Një vendim i arsyetuar i Gjykatës Kushtetuese i siguruar nga VNA, tregon se si për motive të paqarta, dhe në shkelje të vendimi të Gjykatës Kushtetuese, qeveria shqiptare paketoi dhe i dorëzoi shërbimit sekret rus, shtetasin rus Igor Kokunov.
Estradimi emergjent ndodhi edhe pse Gjykata Kushtetuese kishte urdhëruar të mos dorëzohej tek rusët, dhe shpjegimi që qeveria i ka dhënë gjykatës, është se rusët kishin premtuar të mos e keqtrajtonin dhe do të lejonin ambasadën shqiptare ta vizitonte në qeli.
“Gjykata vlerësoi se gjykatat e zakonshme dështuan të kryenin një vlerësim të pavarur dhe rigoroz të rrezikut real që kërkuesi të keqtrajtohej në Rusi. Ato u mjaftuan me garanci të përgjithshme diplomatike, duke injoruar situatën e përkeqësuar të të drejtave të njeriut në Rusi pas daljes së saj nga KEDNJ-ja”,-thuhet në vendimin e Gjykatës të siguruar nga VNA.
Igor Kokunov është një shtetas rus, i kërkuar nga autoritetet ruse për lidhje me strukturat kriminale dhe organizata mafioze.
Kokunov u arrestua në pikën kufitare të Muriqanit, në gusht 2023, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet ruse dhe Interpol.
Autoritetet shqiptare e mbajtën nën arrest me qëllim ekstradimin drejt Rusisë.
Gjykatat shqiptare, përfshirë Gjykatën e Shkodrës, Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Lartë, vendosën për ekstradimin e tij në Rusi, duke refuzuar kundërshtimet e mbrojtjes së tij.
Në tetor 2024, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi të pezullojë përkohësisht procedurat e ekstradimit të Kokunov.
Megjithatë, pavarësisht këtij vendimi për pezullim, autoritetet shqiptare e ekstraduan. Procesi u krye pak para se ministria të merrte njoftimin zyrtar të vendimit të Kushtetueses.
“Gjykata hodhi poshtë argumentin e autoriteteve për "humbje të juridiksionit" në momentin e dorëzimit fizik. Ajo konstatoi se kërkuesi ishte ende në territorin shqiptar deri në orën 18:30 (kur u nis avioni) dhe autoritetet kishin kohë dhe mjete për të ndërprerë ekstradimin pas marrjes së vendimit të pezullimit në orën 17:45. Sjellja e autoriteteve u cilësua si shkelje e parimit të luajalitetit kushtetues”,-thuhet në vendimin e Gjykatës të siguruar nga VNA.
*DINAMIKA E GJYQIT NË KUSHTETUESE*
*Argumentet e Kërkuesit (Igor Kokunov)*
Kërkuesi pretendoi se ekstradimi i tij në Federatën Ruse ishte antikushtetues për disa arsye kryesore:
Mungesa e procesit të rregullt: Ai argumentoi se gjykatat e zakonshme nuk morën parasysh faktin se vepra penale për të cilën akuzohej në Rusi ("zënia e një pozicioni të lartë në hierarkinë penale") nuk ekziston në legjislacionin shqiptar, duke shkelur parimin e identitetit të normave.
Rreziku i trajtimit çnjerëzor: Kërkuesi u mbështet në raporte ndërkombëtare (si Amnesty International) që dokumentojnë torturën në burgjet ruse dhe faktin se Rusia është përjashtuar nga Këshilli i Evropës.
Gjendja shëndetësore: Ai pretendoi se vuan nga sëmundje të rënda kardiovaskulare që i rrezikojnë jetën në burgjet ruse, ku trajtimi i specializuar mungon.
Shkelja e urdhrit të pezullimit: Kërkuesi argumentoi se autoritetet e ekstraduan në fshehtësi, duke injoruar qëllimisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e procedurave.
E drejta për azil: Ai pretendoi se kërkesa e tij për azil duhej të kishte ndaluar ekstradimin deri në përfundimin e procedurave të mbrojtjes ndërkombëtare.
*Argumentet e Subjekteve të Interesuara*
Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme prapësuan se:
Ligjshmëria e procedurës: Kërkesa për ekstradim u nënshkrua nga autoriteti kompetent rus dhe rruga diplomatike ishte e rregullt.
Garancitë ruse: Autoritetet ruse dhanë garanci se kërkuesi nuk do të torturohej dhe se do të lejohej të vizitohej nga Ambasada Shqiptare.
Mosekzekutimi i pezullimit: Ata argumentuan se njoftimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi jashtë orarit zyrtar (ora 17:54) dhe pasi kërkuesi i ishte dorëzuar zyrtarisht palës ruse në aeroport (ora 16:45), duke bërë që shteti shqiptar të humbiste juridiksionin.
Shëndeti dhe Azili: Sipas tyre, kërkuesi nuk paraqiti prova se shëndeti i tij u përkeqësua në Shqipëri dhe se kërkesa për azil u përdor vetëm si mekanizëm për të bllokuar ekstradimin.
*Qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese*
Gjykata Kushtetuese vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën, duke konstatuar shkelje të rënda të të drejtave të kërkuesit:
Cenimi i nenit 25 (Trajtimi çnjerëzor dhe standardi i arsyetimit): Gjykata vlerësoi se gjykatat e zakonshme dështuan të kryenin një vlerësim të pavarur dhe rigoroz të rrezikut real që kërkuesi të keqtrajtohej në Rusi. Ato u mjaftuan me garanci të përgjithshme diplomatike, duke injoruar situatën e përkeqësuar të të drejtave të njeriut në Rusi pas daljes së saj nga KEDNJ-ja.
Cenimi i nenit 39 (Detyrimi për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës): Gjykata hodhi poshtë argumentin e autoriteteve për "humbje të juridiksionit" në momentin e dorëzimit fizik. Ajo konstatoi se kërkuesi ishte ende në territorin shqiptar deri në orën 18:30 (kur u nis avioni) dhe autoritetet kishin kohë dhe mjete për të ndërprerë ekstradimin pas marrjes së vendimit të pezullimit në orën 17:45. Sjellja e autoriteteve u cilësua si shkelje e parimit të luajalitetit kushtetues.
Rrëzimi i pretendimeve të tjera: Gjykata çmoi se interpretimi i gjykatave për identitetin e normave penale nuk ishte arbitrar. Lidhur me azilin, kërkesa u rrëzua sepse kërkuesi nuk kishte shteruar mjetet juridike administrative për të kundërshtuar refuzimin e regjistrimit të kërkesës së tij.
Përfundimi: Megjithëse konstatoi shkeljet, Gjykata vuri në dukje se shfuqizimi i vendimeve nuk prodhon më rezultat praktik pasi kërkuesi është ekstraduar tashmë, ndaj ajo u mjaftua me konstatimin e cenimit të të drejtave si një mjet për rivendosjen e dinjitetit dhe efektivitetit juridik






















