Sociale 18 Dhjetor 2025, 18:14 Nga VNA

Vila “No. Red” ose oborri i arkitektëve të qeverisë

Ndaje në Whatsapp
Vila “No. Red” ose oborri i arkitektëve të qeverisë

Një vilë qeveritare është shndërruar në hapësirë eventesh elitare me dyer të mbyllura ku projektet arkitekturore marrin jetë larg syve të publikut.

Nën hijen e mungesës së transparencës dhe dyshimeve për shppërdorim të fondeve publike, vila është vënë në shërbim të festivalit “Bread & Heart” (Bukë dhe Zemër), tashmë i formalizuar si fondacion.

Ajo funksionon si pavijon i arkitektëve të preferuar të pushtetit, duke vënë në pikëpyetje kufirin mes krijimtarisë, privilegjit dhe marrëdhënieve të ngushta me qeverinë.

E kuqja majë kodrës

Një vilë gjak e kuqe spikat skajin lindor të Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës. Fshehur mes ferrave dhe pemëve të një prej kodrave të Saukut, ajo bën përshtypje dhe tërheq shikimet e kalimtarëve që ecin në digën e liqenit.

Ajo është “Vila Nr.5”, një rezidencë qeveritare, e cila për nga natyra duket më shumë e errët se sa e kuqe.

Më 8 qershor Kryeministri Edi Rama shtroi aty një drekë të veçantë, “Survivor’s Lunch”, (Dreka e të mbijetuarve), për miqtë e tij “star arkitektë”, të ftuar në festivalin “Bread & Heart” (foto).

Festa ishte private. Vetëm një pjesë e vogël e atyre që kishin blerë biletën e plotë të festivalit (€360) arritën të bëheshin pjesë, pasi eventi ishte me ftesa nominale.

Në programin e festivalit, vila prezantohej si “Villa Number Red” (shkurt, No. Red), një emër i ri që nuk lidhej me asnjë ndërtesë në Tiranë, të paktën deri në fillim të qershorit.

Ka gjasa që ky emërtim jozyrtar të jetë zgjedhur enkas për të mbajtur të fshehtë prapavijën e zhvillimeve të rezidencës.

Ajo ndodhet në rrugën “Herman Gmeiner”, disi e veçuar nga zona e “Pallatit Presidencial” (Pallati i Brigadave), nën rojën e Gardës së Republikës. Faktikisht, nuk ka asnjë shenjë zyrtare në hyrje, ndërsa kangjellat me ngjyrë të kuqe të fortë, dallojnë nga e zeza e zakonshme.

Nga jashtë, duket krejtësisht e thjeshtë. Porta kryesore pa ndonjë madhështi (foto), me hapje të brendshme që fiksohet nga katër shula për toke dhe një kabinë sigurie anash.

Për ironi, pranë rrethimit lejohet parkimi, madje falas, edhe pse kemi të bëjmë me një ndërtesë të rëndësisë së veçantë. 

Nga ana tjetër, vila kufizohet pa gardh nga rruga “Memo Bejko” me një “mur” të natyrshëm shkurresh dhe pemësh.

Ky përshkrim i gjatë nxitet edhe nga përpjekjet e jashtëzakonshme të disa institucioneve për ta mbajtur atë të fshehtë.

Faktet tregojnë se nga një godinë gjysmë e rrënuar, ajo u rindërtua me procedura të fshehta dhe një shpenzim i majmë prej 6 milionë eurosh.

Në letër thuhet se u projektua brenda 45 ditësh dhe u ndërtua brenda 6 muajsh nga studio dhe kompani shqiptare.

Në realitet projekti u bë nga një studio e huaj, punimet u zgjatën rreth dy vite dhe u mbikëqyrën nga një zyrë, pronari i së cilës u arrestua dhe dënua për ryshfet në sigurimin e tenderëve publikë.

Për ironi, cilësia e punimeve duket se nuk i ka mbijetuar as shirave të parë të vjeshtës. Në një nga vizitat e Citizens.al në zonë, shquhen disa punonjës që po riparojnë soletën dhe gjurmë rrjedhe uji të lënë në ullukun anësor.

Vila duket se fsheh pas abuzime serioze për plotësime tekash personale të Kryeministrit, i cili gjithmonë e më shumë po i trajton zyrat dhe pronat shtetërore si prona personale.

Pas “Parkut Eden” në Kryeministri, projekti i të cilit u realizua nga studio e arkitektit Chris Precht dhe kushtoi rreth 5 milionë euro, ky duket të jetë një tjetër shpenzim i tepruar “për estetikë” i qeverisë.

Vila dhe transformimi i festivalit në fondacion

Nuk mund të kishte vend më domethënës për të mbyllur festivalin “Bread & Heart” sesa vila qeveritare “No. Red”, një ndërtesë shtetërore e shndërruar në skenë ekskluzive për evente me ftesa private.

Pavarësisht kërkesave për transparencë, Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT), Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT) dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare (DSHQ) nuk sqaruan se kush e pagoi festivalin dhe çfarë buxheti u shpenzua.

Zyrtarisht në festival morën pjesë rreth 2,300 persona ku vetëm 43% e tyre ishin me bileta, pjesa tjetër ishin “stafe organizative, teknike, ndihmëse dhe programatike”. Pati rreth 150 arkitektë, studiues dhe sipërmarrës të ftuar dhe 44 folës që u përfshinë në programet e datave 5-8 qershor.

Sipas dy agjencive qeveritare nga biletat u përftuan rreth 80 mijë euro të ardhura, udhëtimi dhe akomodimi i të ftuarve u mbulua privatisht ndërsa organizimi i festivalit me angazhim “pjesërisht vullnetar”.

“Bread & Heart” është njoftuar se do të zhvillojë edicionin e dytë në 3-4-5 qershor 2026.

Në një skenë ku mungonin arkitektët dhe akademikët shqiptarë, “Bread & Heart” e shfaqi hapur Ramën si porositës dhe vlerësues “par excellence” të vizionit dhe estetikës së çdo ndërtese të lartë në Shqipëri.

“Shqipëria prodhon më shumë arkitekturë se e gjithë Evropa,” shpalli Rama në një fjalim vetëlavdërues që kapi një “standing ovation” nga “star arkitektët” kryesor të ftuar – një pjesë e të cilëve janë në marrëdhënie klienteliste me pushtetin e Ramës.

Në këtë atmosferë me “shije klientelizmi”, më 12 tetor, Rama i priti sërish “star arkitektët” në vilën e kuqe “No. Red”. Kësaj here kur u njoftua fituesi i thirrjes së Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH), Bjarke Ingels për Parkun e Besimit.

Gjatë eventit me dyer të mbyllura, Rama prezantoi për të pranishmit arkitekten spanjolle Carme Pigem Barceló (nga RCR Arquitectes) si drejtuese të asaj që zyrtarisht më pas u njoftua të ishte “Fondacioni Bread & Heart”.

Citizens.al iu drejtua zyrës RCR për të marrë një koment nga Znj. Pigem, por nuk mori përgjigje.

Atë event, më 12 tetor, brenda vilës u vu re një instalacion i ndricuar me shkrimi “Bread and Heart Foundation” që sugjeron se vila tashmë është kthyer në seli për fondacionin.

Por, sipas Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare (DSHQ), deri në fund të tetorit nuk ka pasur marrëveshje për dhënien me qira apo përdorim të vilës. Madje as akte, të cilat autorizojnë një përdorim të tillë.

DSHQU mohoi që vilës t’i jetë hequr statusi i “objektit me siguri kombëtare” dhe t’i jetë ndërruar përdorimi. Ndërkohë, gjykata e Tiranës konfirmoi për Citizens.al se kërkesa për regjistrimin e fondacionit ishte në proces. Por që, të paktën deri në fund të muajit tetor, nuk kishte pasur ende vendim.

Kjo ngre dyshime se vila mund të jetë dhënë për përdorim në kundërshtim me ligjin, pa dokumentacion të ri ligjor, ndërkohë që fondacioni nuk ishte ende i regjistruar.

DSHQ theksoi se aktivitetet e zhvilluara kanë qenë pjesë e veprimtarive protokollare nën kujdesin e Kryeministrit, duke cituar një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2016 që lejon pritje për “personalitete të veçanta pa rang zyrtar”, përfshirë drejtues fondacionesh dhe përfaqësues arti e kulture.

Citizens.al kërkoi informacione të tjera nga AZHT dhe AKPT mbi procedurat që çuan në shndërrimin e festivalit në fondacion si dhe marrëveshjet apo memorandumet e bashkëpunimit me të.

AZHT kërkoi më shumë kohë për shkak të volumit të dokumenteve, ndërsa AKPT nuk u përgjigj duke pranuar të gjobitet për mohim të të drejtës për informim, pas ndërhyrjes së Komisionerit për të Drejtën e Informimit.

Për festivalin “Bread & Heart” nuk pati transparencë për shpenzimet, fondet dhe angazhimet e ndërmarra teksa organizohej nga agjencitë qeveritare AZHT-AKPT, kthimi në fondacion e bën me premisa edhe më pak transparente.

Në këtë kuptim, qasja me “Bread & Heart” shton edhe më shumë dyshimet për abuzime me fondet publike, ndërkohë që nga “starkitektët” dhe “kritizerët” pranë tyre nuk ka pasur asnjë qëndrim për këtë pjesë.

Taksat e qytetarëve shqiptar, përdoren për rikonstruksione vilash ekskluzive, dreka, darka dhe festa private të asaj që në dukje po shfaqet dhe sillet gjithnjë e më shumë si “një oborr arkitektësh” pranë qeverisë./Citizens

 

 

 

Video

Fermerët në Bruksel protestuan kundër marrëveshjes BE-Mercosur, duke bllokuar rrugë kryesore dhe duke shkaktuar incidente pranë Parlamentit Europian. Ata kundërshtojnë importin e produkteve bujqësore nga Amerika e Jugut, pasi sipas tyre dëmton fermerët europianë dhe subvencionet bujqësore. Protesta u shoqërua me bllokime nga traktorë, përplasje me policinë dhe ndërhyrje të forcave të rendit. Ata ndezën zjarre, hodhën objekte ndërsa policia u përgjigj me me gaz lotsjellës.

Pas Francës protesta e fermerëve mbërrin edhe në Belgjikë, 150 traktorë “pushtojnë” rrugët e Brukselit Organizata europiane e fermerëve Copa-Cogeca, e cila po organizon eventin, pret 10,000 pjesëmarrës, ndërsa kryeqyteti belg është fortifikuar. Tashmë në Bruksel, sipas përditësimit të policisë, 150 traktorë mbërritën herët të enjten në mëngjes, ndërsa dy tunele që të çojnë në qendër të qytetit janë mbyllur. Sipas organizatorëve, fermerët po protestojnë, kundër reformave të PPB-së dhe buxhetit të BE-së dhe “marrëveshjeve tregtare të papranueshme” si ajo me bllokun tregtar të Amerikës së Jugut Mercosur.

Hava Delibashi paraqitet në SPAK. Zv.drejtoreshë e AKSHI-t, është vënë nën masën e arrestit në shtëpi

Mbërrijnë në Apelin e Posaçëm avokatët e Belinda Ballukut, pasi do të shqyrtohet ankimimi i zv.kryeministres kundër masave të sigurisë pezullim nga ushtrimi detyrës dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme