Bota 12 Dhjetor 2024, 18:21 Nga VNA

SHBA, përkrahje me kusht qeverisë së ardhshme të Sirisë! Çfarë pritet të ndodhë me ardhjen e Donald Trump

Ndaje në Whatsapp
SHBA, përkrahje me kusht qeverisë së ardhshme të

Pas rënies së Presidentit sirian Bashar al-Assad në Siri, administrata e Presidentit amerikan Joe Biden tha se do të mbështesë një periudhë tranzicioni që do të çonte drejt krijimit të një qeverie jo-sektariane, që do t’i përgjigjej popullit sirian. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken po bën një vizitë në Lindjen e Mesme në përpjekje për të bashkuar vendet e rajonit rreth një vizioni të përbashkët për të ardhmen e Sirisë. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara, për më pak se gjashtë javë, administrata e re e Presidentit të zgjedhur Donald Trump do të fillojë mandatin e saj, ndërkohë që zoti Trump ka sinjalizuar se qasja e tij do të jetë ajo e mospërfshirjes në Siri.

Administrata e Presidentit Biden po përdor si motivim për hapat e mëtejshme të aktorëve në Siri perspektivën e mbështetjes amerikane, në një moment paqartësish të thella pas rënies së Presidentit Bashar al-Assad.

“Ajo që duam të shohim në Siri është një qeverisje e qëndrueshme dhe legjitime, që përmbush aspiratat e popullit sirian dhe që është rezultat i një procesi të udhëhequr nga sirianët”, deklaroi për Zërin e Amerikës zëdhënësi i Këshillit për Sigurinë Kombëtare, John Kirby.

Grupi kryengritës Hayat Tahrir al-Sham, i cili rrëzoi Presidentin Assad nga pushteti, është përcaktuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Shpërblimi prej 10 milionë dollarësh i vendosur Shtetet e Bashkuara për kapjen e udhëheqësit të grupit Abu Mohammed al-Golani, është ende në fuqi.

“Kjo fitore, vëllezërit e mi, përbën një kapitull të ri në historinë e gjithë kombit islamik. Është një pikë kthese për rajonin”, deklaroi al-Golani.

Gjatë viteve të fundit, Golani u distancua nga ideologjia ekstremiste. Por ai e mbajti fjalimin e tij të fitores të dielën nga një xhami e lashtë sunite në Damask, jo në pallatin presidencial – një shenjë shqetësuese për disa.

“Në kanalin e komunikimit të kryengritësve në platformën e mesazheve Telegram, thuhej ‘e morëm xhaminë Umajad’; pastaj shkruanin, ‘tani do ta marrim al-Aksën’, e cila ndodhet në Jerusalem, dhe pastaj ‘do ta marrim Qabën’, e cila ndodhet në Arabinë Saudite”, thotë analisti Michael Rubin nga Instituti ‘American Enterprise’.

Presidenti amerikan Joe Biden reagoi shpejt, duke dhënë urdhër për sulme ajrore ndaj objektivave të Shtetit Islamik në Siri që nga dita e dielë.

Të mërkurën, ai dërgoi Sekretarin Blinken në Turqi dhe Jordani për t’u konsultuar me udhëheqësit e atyre vendeve.

Por me 20 janar, Presidentin Biden do ta zëvendësojë zoti Donald Trump, i cili po jep shenja se do të mbajë një qëndrim të mospërfshirjes në Siri.

Në platformat sociale, zoti Trump paralajmëroi, “T’i lëmë gjërat të shkojnë në rrjedhën e tyre. Mos u përfshini”.

Por Shtetet e Bashkuara tashmë janë të përfshira. Ato kanë rreth 900 forca në Siri dhe SHBA-të mbështesin grupin kryengritës të kurdëve sirianë.

Uashingtoni ka po ashtu marrëdhënie të ngushta me të gjithë fqinjët e Sirisë: Irakun, Libanin dhe aleatët amerikanë Izraelin, Jordaninë dhe Turqinë.

“Nuk duhet të heqim dorë plotësisht nga përfshirja. Por nëse nuk duam të angazhohemi plotësisht, atëherë si Shtetet të Bashkuara të Amerikës, kjo është koha që të punojmë shumë ngushtë me partnerët tanë në rajon”, thotë ish ambasadori amerikan në Siri, Ryan Crocker.

Mbetet e paqartë nëse sipas doktrinës së zotit Trump “Amerika e Para”, Shtetet e Bashkuara do të synojnë atë që e dëshiron Presidenti Biden – një qeveri siriane të ardhshme, e cila është gjithëpërfshirëse dhe jo-sektariane. Ndërkohë, vendet tjera kanë filluar të bëjnë lëvizjet e tyre të radhës.

Assadi ishte mbështetur nga Moska, e cila tashmë është angazhuar për të mbajtur bazat ushtarake ruse në Siri. Në veri, kurdët sirianë po zhvendosen ndërkohë që kryengritësit e mbështetur nga Turqia po sulmojnë kryengritësit kurdë të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, të cilët Ankaraja i konsideron si aleatë të lëvizjes separatiste.

Tani për tani, Irani ka humbur pjesën më të madhe të ndikimit të tij. Sidomos ndërkohë që Izraeli po zhvillon sulme ajrore nëpër Siri, duke dobësuar edhe më tej kapacitetin ushtarak të mbetur të aleatit të dikurshëm të Teheranit./VOA

 

Video

Pas vrasjes së një gruaje nga agjentët federalë të imigracionit, në Minneapolis kanë shpërthyer protesta. Protestuesit nuk lejuan largimin e agjentëve të Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE) dhe hodhën sende në drejtim të tyre. Si pasojë e tensioneve, agjentët përdorën sprej kimik për shpërndarjen e turmës. Sipas dëshmive, disa qytetarë u prekën nga substanca kimike edhe pse nuk ishin të përfshirë drejtpërdrejt në përplasje, duke pësuar irritime në lëkurë, sy dhe rrugët e frymëmarrjes.

Ikona e kinemasë franceze Brigitte Bardot u përcoll me nderime për në banesën e fundit me një funeral të mbajtur në Saint-Tropez, qytetin ku ajo jetoi për më shumë se 50 vite pas tërheqjes nga fama. Bardot do të prehet në një varrezë me pamje nga Deti Mesdhe, pranë prindërve të saj dhe bashkëshortit të parë, regjisorit Roger Vadim. Ajo u nda nga jeta më 28 dhjetor, në moshën 91-vjeçare, pas një beteje me kancerin.

Manjati rus Ilyas Gimandutdinov, pronar i kompanisë së transportit Tattranskom, ka humbur jetën pasi helikopteri me të cilin udhëtonte u rrëzua në qytetin e Permit. Sipas raportimeve, helikopteri është përplasur pasi është ngatërruar në linjat e energjisë elektrike. Si pasojë e aksidentit kanë vdekur dy persona që ndodheshin në bord, përfshirë Gimandutdinov dhe Elmir Koniakov, drejtues në të njëjtën kompani. Momenti i rrëzimit është filmuar dhe videoja është shpërndarë në rrjetet sociale. Autoritetet lokale kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të ngjarjes.

Janë publikuar pamjet e incidentit në të cilin agjentë federalë të Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE) qëlluan për vdekje një grua 37-vjeçare në Minneapolis. Sipas videos, agjentët tentuan ta nxirrnin gruan nga automjeti, por ajo refuzoi të hapte derën dhe lëvizi makinën përpara. Në këtë moment, një agjent që ndodhej përpara mjetit u largua anash dhe hapi zjarr, duke e lënë të vdekur në vend. Ngjarja u filmua nga një dëshmitare dhe pamjet tregojnë automjetin e përplasur, ndërsa zona u rrethua nga policia dhe u mblodhën dhjetëra qytetarë. Departamenti i Sigurisë Kombëtare deklaroi se të shtënat u kryen në vetëmbrojtje, pasi gruaja dyshohet se përdori automjetin për të kërcënuar oficerët. Kryebashkiaku i Minneapolisit, Jacob Frey, reagoi duke shprehur mirëkuptim për zemërimin e komunitetit dhe duke kritikuar praninë e forcave federale në qytet, duke theksuar se veprimet e tyre nuk kontribuojnë në rritjen e sigurisë.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme