Sociale 17 December 2025, 14:57 Nga VNA

Eksportet vijojnë pikiatën, por bien sërish edhe importet

Ndaje në Whatsapp

Eksportet vijojnë pikiatën, por bien sërish edhe importet

Tregtia e jashtme e mallrave ka shënuar një ngadalësim të dukshëm në muajin Nëntor 2025, me rënie të njëkohshme të eksporteve dhe importeve, duke reflektuar presione strukturore në sektorët kryesorë prodhues dhe në kërkesën tregtare. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, INSTAT, eksportet e mallrave arritën vlerën 28 miliardë lekë, duke u ulur me 6,9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 dhe me 10,1% krahasuar me muajin Tetor 2025.

Edhe importet kanë ndjekur të njëjtën prirje rënëse. Në Nëntor 2025, importet e mallrave u vlerësuan në 71 miliardë lekë, me një rënie prej 3,0% në bazë vjetore dhe 11,1% në krahasim mujor. Si rezultat, deficiti tregtar i muajit u regjistrua në 43 miliardë lekë, duke shënuar një ulje të lehtë prej 0,3% krahasuar me Nëntor 2024 dhe një tkurrje më të ndjeshme prej 11,7% krahasuar me Tetor 2025.

Në periudhën janar–nëntor 2025 eksportet e mallrave arritën në 319 miliardë lekë, me një rënie vjetore prej 7,0%, ndërsa importet u vlerësuan në 807 miliardë lekë, duke u ulur me 1,0% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Në këtë periudhë, deficiti tregtar u zgjerua në 488 miliardë lekë, me një rritje prej 3,4%, duke reflektuar një hendek ende të theksuar mes eksporteve dhe importeve.

Sipas strukturës së eksporteve, rënia vjetore e muajit nëntor është ndikuar kryesisht nga grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, i cili ka kontribuar negativisht me –4,0 pikë përqindje, si dhe nga “Tekstile dhe këpucë” me –1,0 pikë përqindje. Ndërkohë, disa grupe kanë dhënë kontribut pozitiv, ku spikasin “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,4 pikë përqindje, si dhe “Produkte kimike dhe plastike” dhe “Materiale ndërtimi dhe metale”, secili me nga +0,3 pikë përqindje.

Në 11 muaj, rënia e eksporteve është dominuar nga “Materiale ndërtimi dhe metale” me –5,0 pikë përqindje dhe “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me –1,6 pikë përqindje, ndërsa rritje kanë shënuar “Ushqime, pije dhe duhan” dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, duke sinjalizuar një strukturë eksporti ende të paqëndrueshme.

Nga ana e importeve, rënia vjetore prej 3,0% në Nëntor 2025 është ndikuar kryesisht nga ulja e importeve të makinerive dhe pajisjeve me –1,5 pikë përqindje, si dhe e materialeve të ndërtimit dhe metaleve me –0,8 pikë përqindje. Në të kundërt, importet e ushqimeve, pijeve dhe duhanit kanë dhënë kontribut pozitiv me +1,1 pikë përqindje, duke reflektuar rritjen e kërkesës konsumatore.

Sa i përket partnerëve tregtarë, në muajin Nëntor 2025 ulja më e madhe e eksporteve u regjistrua drejt Italisë, Gjermanisë dhe Spanjës, ndërsa rritje u shënuan drejt Kosovës dhe Greqisë. Në import, rënie u regjistrua nga Italia, Greqia dhe Gjermania, ndërsa rritje të fortë shënuan importet nga Kina, Turqia dhe SHBA.

Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Evropian vijojnë të mbeten dominuese, duke zënë 58,3% të tregtisë totale në muajin Nëntor 2025. Eksportet drejt BE-së përbënin 74,8% të totalit, ndërsa importet nga BE-ja 51,8%. Partneri kryesor tregtar mbetet Italia, e ndjekur nga Kina, Turqia dhe Greqia.

Në tërësi, të dhënat e INSTAT tregojnë se tregtia e jashtme shqiptare po përballet me një fazë ngadalësimi, veçanërisht në eksportet e lidhura me energjinë dhe industrinë përpunuese, duke theksuar nevojën për diversifikim më të thellë të strukturës prodhuese dhe rritje të konkurrueshmërisë së eksporteve në tregjet ndërkombëtare./ekofin.al/

Video

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Një person me flamurin palestinez hyri me vrap në fushën e “Yankee Stadium” gjatë ndeshjes mes New York Yankees dhe New York Mets, më 11 shtator. Incidenti ndodhi në 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, në një mbrëmje kur në stadium po zhvilloheshin edhe aktivitete përkujtimore. Personi vrapoi në fushë me flamurin palestinez, përpara se të kapej dhe të rrëzohej nga punonjësit e sigurisë. Ai u shoqërua më pas jashtë fushës dhe ndeshja vijoi normalisht. Ngjarja tërhoqi vëmendje të veçantë për shkak të simbolikës së datës dhe ceremonive përkujtimore të zhvilluara atë mbrëmje.

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme