Kronika 21 May 2026, 14:03 Nga VNA

SKANDALI/ Ndryshon ligji për Policinë e Shtetit: Hiqen konkurrimet për shefat dhe drejtorët, kalohet në emërime direkte

Ndaje në Whatsapp

edi-rama-me-policet-905x395.jpg

Vetëm dy vite pas miratimit të ligjit të ri për Policinë e Shtetit, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar në Kuvend një projektligj për ndryshimin e tij. Ndryshimet e propozuara nga deputetët Bujar Rexha, të analizuara nga VNA, synojnë të përmbysin tërësisht sistemin aktual të ngritjes në detyrë dhe organizimit strukturor të policisë, duke eliminuar konkurset formale për pozicionet kyçe drejtuese.

Sipas relacionit shoqërues, sistemi aktual i përzgjedhjes me konkurs ka dështuar, duke krijuar burokraci dhe vonesa të pafundme operacionale. Projektligji i ri prek nene të rëndësishme që rregullojnë emërimet, gradat, strukturën e drejtorive vendore dhe statusin e drejtuesve të lartë.

Gjetjet Kryesore të Projektligjit (Ndryshimet e Propozuara)
Shfuqizimi i konkurrimit për postet drejtuese: Hiqet procedura e konkurrimit për pozicionet e larta: Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm, Drejtor Departamenti, Drejtor Vendor dhe Shef Komisariati. Emërimet do të bëhen me urdhër direkt të Drejtorit të Përgjithshëm ose Ministrit.

Kalimi në modelin "Hibrid" të drejtimit: Shfuqizohet ndarja e prerë e kontrollit vertikal (ku rendi dhe hetimi i krimit ishin të ndara në mënyrë të prerë në nivel vendor). Kthehet autoriteti i vetëm vendor (Drejtori Vendor) që koordinon zëvendësdrejtoret sipas fushave.
Përcaktimi i numrit të personelit: Numri total i personelit të Policisë së Shtetit do të miratohet me Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) me propozim të Ministrit, duke hequr kompetencën e deritanishme të Ministrit për ta bërë këtë me urdhër të veçuar për çdo departament.

Statusi i ri për ish-Drejtorin e Përgjithshëm: Pas lirimit nga detyra, Drejtori i Përgjithshëm nuk del më jashtë sistemit, por rikthehet në polici me gradën "Drejtues i Parë", duke kryer funksione këshillimore, pedagogjike ose oficer kontakti, si dhe gëzon trajtim të veçantë financiar të miratuar nga VKM.

Shkurtimi i afateve të gradave (Komisar dhe Kryekomisar): Afati i qëndrimit në gradat "Komisar" (për t'u bërë Kryekomisar) dhe "Kryekomisar" (për t'u bërë Drejtues) shkurtohet në 4 vjet (nga 5 vjet që ishte).

Gradat "Ekstra" për Akte Heroike: Drejtori i Përgjithshëm fiton të drejtën t'i japë punonjësit gradën pasuese pa konkurrim, për akte heroike apo profesionalizëm të lartë, por kjo nuk duhet të kalojë 2% të limitit të përgjithshëm të gradave.
Certifikata vlerësimi edhe për civilët: Drejtori i Përgjithshëm mund t'u japë certifikata vlerësimi edhe personelit civil e administrativ të policisë, jo vetëm atij policor.

"Konkurset u kthyen në pengesë" – Çfarë thotë Relacioni? (Citime Konkrete)
Në relacionin e siguruar, deputetët nismëtarë argumentojnë fort se procedura e deritanishme e konkurrimit ka sjellë një "ngërç të tejzgjatur" dhe ka paralizuar reagimin e policisë ndaj krimit:

"Procedura e përzgjedhjes së drejtuesve të strukturave të nivelit të lartë policor, është kthyer në pengesë në vetë ushtrimin e veprimtarisë së tyre, kanë ulur ndjeshëm reagimin dhe produktivitetitn e veprimtarisë qoftë administrativ po ashtu dhe atë operativ, për shkak të një procesi konkurrimi të tejzgjatur në kohë dhe pa produktivitet përzgjedhje."

Relacioni godet gjithashtu sistemin e deritanishëm duke e quajtur atë thjesht burokratik dhe formal:

"Zhvillimi i këtij procesi, ka shtuar procedurat burokratike, formale dhe aspak efektive për përzgjedhjen e drejtuesve në pozicione të larta drejtuese... Konkurrimi në vetvetë, është pjesë e një procesi demokratik dhe meritokratik përzgjedhje, por në rastin konkret, është një proces që nuk i ka shërbyer kësaj organizate..."

Alarmi për "Spiralen e Komandimeve" në Terren
Një tjetër problematikë e madhe e ngritur në relacion lidhet me faktin se si proceset e gjata të konkurrimit i mbanin komisariatet dhe drejtoritë me muaj të tërë me drejtues "të komanduar", duke sjellë pasiguri dhe humbje autoriteti përpara krimit:

"Nga një analizë e situatës konkrete, konstatohet se një drejtues vendor shkarkohet nga detyra, duke çuar në një spirale 'komandimesh' që zgjasin pafundësisht në pritje të shpalljes së konkurrimeve. Kjo praktikë e konkurrimeve të shpeshta po krijon një rotacion të pasigurt... Statusi 'i komanduar' i punonjësit të policisë, krijon një gjendje pasigurie, për të gjithë ekipin, pasi një drejtues i përkohshëm nuk arrin në kohë të ndërtojë autoritetin e plotë."


Prandaj, sipas nismëtarëve, heqja e konkurseve është e domosdoshme:

"Heqja e procedurës së konkurrimit për këto pozicione, duke parashikuar emërimin e tyre pa konkurrim formal, diktohet nga nevoja për fleksibilitet operacional dhe përgjegjësisë së lartë institucionale që kanë..."

Dështimi i "Modelit Vertikal" të Ndarjes së Rendit nga Hetimi
Relacioni pranon hapur se ndarja e prerë e shërbimeve të rendit nga hetimi i krimit në nivel vendor – e cila u trumbetua si risi e madhe në ligjin e vitit 2024 – ka dështuar plotësisht në terren dhe ka krijuar kosto të papërballueshme financiare:

"Modeli i drejtimit vertikal, kërkon ndarjen e prerë të shërbimit të rendit nga shërbimi i hetimit të krimit, e cila nuk është reflektuar në strukturën faktike të Policisë së Shtetit, sepse në terren ka rezultuar i pazbatueshëm... Modeli vertikal sjell vonesa në vendimmarrje dhe një centralizim të panevojshëm..."


Më tej, në dokument shtohet se ky model do të kërkonte dy drejtorë për një godinë:

"Zbatimi i plotë i kontrollit vertikal do të kërkonte ndarjen fizike të Drejtorive Vendore, në një godinë me dy drejtues/autoritet, një për shërbimin e rendit dhe një tjetër për hetimin e krimit. Kjo do të thotë jo vetëm dublim kompetencash por edhe dublim i zyrave, i logjistikës dhe kosto shtesë në buxhet..."


Shkurtimi i afateve të gradave dhe "Vlerësimi për Aktet Heroike"
Për sa i përket ndryshimeve në karrierë, relacioni sqaron se pritja prej 5 vitesh për të marrë një gradë tjetër i demotivonte profesionistët:

"Një afat prej 5 vitesh për secilën gradë, vlerësohet më shumë si kriter formal dhe i tejzgjatur, duke krijuar një demotivim te profesionistët që prodhojnë rezultate... Nuk ka sens që një punonjës policie i zoti... t'i nënshtrohet një afati kaq të gjatë..."

Ndërsa për gradimet e jashtëzakonshme pa konkurs nga Drejtori i Përgjithshëm, relacioni thotë:

"Vlerësojmë, se ligji duhet t'i japë Drejtorit të Përgjithshëm një mundësi ligjore, që në raste të jashtëzakonshme, të veprojë me forcën e mirënjohjes... për akte heroike, sakrifica apo rrezikshmëri të lartë të ndërmarrë në shërbim të rendit dhe luftës kundër krimit."
Projektligji tashmë ka kaluar për shqyrtim në komisionet parlamentare dhe pritet të kalojë së shpejti për votim në seancë plenare në Kuvend.

 
 
 
 
 
 
 
 

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme