Buni i Jezercës, cirk glacial me liqene akullnajore dhe arna dëbore shumëvjeçare (firn), peizazh ikonë i Alpeve Shqiptare që sot përballet me vera shumë më të thata se më parë. Foto: autori.
Nga Jezerca në Theth: si po ndryshon klima në Alpet Shqiptare dhe çfarë do të thotë kjo për turizmin malor, ujin dhe ekonominë lokale.
Viti 2025 është shpallur nga OKB-ja si Viti Ndërkombëtar për Ruajtjen e Akullnajave. Në pamje të parë, kjo tingëllon si një temë e largët për një vend mesdhetar si Shqipëria, që nuk ka më akullnaja të mëdha si ato të Alpeve apo Himalajës.
Por nëse shohim me kujdes peizazhet tona malore, kuptojmë se kjo çështje lidhet shumë më drejtpërdrejt me Shqipërinë nga sa mund të mendohet në fillim.
Akulli i përhershëm, borëritë shumëvjeçare, liqenet akullnajore dhe luginat e gdhendura nga akulli kanë formuar për mijëra vjet relievin e Alpeve Shqiptare, të masivit të Korabit dhe maleve të tjera.
Sot, këto gjurmë janë sfond i udhëtimeve tona në Theth, Valbonë, Lurë, Shishtavec apo Korab. Ato janë arsyeja pse turistët e huaj e shohin Shqipërinë si një destinacion të ri për hiking, ski, fotografi dhe natyrë të egër.
Ndërkohë, klima po ndryshon shpejt. Dimrat janë më të ngrohtë dhe me më pak borë; verat më të gjata dhe më të thata. Ajo që dikur ishte borë e sigurt në qershor, sot mungon edhe në maj. Në sezonet e fundit verore, liqene tipikë akullnajore kanë arritur në nivele rekord të ulëta, madje gati janë tharë në kulmin e sezonit turistik.
Çfarë ka ndodhur me akullin e përhershëm në malet tona? Si po ndryshon klima në viset e larta? Çfarë humbasim si shoqëri, nga turizmi tek uji dhe energjia? Dhe çfarë mund të bëjmë sot për t’u përshtatur me këtë realitet të ri?
Çfarë janë akullnajat dhe pse na prekin?
Akullnajat shpesh quhen “kullat e ujit” të planetit. Ato formohen kur në një zonë malore, për shumë dekada me radhë, bie më shumë borë në dimër se sa arrin të shkrihet në verë.
Shtresë pas shtrese, bora ngjishet, shndërrohet në akull kompakt dhe, nën peshën e vet, fillon të rrëshqasë ngadalë poshtë. Vetëm atëherë flasim për një akullnajë të vërtetë: masë akulli në lëvizje.
Jo çdo dëborë që mbetet gjatë verës është akullnajë. Shpesh, sidomos në shpatet veriore dhe në hije, dëbora mund të mbijetojë disa stinë, duke formuar njolla dëbore shumëvjeçare. Nëse ky proces nuk vazhdon mjaftueshëm gjatë dhe dëbora nuk ngjishet në akull që rrëshqet, mbetemi në shkallën e “borës së mbetur”, jo të akullnajës.
Në të kaluarën e largët, gjatë “epokave të akullit”, këto masa akulli kanë qenë shumë më të mëdha se sot.
Ato kanë gdhendur luginat me formë U-je që sot i shohim në Valbonë e Ropojanë, kanë rrafshuar cirqe të gjera si ato të Buni i Jezercës dhe kanë lënë pas liqene të vegjël, por të thellë e të ftohtë, të cilët sot janë ndër destinacionet më të bukura të turizmit malor.
Përveç bukurisë, akullnajat kanë edhe funksione shumë praktike. Ato veprojnë si rregullatorë natyrorë të ciklit të ujit. Bora dhe akulli i grumbulluar gjatë dimrit shkrihen ngadalë, duke ushqyer burimet, përrenjtë dhe lumenjtë gjatë pranverës e verës, pikërisht kur nevoja për ujë është më e madhe.
Sipërfaqja e bardhë e borës dhe akullit pasqyron një pjesë të konsiderueshme të rrezatimit diellor dhe e mban më të freskët klimën lokale; kur kjo mbulesë zvogëlohet, dalin në sipërfaqe shkëmbinjtë dhe toka e errët, të cilat thithin më shumë nxehtësi dhe përshpejtojnë ngrohjen.
Në të njëjtën kohë, akulli shumëvjeçar është një arkiv natyror i klimës. Në shtresat e tij ruhen gjurmë të temperaturave, të reshjeve dhe të ndotësve atmosferikë të së shkuarës, që u lejojnë shkencëtarëve të lexojnë historinë klimatike të një rajoni.
Edhe pse sot në Shqipëri nuk konsiderohet të ketë më akullnaja aktive, trashëgimia e akullit të dikurshëm, me gjurmët që ka lënë, vazhdon të ndikojë drejtpërdrejt në ujin, klimën lokale, turizmin dhe ekonominë malore.
Trashëgimia akullnajore e Shqipërisë
Rajoni i Alpeve Shqiptare me majën e tij më të lartë, Maja e Jezercës (2694 m), si dhe dhjetëra maja mbi 2000 m, është “laboratori” ynë më i dukshëm i epokës së akullit.
Studiues vendas dhe të huaj kanë dokumentuar se gjatë maksimumit të fundit akullnajor, luginat e Valbonës, Ropojanës, Thethit, Shalës dhe Currajt kanë qenë të mbushura me akull që zbriste dhjetëra kilometra më poshtë në luginë.
Edhe pse akulli është zhdukur prej mijëra vitesh, gjurmët e tij janë kudo. Luginat me profil U në Valbonë dhe Theth, krejt të ndryshme nga luginat klasike në formë V të lumenjve, tregojnë qartë dorën e akullit që pat rrëshqitur dikur aty.
Po kështu, cirqet glaciare si ai i Buni i Jezercës, një amfiteatër i gjerë shkëmbor ku akulli i dikurshëm ka gdhendur një shesh të rrafshët, sot i mbushur me disa liqene të vegjël, janë skena tipike të relievit të formuar nga akullnajat.
Edhe gryka të ngushta e pragje shkëmbore në segmente të caktuara të luginave tregojnë vendet ku masa e akullit ka gërryer më fort, duke lënë pas një peizazh që sot ne e lexojmë si “arkiv” të epokës së akullit.
Trashëgimia glaciologjike nuk kufizohet vetëm në Alpet Shqiptare. Gjurmë të ngjashme, në shkallë më të vogël, gjenden edhe në Korab, në malet e Lurës me liqenet e tyre të vegjël akullnajore, në Malet e Sharrit dhe në disa masive të tjera në verilindje të vendit.
Për turistin dhe alpinistin, këto elemente me përmbajtje shkencore janë vetë arsyeja pse këto gryka dhe cirqe janë kaq tërheqëse.
Një pjesë e rëndësishme e kësaj trashëgimie janë liqenet akullnajore. Shqipëria numëron rreth 84 liqene akullnajore të inventarizuara mbi 1470 m lartësi. Ato janë zakonisht të vogla, por të thella, me ujë shumë të ftohtë, të pastër dhe me pak lëndë ushqyese.
Pikërisht për këtë arsye janë shumë të ndjeshme ndaj ndryshimeve të temperaturës dhe ndaj çdo forme ndotjeje ose menaxhimi të keq të kullimit dhe zhvillimit turistik.
Sot, shtigjet për në liqenet akullnajore janë bërë pjesë e ofertës së re të turizmit malor shqiptar. Por nëse klima ndryshon, ndryshon edhe vetë “produkti” që ne u shesim turistëve.
Klima që po ngrohet dhe mali që ndryshon
Shqipëria është ngrohur mesatarisht me rreth 1–1.3°C që nga vitet 1960. Kjo mund të tingëllojë pak, por në malet e larta, efekti është shumë më i madh. Studimet tregojnë se zonat malore ngrohen më shpejt se ultësirat, sepse bora tërhiqet, sipërfaqet errësohen dhe thithin më shumë rrezatim.
Dimrat janë më të shkurtër dhe me më pak borë, sidomos në lartësitë mesatare. Aty ku dikur binte dhe qëndronte borë për muaj të tërë, sot kemi gjithnjë e më shpesh reshje shiu.
Kjo do të thotë se ka më pak rezerva dëbore që shkrijnë ngadalë në pranverë, më shumë rrjedhje të shpejta gjatë stuhive të dimrit dhe vjeshtës dhe, si pasojë, një rrezik më të madh për përmbytje të shpejta në luginat poshtë.
Në të njëjtën kohë, verat po bëhen më të gjata dhe më të thata. Kjo rrit avullimin nga liqenet akullnajore dhe burimet, ul nivelet e ujit dhe e bën ujin e ftohtë malor një “mall luksi” në korrik–gusht.
Edhe pse majat më të larta shqiptare, si Korabi dhe Jezerca, kanë ende temperatura mesatare vjetore pranë zeros, lartësia ku bora mund të mbetet gjatë gjithë vitit është ngjitur.
Në praktikë, kjo do të thotë se formimi i akullnajave të reja është pothuajse i pamundur. Verat janë shumë të nxehta, reshjet më shpesh bien në formë shiu dhe lartësitë nuk janë aq të mëdha sa në Alpet Qendrore.
Në mbarë Europën, akullnajat e Mont Blanc-ut, Dolomiteve, apo Kaukazit po humbasin volum me ritme rekord. Shqipëria, ndonëse sot nuk ka më akullnaja aktive, përjeton të njëjtën prirje: më pak borë, më pak akull në viset e larta, më shumë ujë i pakontrollueshëm në dimër dhe mungesë uji në verë.
A kanë mbetur ende akullnaja në Shqipëri?
Deri para pak dekadash, disa studiues kanë folur për “akullnaja të vogla” në zonën e Jezercës; masa akulli shumë të kufizuara, të cilat qëndronin të mbuluara nga shtresa gurësh dhe të ushqyera nga dëbora shumëvjeçare.
Në hartat shkencore ato paraqiteshin si “glacierets”, miniaturë akullnajash që përfaqësonin kufirin jugor të akullnajave në Europë.
Sot, fotografia ka ndryshuar. Vëzhgimet në terren, monitorimet satelitore dhe krahasimi i imazheve nga vite të ndryshme tregojnë se këto mikro-akullnaja janë tkurrur ndjeshëm ose janë shndërruar thjesht në arna dëbore që mbijetojnë vetëm në vitet me reshje të bollshme dhe verë më të freskët.
Edhe pse në disa shpate të mbrojtura të Jezercës dhe maleve përreth mund të gjenden ende zona ku bora zgjat më shumë se një vit, shumica e ekspertëve bien dakord se Shqipëria nuk ka më akullnajë aktive në kuptimin klasik të fjalës. Pra, nuk ka masë akulli që lëviz, rindërtohet dhe ruan një cikël të qëndrueshëm midis borës së re dhe shkrirjes.
Në praktikë, kjo do të thotë se e ashtuquajtura “borë e përhershme” në Alpet Shqiptare është shndërruar në një mbulesë bore shumë më të paqëndrueshme se dikur. Ajo zhduket më shpejt dhe shfaqet më rrallë, duke e ndryshuar peizazhin që për shumë breza ishte i pandryshueshëm.
Uji, energjia, turizmi: zinxhiri i efekteve
Mbi 95% e energjisë elektrike në vend prodhohet nga hidrocentralet, çka e bën sistemin energjetik shqiptar jashtëzakonisht të varur nga uji. Burimet ujore varen fort nga reshjet malore dhe, rrjedhimisht, nga borërat e dimrit.
Raporte të World Wide Fund for Nature (WWF) dhe Bankës Botërore e cilësojnë Shqipërinë si vendin ballkanik më të rrezikuar nga ndryshimet klimatike sa u përket burimeve ujore.
Në këtë kontekst, çdo ndryshim në ciklin e borës dhe të shiut në male përkthehet drejtpërdrejt në rrezik për sigurinë ujore dhe energjetike.
Më pak borë dimërore dhe më shumë reshje shiu do të thotë më pak “magazinim” natyror në formë dëbore, më shumë rritje të menjëhershme të prurjeve në dimër dhe pranverë, si dhe prurje më të ulëta në verë, pikërisht kur konsumi i energjisë rritet për shkak të kondicionerëve dhe turizmit.
Kjo është arsyeja pse vitet me dimër të varfër në borë dhe verë shumë të thatë shoqërohen me import më të madh energjie dhe me luhatje të forta të çmimeve. Akulli dhe bora e dikurshme, të cilat rregullonin natyrshëm rrjedhën, janë një “infrastrukturë” që po na mungon gjithnjë e më shpesh.
Bujqësia dhe kullotat alpine
Në fshatrat alpine si Thethi, Valbona apo Vermoshi, uji i ftohtë i burimeve dhe përrenjve malorë, të ushqyer nga borërat e dimrit, është baza e bujqësisë dhe blegtorisë verore.
Ky ujë përdoret për ujitjen e bahçeve dhe livadheve, ndërsa lagështia e mjaftueshme mban gjallë kullotat alpine ku ngjiten çdo verë kope të tëra.
Ndërsa bora shkrihet çdo vit e më herët, uji vjen i tepërt në pranverë, kur nuk ka ende shumë nevojë, dhe mungon në gusht e shtator, kur kërkesa është më e lartë. Kjo sjell stres ujor për bimësinë, ul prodhimin dhe i detyron banorët të improvizojnë depozita apo kanale devijuese.
Këto ndryshime prekin drejtpërdrejt blegtorinë tradicionale dhe kullotësit transhumantë (barinj që i zhvendosin kopetë sipas stinëve nga luginat në kullotat alpine dhe anasjelltas).
Thatësirat e shpeshtuara dëmtojnë barin, livadhet verdhërohen më shpejt dhe kopeve u duhet të zbresin më herët nga malet, ose të pakësohen. Krahas pasojave ekologjike, janë edhe ato social-ekonomike. Më pak qumësht, djathë dhe gjalpë vendas, më pak të ardhura për familjet malore dhe një shtysë tjetër drejt braktisjes së fshatit.
Kjo lidhet ngushtë edhe me agroturizmin. Shumë vizitorë shkojnë në Alpet Shqiptare jo vetëm për shtigjet dhe panoramat, por edhe për tavolinën me djathë stani, kos, mish të pjekur dhe produkte të tjera “të zonës”.
Nëse cikli i ujit çrregullohet dhe kullotat dobësohen, vihen në provë pikërisht këto “shije malore” që sot janë një nga asetet më të forta të turizmit në këto zona.
Biodiversiteti dhe liqenet akullnajore
Liqenet akullnajore janë si laboratorë natyrorë të hapur. Uji i tyre shumë i ftohtë dhe i pastër, me pak lëndë ushqyese, favorizon specie të veçanta peshqish, insektesh ujorë dhe mikroorganizmash, të cilët shpesh nuk gjenden askund tjetër.
Kur temperaturat e ujit rriten, periudhat pa reshje zgjaten dhe në pellgun ujëmbledhës shtohet erozioni nga shpyllëzimi, rrugët e reja apo ndërtimet e pakontrolluara.
Në këto kushte, ekosistemi fillon të “lodhet” dhe komunitetet biologjike ndryshojnë. Disa liqene akullnajore tashmë thahen sezonalisht në verat më të thata, duke zhdukur përkohësisht faunën ujore që strehojnë.
Edhe fauna tokësore reagon ndaj kësaj klime në ndryshim. Speciet e lidhura me të ftohtin, insekte dhe zvarranikë tipikë të lartësive, detyrohen të ngjiten gjithnjë e më lart në kërkim të mikroklimave më të freskëta.
Në një masiv me lartësi sa Alpet Shqiptare, kjo “përzënie drejt majës” e biodiversitetit ka hapësirë shumë të kufizuar. Kur s’ka më lartësi ku të tërhiqen, rreziku është zhdukja e këtyre specieve.
Gjithashtu, thellimi i luginave nga akullnajat dhe shkëmbinjtë e zhveshur krijojnë vende të rrezikshme për rrëshqitje të gurëve dhe ortekëve. Me shkrirjen e akullit lidhës mes shtresave, shpesh ndodhin shembje shkëmbore.
Kjo jo vetëm ndryshon peizazhin, por rrezikon edhe turistët e alpinistët. Për shembull, në Alpet zvicerane, zhdukja e akullit ndërlidhës ka sjellë shembje të frikshme, një fenomen që mund të pritet (në shkallë më të vogël) edhe në Alpet Shqiptare.
Turizmi malor dhe ekonomia lokale
Asnjë sektor nuk e sheh kaq qartë ndryshimin sa turizmi. Alpet Shqiptare, dhe veçanërisht Parku Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, kanë parë një rritje të ndjeshme të vizitorëve vitet e fundit.
Mijëra turistë ndërkombëtarë vijnë për pamjet malore, liqenet alpine dhe kulturën lokale. Një element kyç i peizazhit veror ka qenë gjithmonë bora e mbetur në maja dhe cirqe, me turistë të entuziazmuar kur gjejnë dëborë edhe në korrik.
Në Theth, “gropa e borës”, një vend ku dikur gjeje dëborë edhe në gusht, vitet e fundit është bosh që në korrik. Disa liqene të vegjël akullnajorë kanë qenë në nivele shumë më të ulëta se mesatarja e viteve të mëparshme, duke ndryshuar jo vetëm peizazhin, por edhe përvojën vizuale që turistët presin.
Nga ana tjetër, turizmi dimëror në zona si Bogë, Dardhë dhe Voskopojë varet nga një sezon i sigurt bore. Shumica e pistave të skive në Shqipëri ndodhen në lartësi modeste, rreth 1200–1600 metrash.
Analizat klimatike për rajonin alpin tregojnë se, me kushtet e reja, “vija e sigurisë së borës” po zhvendoset drejt 1800 metrave e lart, dhe vetëm një pjesë e terreneve aktuale do të kenë dëborë të mjaftueshme në të ardhmen.
Sezonet e shkurtuara dhe vitet pa dëborë të qëndrueshme e bëjnë të vështirë kthimin e investimeve në pistat e skive dhe infrastrukturën shoqëruese.
Kjo dëshmon se modeli “vetëm ski dhe borë” nuk mjafton më. Shumë destinacione në Europë po e zhvendosin fokusin drejt një turizmi 4-stinor: hiking, trail running, alpinizëm, çiklizëm malor, ecje me raqe bore, ski-touring, festivale kulinarie dhe aktivitete kulturore.
Edhe në Alpet Shqiptare, kjo lëvizje tashmë ndihet. Po shtohen shtigjet e shënuara, guidat e specializuara për hiking me përvoja të plota malore gjatë gjithë vitit.
Nga një këndvështrim pozitiv, shkrirja e akullit dhe ndryshimi i klimës na detyrojnë ta mendojmë shumë më seriozisht qëndrueshmërinë e turizmit malor: çfarë modeli zhvillimi zgjedhim, sa ngarkesë turistike mund të mbajnë luginat pa u dëmtuar dhe si i mbrojmë burimet e ujit dhe peizazhin, nga të cilët varet vetë atraktiviteti turistik i Alpeve Shqiptare.
Në vitet e fundit, janë rritur monitorimet e liqeneve akullnajore, temperaturave dhe borës në Alpet Shqiptare. Studime të reja tregojnë trende të qarta të ngrohjes, ndryshimit të prurjeve të ujit dhe rënies së volumit të borës.
Në terren, udhërrëfyesit e hiking/trekking dhe komunitetet lokale po bëhen dëshmitarët e parë të këtyre ndryshimeve. Ata shohin se ku mungon bora, ku liqenet tërhiqen, ku shtigjet bëhen më të ekspozuara ndaj rrëshqitjeve dhe rrëzimeve të gurëve.
Shumë prej tyre kanë filluar ta shpjegojnë këtë realitet për vizitorët, duke e kthyer hiking-un jo vetëm në aktivitet sportiv, por edhe në një formë “turizmi njohës” për klimën dhe natyrën.
Në nivel politik e institucional, Shqipëria ka miratuar dokumente strategjike për adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike dhe për menaxhimin e zonave të mbrojtura, përfshirë Parkun Kombëtar të Alpeve Shqiptare.
Projekte të financuara nga donatorët ndërkombëtarë synojnë njëkohësisht forcimin e menaxhimit të parqeve, mbrojtjen e burimeve ujore malore dhe mbështetjen e ekonomive lokale përmes turizmit të qëndrueshëm.
Megjithatë, shumë nga këto masa mbeten ende në letër ose në faza pilot. Nevojiten më shumë sinjalistikë dhe informim në shtigjet kryesore, me panele që tregojnë historinë glaciologjike të luginave, ndryshimet e vëzhguara dhe japin udhëzime të thjeshta për t’u sjellë me kujdes ndaj mjedisit.
Po ashtu, duhen rregulla më të qarta ndërtimi në zonat malore, të cilat kufizojnë ndërtime të pakontrolluara që dëmtojnë burimet e ujit dhe peizazhin, ndërsa nxisin bujtinat tradicionale dhe një arkitekturë të përshtatshme për klimën malore.
Sigurisht, frenimi i ngrohjes globale kërkon veprime afatgjata në nivel botëror, por ndërkohë vendimet që marrim në menaxhimin e pyjeve, ujit dhe turizmit malor mund të bëjnë diferencë të prekshme për fshatrat alpine në dekadat që vijnë.
Malet tona në një klimë që po ngrohet
Shqipëria është një vend i vogël në hartë, por peizazhi i saj malor mbart një histori të gjatë akulli, bore dhe uji.
Alpet Shqiptare dëshmojnë se dikur aty zbrisnin akullnaja madhështore, të cilat kanë gdhendur luginat që sot i shëtisim me çanta shpine, kanë krijuar liqene kristalorë ku freskohemi në verë dhe kanë ushqyer burimet nga të cilat varen fshatra të tërë.
Humbja e akullnajave tona është një kujtesë e fuqishme e asaj që po ndodh në të gjithë globin, një “parathënie” e ndryshimeve më dramatike që mund të vijnë.
Viti 2025, i shpallur “Vit Ndërkombëtar i Akullnajave”, mund të na shërbejë si motivim për të vlerësuar, për të studiuar dhe për të ruajtur trashëgiminë tonë glaciologjike.
Në fund, gjithçka zbret te zgjedhjet tona të përditshme dhe te politikat që mbështesim: sa kujdes tregojmë për burimet e ujit, si ndërtojmë në mal, çfarë modelesh turizmi promovojmë, sa seriozisht e marrim kursimin e energjisë.
Nëse këto elemente lidhen me peizazhin që duam të ruajmë, ka shpresë që malet tona të vazhdojnë të mbeten jo vetëm të bukura, por edhe të banueshme e mikpritëse në një klimë që po ngrohet./Monitor






















