Bota 6 February 2025, 09:20 Nga VNA

Si po përgatitet BE për një konflikt tregtar me SHBA?

Ndaje në Whatsapp
Si po përgatitet BE për një konflikt tregtar me SHBA?

Donald Trumpi ende nuk e ka jetësuar kërcënimin për të vendosur tarifa të reja doganore ndaj BE. Presidenti amerikan fillimisht sulmoi fqinjët e tij.

Para disa ditësh, ai njoftoi tarifat e importit prej 25 për qind për mallrat nga Kanadaja dhe Meksika dhe fillimisht vonoi zbatimin e tyre. Por nëse ato hyjnë në fuqi, edhe industria evropiane do të ndjejë pasojat, thotë Bernd Lange, kryetar i komitetit të tregtisë në Parlamentin Evropian.

Në fakt, prodhuesit dhe nënkontraktorët gjermanë të automjeteve prodhojnë në Meksikë dhe Kanada për tregun amerikan. Kjo është arsyeja pse investimi i VW në një fabrikë baterish në Ontario, Kanada, nuk do të ishte më fitimprurës, nëse tarifat e SHBAdo të rriteshin me 25 për qind, shpjegon Lange.

Gjermania është veçanërisht e ndjeshme

SHBA është partneri më i rëndësishëm tregtar për industrinë gjermane të automobilave. Prodhuesit dhe furnizuesit gjermanë krijojnë 140.000 vende pune në SHBA. Prodhimi atje po shkon në një nivel rekord - tani për tani. Sepse Trumpi i ka vënë kompanitë  gjermane veçanërisht në shënjestër. Në mandatin e tij të parë ai kërcënoi se do të vendoste tarifa doganore për automjetet, por nuk i vuri.

Presidenti amerikan është i indinjuar nga deficiti i madh tregtar me Evropën: BE importon mallra nga SHBA me vlerë rreth 160 miliardë euro më shumë se sa merr prej saj. Trump e quan këtë një "turp".

"Përgjigje ndaj politikave doganore me politika doganore.”

Sipas Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore, një konflikt tregtar transatlantik do ta godiste BE shumë më rëndë se SHBA. Kjo është arsyeja pse BE po reziston me oferta dhe kërcënime.

BE përsëriti ofertën e tij për të qëmtuar fushat e bashkëpunimit me qeverinë e SHBA. Kjo mund të përfshijë blerjen e më shumë gazi natyror të lëngshëm (LNG) ose uljen e tarifave për importet e automjeteve nga SHBA. BE aktualisht zbaton një tarifë prej 10 për qind, ndërsa tarifa për automjetet e importuara në SHBA është vetëm 2.5 për qind.

Veç kësaj, BE ripohon unitetin e supozuar ndaj Uashingtonit. BE tha se në rast konflikti, Komisioni Evropian, i cili është përgjegjës për çështjet e tregtisë së jashtme, mund të përgjigjet shpejt dhe në mënyrë të shënjestruar. Këtë e theksuan edhe disa krerë shtetesh dhe qeverish në samitin jozyrtar të së hënës në Bruksel. Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se BE, si një zonë e fortë ekonomike, mund t'i përgjigjet politikave doganore edhe me politika doganore. Kjo është ajo që duhet të bëjmë dhe këtë do të bëjmë.

Tarifat doganore si mjet presioni politik

Trumpi i justifikoi tarifat doganore të shpallura kundër Meksikës, Kanadasë dhe Kinës me faktin se shtetet në fjalë nuk po bëjnë sa duhet për të luftuar migrimin e paligjshëm dhe trafikun e drogës. Në një memorandum të 20 janarit drejtuar departamenteve përkatëse të SHBA, Trumpi tha se politika tregtare ishte një element i rëndësishëm i sigurisë kombëtare.

BE është përgatitur që presidenti amerikan mund të përdorë masat ekonomike si levë për të arritur qëllimet politike. Por Brukseli e konsideron veten këtë herë më të pajisur se sa gjatë mandatit të parë të Trumpit, për t'u përballur me një konflikt të mundshëm tregtar me Uashingtonin.

Eksperti i tregtisë Lange i referohet një Task Force të Komisionit Evropian dhe një ligji të ri kundër masave shtrënguese ekonomike. Kjo rregullore i lejon BE të vendosë shpejt kundër-taksa, të pezullojë patenta dhe të përjashtojë vendet e treta nga prokurimet publike.

Ora po troket

Është e paqartë se kur Trumpi do të vendosë me të vërtetë tarifa doganore ndaj Evropës. Por kjo mund të ndodhë shpejt. Tarifat ndëshkuese që ai vendosi shtatë vjet më parë për importet e çelikut dhe aluminit, midis të tjerash nga BE, nuk janë hequr.

Paraardhësi i Trumpit, Joe Biden, i pezulloi ato deri në fund të vitit. Aktualisht, disa kuota të çelikut dhe aluminit janë të përjashtuara nga taksat shtesë doganore. Trumpi aktualisht po shqyrton pezullimin e tyre më së voni deri në fillim të prillit.

Në mënyrë të ngjashme, detyrimet doganore reciproke të vendosura në vitin 2018 nga BE për motoçikletat Harley-Davidson, uiskin Bourbon dhe xhinset vetëm janë pezulluar. Megjithatë, detyrimi për paqe skadon në fund të marsit. Pra, ora po troket./ DW

Video

Dy fëmijë janë filmuar duke luajtur volejboll në një fushë të improvizuar mes rrënojave në Gaza. Me shkolla, parqe dhe hapësira lojërash të dëmtuara ose të shkatërruara nga bombardimet izraelite, fëmijët po i kthejnë hapësirat mes rrënojave në vende ku mund të luajnë. Pamjet tregojnë kontrastin mes shkatërrimit të luftës dhe përpjekjes së fëmijëve për të gjetur momente normaliteti dhe gëzimi në një realitet të vështirë.

14 shtator 1998. Ceremonia mortore e Azem Hajdarit dhe ajo që ndodhi më pas… VideoCredits: FM Images Albania

Një avion privat që transportonte këngëtarin brazilian Rey Vaqueiro dhe pjesëtarë të ekipit të tij doli nga pista dhe u përfshi nga flakët gjatë uljes në Parelhas, në shtetin Rio Grande do Norte të Brazilit. Në bordin e avionit ndodheshin tetë persona, gjashtë pasagjerë dhe dy anëtarë të ekuipazhit. Të gjithë arritën të largoheshin nga avioni pas aksidentit dhe u dërguan në spitalin e Parelhas për kontroll mjekësor. Autoritetet nuk raportuan të lënduar rëndë. Sipas zjarrfikësve, avioni doli përtej kufirit të pistës gjatë uljes dhe më pas u përfshi nga zjarri. Kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, dy turbinat ishin ende në flakë. Operacioni për shuarjen e plotë të zjarrit dhe ftohjen e turbinave zgjati rreth pesë orë.

Dy fëmijë janë filmuar duke luajtur volejboll në një fushë të improvizuar mes rrënojave në Gaza. Me shkolla, parqe dhe hapësira lojërash të dëmtuara ose të shkatërruara nga bombardimet izraelite, fëmijët po i kthejnë hapësirat mes rrënojave në vende ku mund të luajnë. Pamjet tregojnë kontrastin mes shkatërrimit të luftës dhe përpjekjes së fëmijëve për të gjetur momente normaliteti dhe gëzimi në një realitet të vështirë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme