Kur Shqipëria adoptoi buxhetimin e përgjegjshëm gjinor më shumë se një dekadë më parë, synimi ishte një shpërndarje më e drejtë e parasë publike. Sot, korniza ligjore ekziston — por mbetet pyetja nëse nga paratë publike po përfitojnë njësoj gratë dhe burrat. Nga mungesa e të dhënave dhe mbikëqyrjes së dobët, tek iniciativat simbolike dhe llogaridhënia e kufizuar politike, hendeku mes angazhimit dhe realitetit vazhdon të përcaktojë mënyrën se si barazia gjinore reflektohet në buxhetimin publik në Shqipëri.
“Fatkeqësitë nuk diskriminojnë – por përgjigjet tona ndaj tyre po.” Shprehet për hulumtimin Adisa Bala, Drejtoreshë e Reduktimit të Riskut nga Fatkeqësitë dhe Parandalimit në Shqipëri, nuk lidhet vetëm me menaxhimin e krizave. Ajo reflekton një logjikë më të gjerë të funksionimit të institucioneve publike pasi që sistemet mund të duken neutrale, por mënyra se si ato ndërtohen dhe zbatohen shpesh prodhon rezultate të pabarabarta. Për të, menaxhimi i riskut nuk është vetëm reagim ndaj krizave, por ndërtim i sistemeve që reduktojnë rrezikun përpara se ai të ndodhë — një qasje që mund të aplikohet njësoj edhe në buxhetimin publik.
Sipas përkufizimit të UN Women, buxhetimi i përgjegjshëm gjinor është një strategji që krijon buxhete që funksionojnë për të gjithë, duke marrë parasysh dhe analizuar nevojat unike dhe të ndryshme të çdo individi. Në këtë kuptim, ai synon të ndërhyjë në vetë procesin buxhetor, jo vetëm në shpërndarjen e burimeve, por edhe në mënyrën se si ato planifikohen dhe shpenzohen, me qëllim që të mos riprodhohen pabarazitë ekzistuese, por përkundrazi të kontribuohet në avancimin e barazisë gjinore.
Shqipëria, në nivel formal, ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim. Buxhetimi gjinor është integruar në kuadrin e menaxhimit të financave publike dhe në Programin Buxhetor Afatmesëm që nga viti 2012, duke e bërë atë pjesë të proceseve të rregullta të planifikimit. Ligjet për barazinë gjinore dhe qeverisjen vendore krijojnë një bazë të fortë për integrimin e perspektivës gjinore në politika.
Madje, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria konsiderohet ndër vendet që ka institucionalizuar më mirë këtë qasje në nivel qendror, duke lidhur objektivat gjinorë me indikatorë performance dhe programe buxhetore. Kjo ka sjellë një rritje graduale të përfshirjes së barazisë gjinore në dokumentet strategjike dhe buxhetore.
Por problemi nuk qëndron më tek korniza — por tek zbatimi. Në praktikë, kjo do të thotë se barazia gjinore shpesh mbetet një qëllim në letër, jo një realitet në shpërndarjen e burimeve.
Kjo bëhet e qartë sapo shtrohet një pyetje bazike: kush përfiton realisht nga buxheti publik? Në shumë raste, përgjigjja mbetet e paqartë. Mirela Gjoni nga Forumi i Gruas Elbasan thekson se “Është e vështirë të kuptohet se kush ka përfituar nga buxheti, pasi të dhënat nuk janë të ndara sipas gjinisë dhe nuk mbahen në mënyrë konsistente ndër vite.” Kjo mungesë e të dhënave nuk është vetëm një problem teknik — ajo është një pengesë themelore për transparencë dhe llogaridhënie. Pa të dhëna, barazia gjinore nuk mund të matet, dhe ajo që nuk matet, vështirë se mund të përmirësohet.
Në këtë boshllëk, roli i organizatave të shoqërisë civile bëhet veçanërisht i rëndësishëm. Përvoja e Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim, e udhëhequr nga Mirela Arqimandriti, tregon se përpjekjet për buxhetim gjinor kërkojnë më shumë sesa dokumente dhe strategji. Përmes analizave të buxheteve, avokimit dhe punës direkte me institucionet vendore, këto organizata kanë ndihmuar në ndërtimin e kapaciteteve dhe në identifikimin e boshllëqeve në shërbime. Në disa raste, kjo ka çuar edhe në përmirësime konkrete në mënyrën se si adresohen nevojat e grave dhe vajzave në nivel lokal përmes organizmit të dëgjesave buxhetore që targetojnë gratë, fuqizimin e mekanizmave institucionale siç është Komisioni për Barazi Gjinore dhe Sociale.
Megjithatë, edhe këto përpjekje shpesh mbeten të lidhura me projekte dhe mbështetje donatorësh, duke ngritur pyetje mbi qëndrueshmërinë afatgjatë dhe nivelin e pronësisë institucionale.
Në të njëjtën kohë, të dhënat rajonale tregojnë një panoramë të përzier. Sipas raportit NALAS Gender Data Report 2021, përfaqësimi i grave në këshillat bashkiakë në rajon ka arritur mesatarisht rreth 28.5%, ndërsa Shqipëria shënon një nga nivelet më të larta me rreth 44%. Megjithatë, në nivelet më të larta të vendimmarrjes, si pozita e kryetarëve të bashkive, gratë mbeten dukshëm të nënpërfaqësuara, me vetëm rreth 16.4% në Shqipëri dhe mesatarisht 8.35% në rajon. Të dhënat e publikuara nga NALAS tregojnë vetëm përmirësime të kufizuara dhe graduale në këto trende, duke sugjeruar se avancimi i barazisë gjinore në nivel vendor mbetet i ngadaltë. Por, këto shifra nuk garantojnë domosdoshmërish ndikim real në mënyrën se si planifikohen dhe shpërndahen burimet publike pasi që segregimi i të dhënave në çdo hap të procesit mungon.
Vetë aktorët e përfshirë e vlerësojnë zbatimin e buxhetimit gjinor si vetëm pjesërisht të suksesshëm, duke reflektuar një hendek të vazhdueshëm mes kornizës ligjore dhe praktikës në nivel lokal. Kjo sugjeron se, ndonëse përfaqësimi formal i grave është përmirësuar, ndikimi real në vendimmarrje dhe në alokimin e burimeve mbetet i kufizuar. Në këtë kuptim, problemi nuk qëndron në pranimin e konceptit të barazisë gjinore apo buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, por në mënyrën se si ai përkthehet në praktikë. Në realitet, barazia gjinore shpesh reduktohet në ndërhyrje të izoluara dhe simbolike. Aktivitetet për 8 Marsin, mbështetja për produkte tradicionale të grave apo projekte të vogla të targetuara janë të zakonshme dhe lehtësisht të realizueshme. Por këto nuk ndryshojnë mënyrën se si funksionojnë politikat publike.
Siç shpjegon gjatë takimit të mbajtur për këtë hulumtim Norbert Pijls, drejtor i projektit “Bashki të Forta” që zbatohet nga Helvetas Shqipëria nuk është e vështirë të përfshihen gratë në projekte — problemi është që kjo shpesh mbetet në nivel sipërfaqësor. Institucionet e shohin barazinë gjinore si diçka që mund të shtohet “sipër” politikave ekzistuese, në vend që ta integrojnë në mënyrë sistematike në të gjitha shërbimet dhe programet.
Kjo lidhet edhe me mënyrën se si funksionon vendimmarrja politike në nivel lokal. Edhe pse këshillat bashkiakë janë formalisht organet vendimmarrëse, në praktikë hapësira për debat është e kufizuar. Siç vëren Norbert Pijls, rrallë ndodh që mazhoranca që kryeson këshillin bashkiak të kundërshtojë kryetarin, duke e bërë vendimmarrjen më shumë formale sesa reale. Në këtë kontekst, çështje si barazia gjinore rrallë arrijnë të bëhen prioritet politik.
Edhe mekanizmat institucionalë ekzistues, si Komisioni i Shërbimeve Sociale, Strehimit dhe Çështjeve Gjinore, shpesh kanë ndikim të kufizuar. Edhe pse janë krijuar për të integruar perspektivën gjinore në vendimmarrje, mungesa e kapaciteteve dhe mbështetjes politike e redukton rolin e tyre.
Në mënyrë të ngjashme, edhe pjesëmarrja e grave në proceset buxhetore mbetet sfiduese. Siç vëren Arbana Dibra nga Qendra Burimore Nacionale për Shoqëri Civile, gratë shpesh nuk marrin pjesë në dëgjesat publike, dhe edhe kur marrin pjesë, kërkesat e tyre nuk reflektohen në vendimet përfundimtare. Kjo krijon një hendek të dukshëm mes pjesëmarrjes formale dhe ndikimit real. Në këtë kontekst, përvoja në nivel lokal tregon se buxhetimi me pjesëmarrje mund të shërbejë si një mekanizëm konkret për të përfshirë më shumë qytetarët në vendimmarrje. Për Majlinda Bufin, Kryetare e Bashkisë Roskovec, “ky proces nuk është më vetëm një zgjedhje, por një detyrim për të ndërtuar transparencë dhe llogaridhënie reale ndaj qytetarëve”. Tutje për gjatë takimit për hulumtimin shprehet që “Përmes dëgjesave publike dhe konsultimeve të hapura, buxheti mund të kthehet në një instrument dialogu që reflekton më mirë nevojat e komunitetit”. Ky shembull tregon se, kur ekziston vullnet politik dhe mekanizma të qartë, përfshirja e qytetarëve mund të ndikojë realisht në prioritetet buxhetore.
Një tjetër dimension i rëndësishëm është marrëdhënia mes nivelit qendror dhe atij vendor. Ligjet miratohen, por shpesh nuk shoqërohen me mekanizma të qartë monitorimi dhe ndjekjeje. Siç thekson Norbert Pijls, ligji miratohet dhe publikohet, por nuk ekziston një sistem që të tregojë se si zbatohet në praktikë nga bashkitë. Kjo krijon një situatë ku zbatimi mbetet i fragmentuar dhe i varur nga vullneti lokal.
Në këtë boshllëk institucional, rolin kryesor shpesh e marrin donatorët ndërkombëtarë, të cilët shtyjnë përpara agjenda si barazia gjinore dhe përfshirja sociale. Megjithatë, kjo krijon një varësi që nuk është e qëndrueshme në afatgjatë, sidomos në mungesë të një angazhimi të brendshëm institucional.
Pavarësisht këtyre sfidave, ka edhe përpjekje për të avancuar drejt një qasjeje më gjithëpërfshirëse. Siç thekson Majlinda Bufi kryetare e Bashkisë Roskovec, buxhetimi me pjesëmarrje duhet të shfrytëzohet si një platformë për të integruar barazinë gjinore në çdo fazë të ciklit buxhetor. Sipas saj, sfida nuk është vetëm të dëgjohen qytetarët, por të sigurohet që buxhetet të reflektojnë në mënyrë të barabartë nevojat e grave dhe burrave — duke ndërtuar një zhvillim që nuk lë askënd pas.
Në fund, sfida kryesore për Shqipërinë nuk është mungesa e ligjeve, por mënyra se si ato zbatohen. Sepse barazia gjinore nuk arrihet përmes dokumenteve, por përmes vendimeve konkrete — se si planifikohet, si shpërndahet dhe si monitorohet çdo lek i buxhetit publik.
Dhe si në rastin e fatkeqësive, edhe në buxhetet publike: sistemi mund të duket neutral në letër — por rezultatet e tij rrallëherë janë./reporter.al






















