Sociale 19 December 2025, 21:10 Nga VNA

Rritja e frikshme e emigracionit, 2,2 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit

Ndaje në Whatsapp
Rritja e frikshme e emigracionit, 2,2 milionë shqiptarë jetojnë

Diaspora shqiptare vijon të zgjerohet dhe të mbetet një nga fenomenet më të rëndësishme demografike dhe ekonomike të vendit.

Sipas vlerësimeve më të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT), në vitin 2025 numri i shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë llogaritet në rreth 2.25 milionë persona, ose afro 49% e shtetasve shqiptarë gjithsej jetojnë jashtë sipas Botimit Diaspora në Shifra.

INSTAT thekson se, për shkak të mungesës së regjistrimeve të rregullta administrative për largimet nga vendi, diaspora nuk mund të përllogaritet me saktësi absolute. Për këtë arsye përdoren metoda të tërthorta, duke krahasuar të dhënat e regjistrit civil me popullsinë banuese në vend.

Ky vlerësim tregon se diaspora shqiptare ka një profil relativisht të ri dhe ekonomikisht aktiv, me rreth 77% të saj në grup-moshën 15–64 vjeç, ndërsa vetëm rreth 5% janë mbi 65 vjeç, çka e bën atë një burim të rëndësishëm potencial për tregjet e punës në vendet pritëse.

Historikisht, migrimi i shqiptarëve ka qenë i vazhdueshëm dhe i larmishëm, duke nisur që nga shekujt XV–XVI e deri te valët masive pas viteve ’90. Botimi dallon mes “diasporës së vjetër”, të formuar kryesisht para vitit 1944 dhe gjatë periudhës 1945–1990, dhe “diasporës së re”, e cila lidhet me migrimin masiv pas rënies së komunizmit. Në këtë fazë të fundit, destinacionet kryesore kanë qenë Greqia, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Franca.

Të dhënat nga censet ndërkombëtare tregojnë se rreth 1.1 milion persona të lindur në Shqipëri jetojnë sot në 31 vende të Evropës, ndërsa rreth 939 mijë shtetas shqiptarë figurojnë si rezidentë në këto vende. Italia dhe Greqia mbeten dy destinacionet kryesore historike dhe aktuale, të ndjekura nga Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar. Paralelisht, në vitet e fundit është rritur edhe numri i shqiptarëve që fitojnë shtetësinë e vendeve pritëse, veçanërisht në Itali, Greqi, Gjermani dhe Suedi, duke reflektuar një integrim më të qëndrueshëm afatgjatë.

Një kapitull i veçantë i botimit i kushtohet diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetojnë mbi 206 mijë persona me origjinë shqiptare, të ndarë mes gjeneratës së parë të emigrantëve dhe gjeneratës së dytë të lindur në SHBA. Ky komunitet paraqitet me norma të larta punësimi dhe me një strukturë arsimore të diversifikuar, duke përforcuar rolin e diasporës si faktor ekonomik dhe social me peshë.

INSTAT thekson se publikimi synon të shërbejë si instrument informues për politikëbërësit dhe institucionet, në funksion të hartimit të politikave më të mira për diasporën dhe forcimit të lidhjeve të saj me vendin e origjinës, në një kontekst ku migrimi mbetet një nga sfidat strukturore më të mëdha për Shqipërinë./Monitor 

 

 

 

 

 

 

 

 

Video

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Një person me flamurin palestinez hyri me vrap në fushën e “Yankee Stadium” gjatë ndeshjes mes New York Yankees dhe New York Mets, më 11 shtator. Incidenti ndodhi në 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, në një mbrëmje kur në stadium po zhvilloheshin edhe aktivitete përkujtimore. Personi vrapoi në fushë me flamurin palestinez, përpara se të kapej dhe të rrëzohej nga punonjësit e sigurisë. Ai u shoqërua më pas jashtë fushës dhe ndeshja vijoi normalisht. Ngjarja tërhoqi vëmendje të veçantë për shkak të simbolikës së datës dhe ceremonive përkujtimore të zhvilluara atë mbrëmje.

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme