Sociale 12 December 2025, 12:57 Nga VNA

Pasi shiti bileta deri në mëngjes, Air Albania anulon sërish fluturimet, nuk pranon falimentin

Ndaje në Whatsapp

Pasi shiti bileta deri në mëngjes, Air Albania anulon sërish

Ndërsa pritej që Air Albania të rifillonte sot fluturimet drejt Stambollit, pasi deri në mëngjesin e të premtes ishte e mundur të blije bileta online, afër mesditës ato janë anuluar sërish.

Në faqen e Air Albania, tashmë tregohet që nuk ka fluturime deri ditën e hënë, dhe ato pritet të rifillojnë sërish të martën pasdite në datën 16 dhjetor. Burimet pranë kompanisë thanë se shoqëria nuk ka falimentuar, por po punon që të zgjidhë problemet dhe të rifillojë fluturimet, ndonëse fillimisht ishte planifikuar që ato të rinisnin sot.

Kjo është e disata herë në harkun kohor të dy javëve që kompania anulon fluturimet, por megjithatë ka vijuar që të shesë bileta.

Agjencitë e udhëtimit thonë që tashmë ata kanë frikë nga anulimet dhe nuk po blejnë më bileta me Air Albania për në Stamboll, ndërsa udhëtimet tranzit me Turkish Airlines po bëhen përmes aeroporteve të Podgoricës ose Prishtinës.

Air Albania përballonte një fluks të lartë të udhëtimeve drejt Stambollit me dy deri në tre fluturime në ditë, si për lidhje direkte për ata që udhëtojnë për tregti, turizëm e të tjera, ashtu dhe për faktin që aeroporti më i madh i Europës është një nyje e rëndësishme e tranzitit me gjithë botën.

Sipas të dhënave zyrtare nga Tirana International Airport, për vitin 2024 nga dhe drejt Stambollit nga Rinasi udhëtuan rreth 408 mijë pasagjerë, duke qenë destinacioni i gjashtë me trafikun më të lartë, pas Milano+Bergamo, Londrës, Romës, Bolonjës, Treviso, Piza.

Problemet me operatorin kanë filluar në mes të nëntorit, pasi Turkish Airlines ka njoftuar se ka vendosur të shesë gjithë pjesën e saj prej 49% në Air Albania. Prej dy javësh nuk është e mundur që biletat përmes Turkish Airlines (për udhëtimet tranzit), ndërsa biletat nga Tirana në Stamboll priten nga vetë nga Air Albania. Por edhe kur priten ato vetëm po anulohen dhe nuk ka asnjë informacion për mbrojtjen e të drejtave të pasagjerëve, që duhet të marrin rimbursim, edhe pse Air Albania ishte një nismë shtetërore dhe qeveria zotëron përmes kompanisë shtetërore Albcontrol 10% të aksioneve.

Në vitin 2023 “Air Albania”, ishte operatori i dytë më i madh në vend, me 7% të tregut. Por, në vitin 2024 zbriti në vend të tretë, me një peshë prej 3.4% sipas numrit të pasagjerëve. Dominimi më i lartë i kompanisë u shënua në 2021-n, ku arriti të marrë 18% të tregut.

Më pas, konkurrenca e “Wizz Air” dhe “Ryanair” ndikoi në aktivitetin e këtij operatori në destinacionet përveç Stambollit.
Kompania nuk ka dorëzuar asnjëherë bilanc. Sipas të dhënave nga Tatimet, qarkullimi vjetor i kompanisë ishte rreth 3.8 miliardë lekë në vitin 2021, për të arritur në rreth 5 miliardë lekë në vitin 2022 dhe 5.5 miliardë lekë në vitin 2023.

Në vitin 2024, të ardhurat janë rreth 4 miliardë lekë, sipas të dhënave indirekte nga Tatimet. Kompania ka rezultuar historikisht me humbje të larta, duke e kthyer atë sot në një shoqëri praktikisht të falimentuar./Monitor.al/

Pasi shiti bileta deri në mëngjes, Air Albania anulon sërish

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme