Topi i Artë 2026 do të dorëzohet më 26 tetor dhe gara për çmimin prestigjioz individual mbetet e hapur. Ish-mesfushori i Barcelonës, Ivan Rakitic, ka pranuar se e ka të vështirë të përcaktojë një favorit të qartë, duke theksuar se këtë vit nuk ka një futbollist që është shkëputur dukshëm nga të tjerët.
Në një intervistë për emisionin spanjoll “El Partidazo de COPE”, Rakitic tha se performancat e lojtarëve kanë qenë të shpërndara mes klubeve dhe kombëtareve, veçanërisht pas Kupës së Botës.
“Gjatë këtij viti nuk kam parë asnjë lojtar që të ketë spikatur veçanërisht, as në klubin e tij dhe as në Kupën e Botës”, u shpreh kroati.
Rakitic kujtoi më pas epokën kur gara për Topin e Artë dominohej nga Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.
“Për vite me radhë ishim mësuar që gjithçka të vendosej mes Lionel Mesit dhe Cristiano Ronaldos. Por nuk ka më lojtarë të tillë. Ka shumë që kanë spikatur në ligat e tyre, sidomos me gola, por më pas nuk kanë bërë aq mirë në Kupën e Botës. Ose ka ndodhur e kundërta. Nuk ka një figurë për të cilën të themi se është favorit i qartë”, deklaroi ai.
Megjithatë, ish-lojtari i Barcelonës kishte një preferencë të qartë për kombësinë e fituesit. Sipas tij, një futbollist spanjoll duhet të marrë trofeun këtë vit.
“Për mua, spanjollët janë favoritët. Mund të zgjedhësh pesë apo gjashtë emra dhe cilindo që të nxjerrësh, do të kesh të drejtë. Për mua, duhet të fitojë një spanjoll”, tha Rakitic.
Kur u pyet për tre emrat që do të vendoste në podium, Rakitic përmendi Michael Olise, Lamine Yamal dhe Rodri. Ai veçoi në mënyrë të posaçme yllin francez të Bayern Munich, për të cilin tha se ka diçka ndryshe, edhe pse pranoi se paraqitja e tij në Kupën e Botës nuk ishte perfekte.
“Personalisht, jam një tifoz i madh i Olise. Ai ka diçka të veçantë, por Kupa e Botës e tij nuk ishte perfekte. Krahas tij, do të vendosja Lamine në podium dhe përsëri Rodrin”, u shpreh Rakitic.
Ceremonia e Topit të Artë 2026 do të zhvillohet më 26 tetor, ndërsa deklaratat e Rakitic e shtojnë edhe më shumë debatin për një garë që, sipas tij, nuk ka një favorit të padiskutueshëm.






















