Sociale 27 May 2026, 07:33 Nga VNA

Shqiptarët, ndër më të lodhurit emocionalisht në vendin e punës në Europë, Kosova rekord

Ndaje në Whatsapp

17% e punonjësve shqiptarë kanë deklaruar se ndihen “gjithmonë” ose “shumicën e kohës” të lodhur emocionalisht nga puna e tyre.

Kjo përqindje është ndër më dhjetë të lartat në Europë dhe mbi mesataren e Bashkimit Europian prej 13%.

Megjithatë, në rajon, rekordin e mban Kosova, me 29% që janë të lodhur emocionalisht gjithmonë ose shumicën e Kohës, e dyta më e lartë në Europë, pas Qipros, Mali i Zi (26%), Maqedonia e veriut (21%). Serbia është në të njëjtat nivele me Shqipërinë, ndërsa nivelin më të ulët të lodhjes emocionale në punë e ka Bosnjë Hercegovina (13%).

Të dhënat janë publikuar nga raporti i fundit i Komisionit Europian për anketimin mbi kushtet e punës dhe punën e qëndrueshme, që realizohet një herë në 5 vjet dhe u publikua në prill.

Anketimi mat dhe lodhjen fizike, ku punonjësit shqiptarë duket se ankohen më pak, në raport me vendet e tjera të Europës, me 26% që janë gjithmonë ose vazhdimisht të lodhur fizikisht.

Në këtë nivel, Shqipëria është ndër 10 të fundit e Europës, më e ulët se mesatarja e BE-së prej 28%, dhe shumë larg niveleve të Malit të Zi (38%), Maqedonisë së Veriut (35%), Kosovës (34%), Serbisë (30%), Bosnjës (29%).

Anketa
Anketa pyeti të anketuarit në Europë nëse ndiheshin fizikisht të rraskapitur në fund të ditës së punës dhe nëse puna i linte emocionalisht të lodhur. Këto konsiderohen disa nga simptomat e “burnout”-it. (rraskapitje fizike dhe emocionale nga puna, që shfaqet pas një periudhe të gjatë stresi dhe ngarkese të lartë).

Sa i përket rraskapitjes emocionale, 3% e punonjësve në BE raportojnë se ndihen gjithmonë emocionalisht të lodhur nga puna, 10% shumicën e kohës, 28% ndonjëherë, 30% rrallë dhe 29% asnjëherë.

Edhe në këtë rast, gratë kanë më shumë gjasa sesa burrat ta përjetojnë këtë gjithmonë ose shumicën e kohës, përkatësisht 15% kundrejt 12%.

Rraskapitja e vazhdueshme emocionale është më e përhapur te teknikët dhe operatorët e impianteve e makinerive, me nga 15%. Sipas sektorëve, arsimi me 18% dhe shëndetësia me 17% kanë përqindjet më të larta të punonjësve të prekur.

Punonjësit e punësuar raportojnë rraskapitje emocionale më shpesh sesa të vetëpunësuarit, përkatësisht 14% kundrejt 11%.

Në krahasimin mes vendeve, përqindja më e lartë e punonjësve që ndihen gjithmonë ose shumicën e kohës emocionalisht të rraskapitur regjistrohet në Qipro, me 36%, ndërsa më e ulëta në Holandë, me 6%.

Në të gjithë BE-në, 8% e punonjësve thonë se ndihen gjithmonë të rraskapitur fizikisht në fund të ditës së punës, 20% shumicën e kohës, 39% ndonjëherë, 22% rrallë dhe 10% asnjëherë.

Gratë kanë më shumë gjasa sesa burrat të raportojnë rraskapitje fizike gjithmonë ose shumicën e kohës, përkatësisht 30% kundrejt 26%.

Sipas profesioneve, pjesa e punonjësve që ndihen të rraskapitur fizikisht shumicën e kohës ose gjithmonë varion nga 20% te punonjësit administrativë deri në 37% te punonjësit e kualifikuar në bujqësi.

Sipas sektorëve, përqindjet më të larta regjistrohen në shëndetësi dhe bujqësi, të dyja me 35%.

Dallime të mëdha shfaqen edhe mes vendeve. Në Qipro, gati gjysma e punonjësve, 44%, raportojnë se ndihen gjithmonë ose shumicën e kohës të rraskapitur fizikisht për shkak të punës, përqindja më e lartë ndër vendet e përfshira në anketë. Në të kundërt, niveli më i ulët i rraskapitjes fizike vërehet në Holandë, me 18%.

Problemet shëndetësore më të zakonshme të raportuara nga punonjësit janë dhimbjet muskulare në shpatulla, qafë dhe gjymtyrët e sipërme, si edhe dhimbjet e shpinës, të dyja të raportuara nga 52% e të anketuarve. Më pas renditen dhimbjet e kokës dhe lodhja e syve me 47%, dhimbjet muskulare në ije dhe gjymtyrët e poshtme me 38%, si dhe ankthi me 21%.

Gratë raportojnë më shumë probleme shëndetësore sesa burrat në të gjitha kategoritë e përfshira në anketë. Diferencat më të mëdha gjinore shfaqen te dhimbjet e kokës dhe lodhja e syve, të raportuara nga 54% e grave dhe 41% e burrave, si dhe te ankthi, i raportuar nga 26% e grave dhe 16% e burrave.

Anketa
Anketa Europiane për Kushtet e Punës 2024, e publikuar në prill të këtij viti ofron një panoramë të plotë të cilësisë së punës në Europë, duke analizuar karakteristikat e fuqisë punëtore, vendet e punës, cilësinë e punës dhe cilësinë e jetës në punë.

Anketa është një instrument i rëndësishëm për politikëbërësit, pasi nxjerr në pah rolin e cilësisë së punës në arritjen e një rritjeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në Europë.

Gjetjet e anketës bazohen në 36,644 intervista ballë për ballë, të zhvilluara në 35 vende. Çdo intervistë zgjati rreth 45 minuta, duke ofruar një pasqyrë unike mbi gjendjen e punës në Europë.

Kjo anketë është zhvilluar në mënyrë të rregullt që nga viti 1990, duke ofruar një seri të krahasueshme të të dhënave për kushtet e punës në Europë në intervale pesëvjeçare.

 

Marre nga Revista Monitor

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi takimin e tij të parë me kryeministrin e ri të Britanisë së Madhe në bordin e aeroplanmbajtëses HMS Queen Elizabeth, në bazën detare të Portsmouthit. Gjatë bisedës, kryeministri britanik rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën, ndërsa Zelensky ftoi kryeministrin të vizitojë vendin e tij.

Të paktën dy persona humbën jetën pasi një automjet u godit nga një sulm ajror në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve, sulmi u krye nga forcat izraelite, ndërsa viktimat ishin dy zyrtarë të sigurisë së Hamasit. Ushtria izraelite konfirmoi se kishte në shënjestër një militant të Hamasit.

Një vizitor i pazakontë shkaktoi panik dhe habi në një aeroport të Nju Jorkut, pasi një rakun ra papritur nga tavani i terminalit mbi udhëtarët. Ende mbetet mister se si kafsha përfundoi mbi tavan dhe çfarë po bënte aty. Pas “uljes së detyruar”, rakuni u largua me shpejtësi, duke lënë pas pasagjerë të trembur dhe një episod sa të pazakontë, aq edhe komik. Pamjet janë regjistruar në nëntor 2024, por së fundmi janë bërë virale në rrjetet sociale.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme