Sociale 20 Dhjetor 2025, 09:05 Nga VNA

Agroturizmi, rritja pa zhurmë; modeli që po fiton betejën e qëndrueshmërisë

Ndaje në Whatsapp

Agroturizmi, rritja pa zhurmë; modeli që po fiton betejën e

Agroturizmi është shndërruar në modelin më të qëndrueshëm të turizmit duke u rritur pa zhurmë vit pas viti, me shifra modeste por të sigurta.

Si i vetmi segment që nuk po luhatet në asnjë stinë duket se ka gjetur “recetën” magjike që klientët dhe vizitorët e duan me këmbëngulje. Në një terren krejtësisht të parrahur, vetëm disa subjekte do të rrezikonin për të ndërtuar shumë vite më parë atë rrugëtim që po tregon qëndrueshmëri më të lartë se turizmi klasik.

Viti 2025 është përkufizuar me një ecuri pozitive që i atribuohet konsolidimit të subjekteve që vazhdimisht zgjerohen, bëhen më krijuese dhe reflektojnë në bazë të kërkesave që vizitorët e tyre parashtrojnë.

Sigurisht operatorët e sektorit pranojnë se jo gjithçka është e përsosur, por në një vazhdë sfidash siç janë kostot në rritje, boshatisja e zonave rurale dhe mungesa e theksuar e fuqisë punëtore, ata po gjallërojnë atë ekonomi lokale që sot mban ende të lidhur ata banorë e fermerë që nuk duan të lënë fshatin.

Është një hapësirë që u ofron atyre një treg për produktet që prodhojnë dhe një shembull që ndoshta mund të ndiqet nga të tjerë për të krijuar një efekt zinxhir.

Agroturizmi përballë turizmit klasik, cilët turistë paguajnë më shumë

Ecuria e përgjithshme e turizmit këtë vit ka qenë mes pikëpyetjesh dhe pavarësisht shifrave në rritje të vizitorëve, operatorët turistikë ankohen për më pak të ardhura.

Në fakt, sot në biseda me ata që ofrojnë turizmin klasik, pra një strukturë hoteliere në bregdet apo kryeqytet dhe me një operator të agroturizmit, ajo që dëgjon është një panoramë e ndryshme.

Të parët thonë se turistë ka por nuk paguajnë, të dytët se turistët po ndërgjegjësohen për atë që ofrojnë agroturizmet dhe janë të gatshëm të paguajnë për një produkt cilësor.

Sigurisht pesha e të dytit në raport me të parin është modeste, por aspekti social i tij është i ndjeshëm pasi zhvillohet kryesisht në zona rurale ku mundësitë janë të vogla dhe ekonomitë lokale të varfra.

“Nga viti në vit, tendenca është për më shumë larmishmëri në kombësi. Në atë rritje që ne flasim kanë kontribut si të huajt, edhe vendasit. Ajo që vë re tani është për një rritje të vizitorëve cilësorë, në kuptimin e asaj që duan shërbim të mirë dhe paguajnë për të.

Pra, janë klientë që pretendojnë shumë dhe janë të gatshëm të paguajnë për atë që kërkojnë”, – pohon Fundim Gjepali, nga Agroturizëm “Gjepali”. Sipas tij, kostot janë rritur vazhdimisht dhe çmimet nuk kanë ndryshuar me të njëjtin ritëm, por do të jetë e pashmangshme që kjo të mbetet e njëjtë edhe për shumë gjatë.

Nga ana tjetër, edhe Altin Prenga nga agroturizëm “Mrizi i Zanave”, thotë se viti 2025 tregon për një trend në rritje, sepse ofron atë që vizitorët realisht kërkojnë dhe vazhdimisht investon për t’u përmirësuar.

“Trendi dhe kërkesa që kanë njerëzit për të vizituar agroturizmet është shumë mirë. Ka qenë një vit me rritje duke konfirmuar interesin e vizitorëve për autentiken dhe tradicionalen”, shprehet ai.

Agroturizmi, rritja pa zhurmë; modeli që po fiton betejën e

Nevoja për të ecur me vizion të përbashkët me theks tek identiteti

Teksa turizmi klasik pësoi luhatje gjatë verës, agroturizmi nuk pësoi të njëjtën tronditje duke treguar qëndrueshmëri më të lartë.

Përfaqësues të subjekteve agroturistike shprehen se është me vlerë që turizmi dhe agroturizimi të ecin me vizion të përbashkët duke forcuar markën rreth asaj që po rezulton si pika e suksesit, që është në fakt oferta autentike dhe identiteti kombëtar. Nëse kjo nuk ndodh, si pjesë e një zinxhiri, ecuria jo e mirë e njërit mund të tërheqë pas dhe tjetrin.

“Duhet të punohet nga të gjithë jo vetëm nga agroturizmi, që kjo rritje të vazhdojë, edhe pse na e kanë ngarkuar ne këtë pjesën e identitetit dhe turizmit. Identiteti është nga qendra e Tiranës deri në Çamëri.

Kjo nuk është vetëm çështje marke. Duhet të unifikojmë mendimin dhe vizionin.

Promovimi dhe reklamat për Shqipërinë ftojnë dhe rikthejnë turistët por ne duhet t’i përgjigjemi siç duhet dhe jo të punojmë prej rrjedhës, pra sot për sot, pa menduar për të nesërmen.

Këto raste që e shohin kështu na dëmtojnë të gjithëve. Po nuk u punua me identitet, nuk është turizëm. Nëse këtë punë nuk e bën se e do, por sepse do të fitosh nga momenti, kjo do të lëkundë atë qëndrueshmërinë që flasim”, – shprehet z. Prenga.

Tregu i turizmit dhe agroturizmit është në një test të vazhdueshëm që përsëritet çdo vit, ku një pjesë e operatorëve konsolidohen e rriten e të tjerë luhaten e mbyllen. Kjo, sipas z. Gjepali, është një fazë tranzitore që do të qartësohet shumë shpejt.

“Ndryshe nga turizmi tradicional, agroturizmet janë të menaxhuar nga familjarë dhe kjo e ndihmon këtë sektor që të ketë tipare të veçanta, më shumë përkushtim dhe shërbim më cilësor.

Mendoj se kjo fazë që po vjen është ajo e selektimit për të gjithë sektorin si për turizmin dhe agroturizmin pra do të bëhet diferencimi i qartë mes atyre që po punojnë mirë dhe kanë standard dhe atyre që nuk e ofrojnë këtë, ose ofrojnë më pak sesa reklamojnë.

Në dy-tre vitet e ardhshme, mendoj se do të konsolidohet ajo bërthama e vendeve që kanë bërë një punë shumë të mirë. Do të kemi, mendoj, një panoramë më të qartë të agroturizmit dhe turizmit”, nënvizon z. Gjepali.

Agroturizmi, rritja pa zhurmë; modeli që po fiton betejën e

Sfidat e agroturizmit, nga kostot tek e ardhmja e integrimit në BE

Kostot në rritje të vazhdueshme dhe braktisja e tokës në zonat rurale janë dy aspektet që po ushtrojnë presion të vazhdueshëm mbi agroturizmet në tërësi. Por duket se një pjesë e mirë e tyre e shohin këtë si diçka të pashmangshme.

Një pjesë e mirë e tyre tashmë po mendojnë përtej sfidave lokale, në kushtet kur integrimi i vendit në Bashkimin Europian është pjesë e së përditshmes që diskutohet gjerësisht.

Pavarësisht sesa e largët duket ajo ditë, këto biznese po mendojnë për atë që do të duhet të përballen. Për z. Prenga, këto subjekte duhet të trajtohen me protokolle të diferencuara, ashtu siç ndodh kudo në Europë për biznese të ngjashme.

“Sfidë kemi çdo ditë po ajo që shoh në horizont, në vazhdim, është mënyra se si do të mund përshtatemi për procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Standardizimi që do të kërkojë kjo, pasi ne jemi të vegjël. Duhet parë me kujdes sepse edhe në BE, prodhimi artizan dhe elementet që lidhen me ne si agroturizme, ka normativa të ndryshme nga biznesi. Nuk mund të trajtohen me të njëjtat protokolle. Duhet adoptuar me normativa më të zbutura, njëlloj siç i ka Europa”, – tha z. Prenga.

Ndërkohë edhe pse një sfidë në tërësi për ekonominë, sektorë të ndryshëm dhe subjekte të ndryshëm do të duhet ta përballojnë me presione të ndryshme këtë ndryshim. Duket se mënyra më e përshtatshme është ajo e nisjes graduale të asaj rrugë qysh në fillesa.

Të paktën kështu shprehet z. Gjepali, i cili nënvizon se ka menduar “europiançe” që në fillim të projektit. “Kam zbatuar të njëjtin model si në Europë dhe jo për t’u sajuar”, – shprehet ai.

Viti 2026, agroturizmi mbetet optimist për ecurinë

Viti 2026 ka më shumë optimizëm për subjektet e agroturizmit të cilët, të mësuar me rritje të moderuar, por të sigurt, presin të njëjtën tendencë. Kjo sigurisht bazohet tek interesi që të huajt vazhdojnë të kenë për Shqipërinë në përgjithësi dhe për kureshtjen e tyre për pjesën rurale të saj ku agroturizmet kanë “kultivuar” pjesën më të mirë të traditës.

“Besoj do të jetë një vit i mirë. Për ne është e rëndësishme të mos kemi rënie pra, ruajmë nivelin trendin me të cilin po mbyllim 2025.

Agroturizmi ka pjesë të tij klientët e zakonshëm që rikthehen shpesh dhe vizitorët kureshtarë që vijnë në Shqipëri. Të dy këto grupe vazhdojnë të kenë interes. Nuk shoh problem në vitin 2026, por e rëndësishme është ruajtja e kësaj qëndrueshmërie në afatgjatë”, – shprehet z. Prenga.

Në të njëjtën linjë është edhe z.Gjepali, i cili nënvizon se klima që ofron Shqipëria dhe çmimi i ushqimit të mirë mbetet ende i lirë krahasuar me Perëndimin.

“Mendoj gjithmonë pozitivisht sepse nga viti në vit kemi ardhur në rritje. Agroturizmet në vendin tonë janë ende të lirë për atë që ofrojnë. Turistët europianë e dinë që ushqimi i mirë, jeta origjinale rurale paguhen shumë më shtrenjta kudo.

Shqipëria ka një mikroklimë të mrekullueshme dhe të gjithë këta faktorë mendoj se do të vijojnë të mbeten kyç në përzgjedhjen e atyre që na vizitojnë”, – thekson ai./Monitor.al/

Video

Ndeshja mes Flamurtarit dhe Teutës është ndërprerë pas tensioneve dhe përplasjeve në fushën e lojës. Konflikti mes lojtarëve u përshkallëzua me futjen e tifozëve në fushë, çka detyroi ekipin e Teutës të largohej nga loja. Gjyqtari Eldorjan Hamiti u largua gjithashtu nga fusha pas incidenteve. Takimi është ndërprerë në pritje të një vendimi zyrtar, ndërsa rezultati momental është 0–1 në favor të Teutës. Është kërkuar edhe largimi i sportdashësve nga tribuna përballë.

Një aksident automobilistik ka ndodhur pranë kryqëzimit të Gjadrit në superstradën Lezhë–Shkodër. Sipas të dhënave paraprake, dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën, duke lënë të plagosur tre persona. Në vendngjarje ndodhen forcat e zjarrfikëses dhe ambulancat, ndërsa po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Përurohet busti i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Mësohet se iniciativa për ngritjen e bustit ka ardhur spontanisht dhe është realizuar falë bashkëpunimit të banorëve të fshatit dhe diasporës shqiptare.

Një aksident automobilistik ka ndodhur sot në aksin Fier–Roskovec, pranë fshatit Velmish. Një automjet tip “Benz”, me drejtues Josif Shkëmbin, është përplasur me një mjet bujqësor tip “Zetor”. Si pasojë, drejtuesi i mjetit bujqësor, Ani Hazizi, ka mbetur i lënduar dhe është transportuar me urgjencë në qendrën shëndetësore të Roskovecit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme