Kronika 15 Korrik 2025, 18:43 Nga VNA

Shkarkimi nga puna i minatorit pas protestës, Albchrome akuzohet për hakmarrje

Ndaje në Whatsapp

Kompania Albchrome pushoi nga puna një prej minatorëve, pjesë e grupit përfaqësues në bisedimet mes kompanisë dhe punëtorëve, pas protestës për rritje të pagave. Minatori Altin Kola thotë se u shkarkua për grisjen e një njoftimi. Sindikatat e cilësuan shkarkimin si akt hakmarrjeje.

Altin Kola, një prej minatorëve të Minierës së Kromit në Bulqizë dhe pjesë e grupit përfaqësues të punëtorëve në bisedimet me kompaninë Albchrome, është pushuar nga puna me një vendim të menjëhershëm.

“Më hoqën nga puna, më kanë hequr bukën e fëmijëve. Jam vetë i katërti në familje dhe e ardhura e vetme ishte rroga ime,” thotë Kola për BIRN, i shqetësuar nga vendimi i kompanisë. Ai shton se, ndonëse janë bërë investime në sigurinë teknike, puna në thellësi nën tokë – deri në 1100 metra – dhe me regjim gazi, me paga minimale, është e pajustifikueshme.

“Ka punonjës që punojnë me 700 mijë lekë të vjetra. Unë që jam në grup prodhimi, arrij deri në 1 milion vetëm duke punuar mbi normë. Kërkuam thjesht një rritje page, por u ndëshkuam,” shton ai.

Në letrën zyrtare të largimit, firmosur nga administratori i përgjithshëm i Albchrome, Cemil Acar, thuhet se Kola ka dëmtuar materiale zyrtare të kompanisë dhe ka ndikuar në përshkallëzimin e situatës me punëmarrësit. Por sipas Kolës, shkarkimi erdhi pasi, i nervozuar nga reagimet e kolegëve, ai grisi një njoftim të kompanisë të vendosur në ambientet e punës.

Kompania kishte njoftuar se, pas takimit me një përfaqësi të minatorëve, ishte rënë dakord për një afat lidhur me kërkesën për rritjen e pagës deri në fund të korrikut. “Punëtorët nuk ishin dakord me këtë zgjatje dhe me të drejtë na akuzuan ne si përfaqësi. Ishim mes dy përplasjeve, dhe në nerva e sipër, grisa njoftimin. Ky ishte faji im, për të cilin sot jam pa punë,” thotë ai.

Largimi i tij ka shkaktuar reagime nga sindikatat dhe minatorët, të cilët e kanë cilësuar veprimin si një akt hakmarrjeje dhe tentativë për të frikësuar zërat kritikë brenda nëntokës. Sindikatat reaguan me deklarata publike dhe e cilësojnë pushimin nga puna si një akt hakmarrës dhe kërcënim ndaj lirisë së organizimit sindikal.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) e ka cilësuar largimin e tij si “të paligjshëm dhe abuziv”, ndërsa ka dënuar publikisht “dhunën psikologjike dhe administrative” të ushtruar ndaj minatorëve. KSSH ka paralajmëruar se do të ndjekë rrugët ligjore për mbrojtjen e punëtorëve dhe do të njoftojë institucionet ndërkombëtare sindikale dhe të punëdhënësve për situatën në minierë.

“Ndërprerja e marrëdhënies së punës ndaj Altin Kolës është një akt i pastër hakmarrjeje për pjesëmarrjen e tij në organizimin e punëtorëve. Shpërndarja e deklaratave për përgjegjësi individuale është një formë e qartë frikësimi dhe shtypjeje sindikale,” thuhet në deklaratën e KSSH-së, që i kërkon shtetit të ndërhyjë dhe të vendosë përballë përgjegjësisë ligjore kompaninë Albchrome.

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB) e ka cilësuar shkarkimin e Kolës si “tentativë për të frikësuar gjithë minatorët” dhe për të shuar çdo zë kundërshtues. “Altini ka qenë gjithmonë në ballë të protestave. Ai nuk është vetëm. Minatorët nuk janë vetëm!”, thuhet në reagimin e SMBB-së, që kërkon rikthimin e menjëhershëm të Kolës në punë dhe zbatimin e kërkesave të protestës.

Nga Inspektorati i Punës në Dibër, konfirmuan për BIRN se kanë marrë dijeni për rastin – kjo pas publikimit në media – dhe do të nisin inspektimin ndaj kompanisë pas vendimit për largimin e punonjësit. “Do të jetë një trupë inspektimi për rastin që do të bëjë verifikimet përkatëse dhe nëse kemi të bëjmë me shkelje të Kodit të Punës. Do kontaktojmë edhe me minatorin,” shprehet Roland Kurti, drejtues i inspektoratit.

Praktika e shkarkimit të punonjësve të përfshirë në protesta nuk është rast i izoluar për kompaninë Albchrome. Në protestën e vitit 2019, katër minatorë u larguan nga puna pasi u identifikuan si pjesë e organizimit sindikal dhe kërkesave për kushte më të mira pune. Kjo qasje është kritikuar nga organizatat sindikale dhe ato të drejtave të njeriut.

Kontaktuar nga BIRN në rrugë elektronike, kompania Albchrome deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka dhënë asnjë qëndrim zyrtar për rastin e shkarkimit të minatorit, Altin Kola.

Ndërkohë pas rifillimit të protestës në mjediset publike të Minierës së Kromit në Bulqizë, kompania Albchrome e kishte cilësuar protestën e punëtorëve si një “grevë të paligjshme”. Pas protestave dyditore, kompania ka shpërndarë edhe një “Deklaratë përgjegjësie individuale”, ku punëtorëve u kërkohej të distancoheshin nga çdo veprim kolektiv dhe të firmosnin një deklaratë që parashikonte pasoja të rënda për ata që nuk i bindeshin urdhrave. Kjo është parë nga shumë punëtorë si një formë presioni për t’i ndarë dhe frikësuar ata që guxojnë të kërkojnë të drejtat e tyre.

Miniera e Bulqizës është përballur vazhdimisht me protesta ndër vite, të nxitura nga pakënaqësitë e punëtorëve për pagat e ulëta, kushtet e vështira të punës dhe mungesën e sigurisë në galeri.

Në përpjekje për të zbutur tensionin, kompania në fillim të vitit rriti pagat me 5%. Por kjo rritje, e konsideruar minimale dhe e vonuar, nuk ka kënaqur punëtorët, të cilët kishin kërkuar rritje 10% në mars.

Kola shprehet se punëtorët ndiheshin të braktisur, pasi as sindikata ekzistuese brenda minierës dhe as strukturat e tjera përfaqësuese nuk ndërhynin realisht për të zgjidhur problemet e tyre, duke i detyruar punëtorët të organizoheshin vetë dhe të krijonin një përfaqësi që të mund të negocionte drejtpërdrejt me kompaninë. “Ne thjesht kërkuam rritje të pagës, pasi jetesa është vështirësuar. U krijua një përfaqësi punëtorësh. Kjo sepse as sindikata dhe as administrata e kompanisë nuk vinin të merreshim vesh,” tregon ai.

Kola ka mbi 11 vite përvojë në minierë dhe ishte një ndër pesë përfaqësuesit e zgjedhur nga vetë punëtorët për të negociuar me kompaninë. Ai gjithashtu ishte një nga themeluesit e SMBB-së dhe ka qenë pjesë e grevës së gjatë të nëntorit 2019, si dhe i mbijetuar nga një aksident i rëndë në galeritë e kromit të Albchrome.

Albchrome është një nga kompanitë më të mëdha në sektorin minerar në Shqipëri, me aktivitet në Bulqizë, Mat, Klos dhe Elbasan. Pas shitjes në vitin 2022 nga Balfin Group, kompania është administruar nga grupi turk “Yildirim International Mining Investments B.V.”. Sektori minerar në Shqipëri mbetet një nga më të rrezikshmit për punonjësit, me kushte pune të vështira dhe mungesë të theksuar të mbrojtjes sociale. Shumë aksidente gjatë viteve kanë rezultuar fatale ose me pasoja të përhershme për jetën dhe shëndetin e minatorëve./BIRN/

 

Video

Një bankomat në Sainsbury është vjedhur duke përdorur një makinë ngritëse teleskopike. Në video duket momenti kur bankomati ngrihet nga makina ngritëse teleskopike dhe ngarkohet në një automjet tjetër, i cili largohet me shpejtësi nga sheshi. Policia e Thames Valley njoftoi se po heton grabitjen që ndodhi rreth orës 00:50 të mëngjesit të së dielës në dyqanin lokal të Sainsbury’s në Brooklands Square, Milton Keynes. Sipas policisë, në vendngjarje është vendosur një perimetër sigurie dhe ka një prani të shtuar policore në zonë.

Mesditën e kësaj të marte në Durrës, një ngjarje e rëndë tronditi banorët e fshatit Shkallnur, ku djali 25-vjeçar Marjan Kodheli ka vrarë me thikë babanë e tij, Pjetër Kodheli, në banesë. 69-vjeçari ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital. Rreth dy orë pas ngjarjes, autori u arrestua nga policia në zonën e plazhit. Burimet bëjnë me dije se 25-vjeçari ka probleme të shëndetit mendor dhe më parë ka shfaqur sjellje agresive. https://www.vna.al/kronika/vrau-babain-me-thike-arrestohet-25-vjecari-ne-durres-i16227

Pamje tronditëse vijnë nga Gjiri i Atlantikut dhe veçanërisht nga Xhamajka, ku ndodhet “syri” i uraganit Melissa, një stuhi shkatërrimtare që po fshin gjithçka përpara me shpejtësi rekord prej 300 km në orë. Kjo e bën “Melissën” uraganin e dytë më të fuqishëm në historinë njerëzore, pas atij të ndodhur rreth 170 vjet më parë. I quajtur nga ekspertët “Uragani i shekullit”, “Melissa” mbërriti pak pas orës 19:00 në kryeqytetin Kingston, duke goditur zonën me forcë ekstreme. Sipas specialistëve meteorologjikë, asnjë strukturë nuk po arrin t’i rezistojë fuqisë së saj shkatërruese. Rrugët në qytete janë bosh. Banorët janë mbyllur në shtëpi, ndërsa shumë pak kanë pranuar të strehohen në qendrat emergjente, vetëm dy nga rreth 50 mijë vende të përgatitura janë mbushur deri tani, në kundërshtim me udhëzimet e autoriteteve.

Marina e SHBA-ve, duke ndjekur urdhrat e presidentit Donald Trump, kreu tre sulme vdekjeprurëse kundër katër anijeve, duke vrarë 14 persona, të cilët ai i përshkroi si “narko-terroristë” dhe të akuzuar për trafik droge në Oqeanin Paqësor Lindor. Lidhur me sulmin, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së deklaroi se “gjithsej 14 narko-terroristë u vranë gjatë tre sulmeve, me një të mbijetuar. Të gjitha sulmet u zhvilluan në ujëra ndërkombëtare pa dëmtime për forcat amerikane”. Ndërsa për të mbijetuarin, ai tha se autoritetet meksikane morën përsipër operacionin e kërkim-shpëtimit. “Departamenti ka kaluar mbi DY DEKADA duke mbrojtur atdheun e tyre. Tani, ne po mbrojmë atdheun tonë. Këta narko-terroristë kanë vrarë më shumë amerikanë sesa al-Kaeda dhe do të trajtohen në të njëjtën mënyrë. “Do t’i lokalizojmë, do t’i rrjetëzojmë dhe pastaj do t’i gjurmojmë dhe do t’i vrasim”, theksoi Hessgeth në postimin e tij.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme