Sociale 3 August 2025, 14:06 Nga VNA

Ditët e shqiptarit": Gjakova feston kulturën shqiptare

Ndaje në Whatsapp

Ditët e shqiptarit": Gjakova feston kulturën shqiptare

Nga Ermal Hasimja


Në Çarshinë e Madhe të Gjakovës dita nis me qeflinjtë e kafes së mëngjesit, zakonisht çifte 40-50 vjeçarësh, të qeshur e të veshur bukur si për ditë feste. Javët e fundit një grup të rinjsh vullnetarë me xhinse e bluze të bardha u shpërndajnë vizitorëve të parë fletushkat me aktivitetet e festivalit “Ditët e shqiptarit”. 22 koncerte me emra si Jericho, Marigona, Offchestra, Elina Duni, Eda Zari, Blla Blla Blla, Eugen Bushpepa, panele diskutimi me figura si Ermonela Jaho, Kim Mehmeti, Lorik Cana, hedhjet e përhershme nga Ura e Fshajt mbi kanionin e Drinit, gatime tradicionale gjakovare kudo nëpër qytet, teatër rruge, festival pikturash me temë vendore, etj, etj. Festivali quhet ashtu pikërisht sepse feston kulturën shqiptare në të gjithë përmasat e saj.

 

Ditët e shqiptarit": Gjakova feston kulturën shqiptare


Pasditeve skena verore e “Ali Podrimes” mbushet ngadalë me publikun e ngeshëm. Zakonisht një prezantim dokumentari shoqëruar me diskutim me autorët e më pas një koncert i parë me muzikë qytetare nga gjithë trojet shqiptare. Në rrugicat e tjera kalon përmes ndonjë minikoncerti a shfaqjeje të improvizuar. Ndërkohë në mbrëmje një tjetër audiencë bëhet gati për koncertin tjetër të ditës. Ky i fundit zgjat deri në mesnatë.
Pastaj, kur turisti tiranas apo tetovar mendon se u krye ... fillon festa. Kafet e Çarshisë më të madhe shqiptare janë ende plot. Diku sigurisht po këndon live “Rilindja”, një grup simpatik 15-16 vjeçarësh që dijnë më tepër këngë të vjetra qytetare sesa ka në arkiv Radio Tirana. “Arshikët” do të ishin duke kënduar në ndonjë kafe tjetër si çdo fundjavë nëse nuk do të kishin humbur përpara disa ditësh anëtarin e tyre të dashur Shefik Pallaskën. Në kafe e muhabete të tjera këngëtarë e muzikantë të improvizuar nga rinia e qytetit lidhin këngët e vjetra njëra pas tjetrës. Në Gjakovë kënga është pjesë e rëndësishme e jetës. Secila nga familjet e mëdha të qytetit ka patjetër një ose disa muzikantë ose këngëtarë. Por këtu kënga nuk është privilegj. Këngëtari e muzikanti janë thjesht shkëndija që ndez zjarrin, sepse të gjithë këndojnë.


Festivali “Ditët e shqiptarit” nuk bëhet rastësisht në Gjakovë. Megjithëse i prerë dhunshëm nga Shqipëria në fillim të shekullit të shkuar, ky qytet e ka përkufizuar veten me autentiken shqiptare. Kushdo shqiptar tjetër që njeh mirë Gjakovën do të jetë ndjerë patjetër xheloz për dashurinë fanatike që gjakovarët kanë për qytetin e tyre dhe për cdo gjë shqiptare.
Kjo ishte edhe arsyeja përse Çarshia e Madhe e Gjakovës ishte e para që u dogj nga trupat e Milosheviçit me fillimin e bombardimeve të NATO-s. Por qytetin nuk e gjetën bosh. “Djemtë e asfaltit”, të rinjtë gjakovarë, shumica studentë, i dolën zot vendlindjes së tyre.
Qytetit iu deshën plot vite për të marrë veten nga lufta dhe njëfare pesimizmi i përforcuar me ndjesinë e lënies pas dore nga qeveritë e ndryshme të pasluftës. Por Gjakova po rigjen veten shpejt. Çarshia është restauruar. Objektet kulturore muzeale gjithashtu. “Ditët e shqiptarit” ndihmojnë për të gjallëruar qytetin pikërisht me atë që ai ka më autentike: shqiptarësinë e tij dhe dashurinë për traditat.

Ditët e shqiptarit": Gjakova feston kulturën shqiptare


Kushdo vizitor nga Tirana do të gjejë në Gjakovë shumëçka nga ajo që i mungon më shumë kryeqytetit tonë, arkitekturën e vjetër tradicionale me Çarshinë e Madhe dhe 18 kullat e zonës, një stil dhe filozofi jete që fokusohet tek marrëdhënia njerëzore e kënaqësitë e thjeshta të jetës, muzikën e vjetër qytetare pa shtesa tallavaje e turbofolku, gatimet tradicionale të përgatitura pothuajse në formë rituali, frymëmarrjen që jep Drini e Ereniku dhe hapja drejt Bjeshkëve të Namuna, si dhe mikpritjen e pakrahasueshme të gjakovarëve.
Festivali “Ditët e shqiptarit” vazhdon deri me 10 gusht. Mikpritja dhe magjia gjakovare ... ajo vazhdon gjithë vitin.

 

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme