Bota 12 Dhjetor 2024, 19:41 Nga VNA

“Putin dëshiron të zhdukë Ukrainën nga harta”, Kreu i NATO-s: Ka ardhur koha të kemi mendësi lufte!

Ndaje në Whatsapp
“Putin dëshiron të zhdukë Ukrainën nga harta”,

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka paralajmëruar të enjten se presidenti rus, Vladimir Putin, dëshiron “ta zhdukë Ukrainën nga harta” dhe mund t’ua mësyjë pjesëve të tjera të Evropës pastaj.

Për këtë arsye, ai u bëri thirrje evropianëve t’u bëjnë trysni qeverive të veta për t’i rritur shpenzimet në mbrojtje.

“Ka ardhur koha ta kemi një mendësi lufte”, tha Rutte para ekspertëve të sigurisë dhe analistëve në organizatës Carnegie Europe në Bruksel. Ai theksoi se njerëzit duhet të përgatiten për mundësinë që Rusia të përpiqet t’i përdorë “tufa dronësh” në Evropë, siç është duke bërë me ndikim vdekjeprurës në Ukrainë.

Putini “po përpiqet ta prishë lirinë dhe mënyrën e jetesës sonë”, tha Rutte.

Gjatë fjalimit të tij, ish-kryeministri i Holandës i përmendi sulmet e Rusisë në Gjeorgji më 2008, aneksimin e gadishullit ukrainas, Krimea, më 2014, si dhe pushtimin e plotë të Ukrainës që nisi para gati tri vjetëve.

“A kemi nevojë edhe për më shumë paralajmërime të tjera a? Ne duhet të jemi thellësisht të shqetësuar. Unë e di që jam”, tha Rutte.

“Rusia po përgatitet për konfrontim afatgjatë. Me Ukrainën, dhe me ne”, shtoi ai.

Rutte e mbajti fjalimin inaugurues rreth dy muaj pasi e mori detyrën si shef i NATO-së.

Prej atëherë, ai ka udhëtuar nëpër kryeqytetet e 32 vendeve anëtare, përfshirë një takim me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, në Shtetet e Bashkuara, aleaten më të fuqishme të NATO-s.

NATO është mbështetëse e madhe e Ukrainës dhe i ka ndihmuar shumicën e anëtarëve të vet të dërgojnë armë, municione dhe ndihma të tjera në Ukrainë. Por, rikthimi i Trumpit dhe premtimi i tij për t’i dhënë fund luftës shpejt ka ngjallur shqetësime se një armëpushim i pafavorshëm mund t’i imponohet Ukrainës.

Trump ankohet rregullisht se aleatët e SHBA-së në NATO nuk shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen.

Rutte tha se shpenzimet ushtarake të Rusisë ka të gjasa të arrijnë 7 deri në 8% të GDP-së së saj vitin e ardhshëm – shumë më tepër se çdo aleat i NATO-s – me industrinë e saj të mbrojtjes që prodhon tanke, mjete të blinduara dhe municione.

Putini gjithashtu e ka mbështetjen e aleatëve si Kina, Irani dhe Koreja e Veriut.

Rutte theksoi se shpenzimet për mbrojtjen janë rritur ndjeshëm në Evropë. Dhe, 23 vende anëtare pritet ta arrijnë cakun e NATO-s për t’i ndarë 2 për qind të GDP-së për buxhetet e tyre ushtarake.

Por, Rutte shtoi: “Mund t’ju them se do të na duhet shumë më tepër se 2 për qind”.

Rutte renditi një varg “veprimesh armiqësore” nga Rusia rishtazi kundër aleatëve të NATO-s, duke përfshirë sulme kibernetike, atentate, një shpërthim në një depo municionesh në Çeki, bllokimin e radarëve në rajonin Baltik për të ndërprerë trafikun ajror, dhe “armatosjen” e imigrantëve për ta destabilizuar Evropën.

“Këto sulme nuk janë thjesht incidente të izoluara. Ato janë rezultat i një fushate të koordinuar për t’i destabilizuar shoqëritë tona dhe për të na dekurajuar nga mbështetja për Ukrainën”, tha ai.

Përtej rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen në Evropë, Rutte theksoi se NATO-ja tani ka dhjetëra mijëra trupa në gatishmëri të lartë, në rast se ato nevojiten për ta mbrojtur territorin e aleatëve.

“Me gjithë këtë, mbrojtja jonë është e mirë – tani për tani. Por, ajo që më shqetëson është e nesërmja”, tha ai dhe paralajmëroi se “ne nuk jemi gati për atë që na pret pas katër deri pesë vjetësh. Rreziku po afrohet me shpejtësi të plotë drejt nesh”.

“Ajo që po ndodh në Ukrainë mund të ndodhë edhe këtu, dhe pavarësisht nga rezultati i kësaj lufte, ne nuk do të jemi të sigurt në të ardhmen nëse nuk jemi të përgatitur për ta përballuar rrezikun”, shtoi Rutte.

Rutte u bëri thirrje qeverive t’ua sigurojnë industrive të mbrojtjes “porositë e mëdha dhe kontratat afatgjata që u nevojiten për të prodhuar shpejt më shumë armë dhe armë më të mira”.

Ai u kërkoi industrive të rrisin prodhimin armëve mbrojtëse kundër dronëve dhe taktikave të tjera të reja luftarake.

Ai shtoi se “liria nuk vjen falas” për rreth 1 miliard njerëz që jetojnë në zonën euro-atlantike. /REL

 

Video

Pas vrasjes së një gruaje nga agjentët federalë të imigracionit, në Minneapolis kanë shpërthyer protesta. Protestuesit nuk lejuan largimin e agjentëve të Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE) dhe hodhën sende në drejtim të tyre. Si pasojë e tensioneve, agjentët përdorën sprej kimik për shpërndarjen e turmës. Sipas dëshmive, disa qytetarë u prekën nga substanca kimike edhe pse nuk ishin të përfshirë drejtpërdrejt në përplasje, duke pësuar irritime në lëkurë, sy dhe rrugët e frymëmarrjes.

Ikona e kinemasë franceze Brigitte Bardot u përcoll me nderime për në banesën e fundit me një funeral të mbajtur në Saint-Tropez, qytetin ku ajo jetoi për më shumë se 50 vite pas tërheqjes nga fama. Bardot do të prehet në një varrezë me pamje nga Deti Mesdhe, pranë prindërve të saj dhe bashkëshortit të parë, regjisorit Roger Vadim. Ajo u nda nga jeta më 28 dhjetor, në moshën 91-vjeçare, pas një beteje me kancerin.

Manjati rus Ilyas Gimandutdinov, pronar i kompanisë së transportit Tattranskom, ka humbur jetën pasi helikopteri me të cilin udhëtonte u rrëzua në qytetin e Permit. Sipas raportimeve, helikopteri është përplasur pasi është ngatërruar në linjat e energjisë elektrike. Si pasojë e aksidentit kanë vdekur dy persona që ndodheshin në bord, përfshirë Gimandutdinov dhe Elmir Koniakov, drejtues në të njëjtën kompani. Momenti i rrëzimit është filmuar dhe videoja është shpërndarë në rrjetet sociale. Autoritetet lokale kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të ngjarjes.

Janë publikuar pamjet e incidentit në të cilin agjentë federalë të Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE) qëlluan për vdekje një grua 37-vjeçare në Minneapolis. Sipas videos, agjentët tentuan ta nxirrnin gruan nga automjeti, por ajo refuzoi të hapte derën dhe lëvizi makinën përpara. Në këtë moment, një agjent që ndodhej përpara mjetit u largua anash dhe hapi zjarr, duke e lënë të vdekur në vend. Ngjarja u filmua nga një dëshmitare dhe pamjet tregojnë automjetin e përplasur, ndërsa zona u rrethua nga policia dhe u mblodhën dhjetëra qytetarë. Departamenti i Sigurisë Kombëtare deklaroi se të shtënat u kryen në vetëmbrojtje, pasi gruaja dyshohet se përdori automjetin për të kërcënuar oficerët. Kryebashkiaku i Minneapolisit, Jacob Frey, reagoi duke shprehur mirëkuptim për zemërimin e komunitetit dhe duke kritikuar praninë e forcave federale në qytet, duke theksuar se veprimet e tyre nuk kontribuojnë në rritjen e sigurisë.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme