Tiranës: Shumë

Prej më shumë se një dekade në Tiranë ndërtohet me ritëm shumë të lartë. Qyteti është kthyer në një kantier të përhershëm me miliona metra katrorë të rinj çdo vit.

Kullat shumëkatëshe dhe komplekset rezidenciale kanë ndryshuar fizionominë e kryeqytetit, ndërsa ndërtimi është bërë një nga motorët kryesorë të ekonomisë lokale.

Por përtej këtij zhvillimi, të dhënat e censit 2023 tregojnë një realitet më kompleks. Popullsia brenda bashkisë Tiranë ka rënë me rreth 30 mijë persona, duke ngritur pyetjen: për kë dhe për çfarë ndërtohet në këtë zonë?

Vetëm 8% e qarkut jeton në banesa të reja

Sipas Censit 2023, qarku Tiranë, ku përfshihen bashkia Tiranë, Kamëz, Vorë, Kavajë dhe Rrogozhinë, ka 321,821 njësi banimi, nga të cilat 85,475 janë bosh.

Pjesën më të madhe të banesave bosh e ka Tirana me 52,871 të tilla, më pas Kavaja me 21,765, Kamza me 4,151, Rrogozhina me 4,872 dhe Vora me 1,798 banesa bosh.

Nga totali prej 236,364 njësish të banuara në rang qarku, pjesa më e madhe e apartamenteve dhe shtëpive ku jetohet janë ndërtuar në periudhën 1981-2010. Në njësitë e ndërtuara pas vitit 2016 jetojnë vetëm 18,474 banorë, ose rreth 7.8% e totalit.

Për ekspertin e ekonomisë Pano Soko kjo shpjegohet me çmimet e larta të ndërtimit të ri, që e mbajnë të papërballueshëm për pjesën më të madhe të popullsisë.

“Çmimet e larta kanë shërbyer si një seleksionues natyror, ku shumica kanë mbetur jashtë”, thotë Soko.

Paradoksi i zhvillimit të qendrës së Tiranës: Shumë

Censi i vitit 2023 përveç numrit të banesave të banuara dhe bosh jep edhe vjetërsinë e ndërtesave, por Instituti i Statistikave e ka publikuar këtë informacion vetëm në nivel qarku.

Citizens.al i kërkoi INSTAT-it të dhëna në nivel bashkie dhe njësie administrative, por pas komunikimeve me institutin dhe Komisionerin për të Drejtën e Informimit, na u tha se të dhënat janë ende në përpunim dhe se do të na vihen në dispozicion vetëm pasi ky proces do të ketë përfunduar.

Kërkuam gjithashtu informacion mbi vendndodhjen dhe periudhën e ndërtimit të banesave bosh, por edhe ky informacion nuk u vu në dispozicion me të njëjtin argument.

Censi rrëzoi propagandën

Në dekadën e fundit në Tiranë janë miratuar rreth 10 milionë metra katrorë ndërtim, duke e kthyer kryeqytetin në një kantier të madh dhe ekonominë e saj të varur nga industria e ndërtimit.

Në vitin 2015, pak para se të zgjidhej kryetar bashkie, Erion Veliaj deklaronte si ambicie personale:

“Nuk kam ndërmend të hyj në histori si një njeri që dha pallate; dua të mbahem mend si një njeri që punoi për ta kthyer qytetin në normalitet dhe si njeri që ndërtoi më shumë parqe sesa pallate.”

Por sot, shifrat janë kokëforte, kantiere ndërtimi hapen thuajse çdo ditë në çdo njësi administrative të Tiranës, duke ngritur pikëpyetje mbi nevojën reale të këtij ritmi ndërtimi.

Argumenti i kryetarit të Bashkisë – i cili prej shkurtit 2025 ndodhet në paraburgim si i pandehur për korrupsion dhe pastrim parash – ka qenë se Tirana shtohej me 20-25 mijë banorë çdo vit dhe se ndërtimi ishte i domosdoshëm për të frenuar rritjen e çmimeve.

Në kulmin e këtij debati, në vitin 2023, Veliaj do të shprehej se lejet jepeshin bazuar mbi kërkesat e tregut.

“Numri i metrave katrorë të ndërtuara në Tiranë, përputhet proporcionalisht me numrin e rritjes së banorëve të Tiranës,” theksonte Veliaj, “Ka kërkesë, por ka edhe ofertë, të dyja duhet të ecin paralelisht.”

“Tiranës nuk i vëmë dot traun për këta 20-25 mijë qytetarë që na bashkohen çdo vit, as s’e ndajmë dot në vendas dhe të ardhur, sepse ajo është gjuhë raciste e viteve ’90 që nuk duhet të ekzsitojë më,” shprehej Veliaj për idenë e “një qyteti të mirë për të gjithë.”

Por paradoksalisht çmimet e banesave janë rritur pavarësisht rritjes së sipërfaqes së dhënë për ndërtim.

Sipas Pano Sokos, prirja nuk lidhet më me nevojat e tregut, por me ekonominë informale:

“Pastrimi i parave e la kërkesën natyrore për apartamente të qytetarëve të paplotësuar, jo për shkak të mungesës së ofertës, por për shkak të çmimeve të larta,” thotë ai.

Sa banorë shtohen dhe sa apartamente ndërtohen

Deklaratat e kryebashkiakut Veliaj për flukset e zhvendosjeve rezidenciale në Tiranë me nga 20-25 mijë qytetarë, ndodhnin në një kohë kur nuk kishte të dhëna të pavarura.

INSTAT-i botoi të dhënat e censit vetëm në vitin 2023. Këto të dhëna krahasuar me vitin 2011 tregojnë se popullsia e bashkisë Tiranë është rritur me rreth 40 mijë banorë.

Kjo do të thotë një mesatare prej rreth 3,500 banorë në vit. Me një mesatare familjare, rreth 1,500 apartamente në vit do të mjaftonin për akomodimin e tyre – totali në 10 vite, rreth 15,000 apartamente.

Por për këtë periudhë nga censi rezulton se janë shtuar rreth 51,854 njësi banimi të reja. Prej tyre 38 mijë janë të banuara dhe rreth 13,800 bosh.

Kështu, në praktikë, për çdo banor të ri që i është shtuar Tiranës është ndërtuar diçka më shumë se një apartament.

Paradoksi i zhvillimit të qendrës së Tiranës: Shumë

Bie popullsia në qendër, rritet në periferi

Presioni më i madh i ndërtimit në kryeqytet është përqendruar në katër zona: Tirana brenda Unazës së Madhe, Kashari, Dajti dhe Farka.

Që nga viti 2011, Dajti është rritur me rreth 15 mijë banorë, Kashari me rreth 46 mijë dhe Farka me rreth 14 mijë banorë.

Kashari dhe Dajti konsiderohen si zonat periferike me çmime më të arsyeshme, ku zhvendosen familjet me të ardhura të mesme dhe të ulëta. Ndërsa Farka, përkundrazi, është kthyer në zonë elitare rezidenciale me vila dhe rezidenca luksoze.

Sipas Pano Sokos, qytetarët po shkojnë drejt periferisë për shkak të çmimeve dhe përpjekjes për të gjetur një jetë më të qetë në kryeqytet.

Por, ndërkohë, popullsia e Tiranës brenda zonës qendrore të saj – ish-bashkia e vjetër deri në reformën e vitit 2014, e njohur rëndomtë si vija e verdhë, – ka rënë me 29,172 banorë.

Pra, pikërisht në zonën ku po ndërtohen më shumë kulla, numri i banorëve po zvogëlohet.

Kjo ngre pyetjen thelbësore: kush po blen dhe për kë po ndërtohet në qendër kur zona është zbrazur me rreth 30 mijë qytetarë në 12 vitet e fundit?

“Ndërtimi në qendër duket se është vënë në funksion të pastrimit të parasë gri. Nuk ka më kërkesë natyrore për strehim; ka kërkesë për kthimin e parave ‘cash’ në beton sepse besojnë se janë më të sigurta ashtu,” thotë Soko./Citizens.al/

Video

Sot, Emina Çunmulaj dhe disa vullnetarë kanë shpërndarë pako ushqimore për familjet në nevojë. Në fshatin Drisht takuan një gjyshe me shpirt të madh, një nga ato zemra të pasura me mirësi që të prekin thellë. Shkojnë për të dhuruar pako me ushqime, por janë pikërisht këto familje që u falin zemrën dhe bukën që kanë përgatitur për vete. Nënat shqiptare – shembull i dashurisë, sakrificës dhe bujarisë.

Në një video të publikuar nga Edi Rama në rrjetin X shihet një rrugë fshati në Portugali, e dëmtuar nga moti i keq, me asfalt të çarë dhe pjesë të rrëshqitura anash. Pamjet kryeministir i shoqëron me një koment ironik, duke e përdorur rastin si krahasim për situatën në Shqipëri dhe për të relativizuar shembjen e aksit Korçë–Tiranë.

VNA ka siguruar videon e një të moshuari në korridoret e QSUT që paguan për kujdesin bazë. Jo sepse i kërkohet hapur, por sepse e di si funksionon realiteti. Dhe per fat të keq ky realitet vrastar nuk përputhet me propagandën.

Rruga e re Palasë–Dhërmi është mbuluar nga balta dhe inertet e kamionëve të kantiereve private që operojnë në zonë, pasi nuk po respektohet detyrimi për pastrimin e gomave para daljes në rrugë publike. Situata krijon rrezik për aksidente, dëmton infrastrukturën dhe ndot mjedisin, ndërsa autoritetet përgjegjëse vendore dhe shtetërore nuk po reagojnë, pavarësisht se bëhet fjalë për një investim të ri me vlerë 1.5 miliardë lekë.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme