Bota 12 Dhjetor 2024, 08:04 Nga VNA

Blinken, udhëtim në Lindjen e Mesme ndërsa Siria është në udhëkryq pas përmbysjes së Assadit

Ndaje në Whatsapp
Blinken, udhëtim në Lindjen e Mesme ndërsa Siria është

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u nis të mërkurën për në Jordani dhe më pas do të shkojë në Turqi, në përpjekje për të bashkuar vendet e rajonit rreth një vizioni të përbashkët për të ardhmen e Sirisë, pas rrëzimit të sundimtarit autoritar Bashar al-Assad.

Zoti Blinken planifikohet të shkojë në Akaba të Jordanisë dhe Ankara të Turqisë, ku do të takohet me udhëheqës të vendeve kryesore arabe dhe myslimane për të diskutuar zhvillimet në Siri, Izrael, Gaza, Liban dhe më gjerë në rajon, sipas Departamentit amerikan të Shtetit.

Një zëdhënës tha se zoti Blinken synon të sigurojë konsensusin e udhëheqësve rajonalë mbi parimet kryesore për tranzicionin e Sirisë pas Assadit. Ai tha se ato përfshijnë respektimin e plotë të të drejtave të pakicave, lehtësimin e ndihmës humanitare, marrjen e masave që Siria të mos bëhet një strehë për terrorizmin ose një kërcënim për fqinjët e saj dhe sigurimin dhe shkatërrimin e sigurt të rezervave të armëve kimike ose biologjike. Zoti Blinken ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të njohin një qeveri siriane që i mbështet ato parime.

Duke folur të mërkurën para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme, zoti Blinken tha se beson se administrata e ardhshme e Presidentit të zgjedhur Donald Trump do të ketë interes në ruajtjen e asaj që është arritur drejt eliminimit të "kalifatit territorial" që grupi terrorist i njohur si Shteti Islamik kishte krijuar në Siri. Zoti Trump dhe ekipi i tij kanë thënë se SHBA nuk duhet të përfshihet në Siri.

“Kjo nuk është lufta jonë. Të shohim se ç’do të ndodhë”, u shpreh zoti Trump më 7 dhjetor në platformën e tij Truth Social.

Gjatë një seance të mërkurën që zgjati më shumë se katër orë, zoti Blinken u tha ligjvënësve:

"Nëse Siria kalon nga ana tjetër - nëse copëtohet - ka të ngjarë të shohim më shumë migrime masive. Ka të ngjarë të shohim më shumë zona në Siri të bëhen qendra të terrorizmit dhe ekstremizmit, asnjëra prej të cilave nuk është në interesin tonë”.

Në Akaba, Sekretari i Shtetit Blinken do të takohet me Mbretin e Jordanisë Abdulla II dhe zyrtarë të lartë për të diskutuar çështje dypalëshe, për të theksuar partneritetin strategjik SHBA-Jordani dhe për të rikfirmuar mbështetjen e SHBA-së për stabilitetin rajonal.

Në Ankara, zoti Blinken do të angazhohet me zyrtarë të lartë turq për të forcuar bashkëpunimin dypalësh mbi prioritetet e përbashkëta, përfshirë kundërterrorizmin dhe stabilitetin rajonal me aleatin e NATO-s, Turqinë.

Disa analistë argumentojnë se ka një arsye strategjike, të paktën tani për tani për të mbajtur praninë aktuale amerikane prej rreth 900 trupash amerikane në Siri për të kontrolluar ISIS-in dhe për të parandaluar një rigjallërim të grupeve terroriste në rajon.

“Por një përfshirje më e madhe është ndoshta në kundërshtim me interesat amerikane. Dhe sigurisht, ne në fakt nuk kemi qenë të përfshirë shumë në Siri që nga fillimi i luftës civile, më shumë se një dekadë më parë”, i thotë Zërit të Amerikës Thomas Graham, një ish-diplomat amerikan sot anëtar i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Të martën, zoti Blinken zhvilloi bisedime me homologët e tij nga Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe Egjipti, ku ai përsëriti nevojën për një tranzicion të udhëhequr nga Siria.

Udhëheqësi i rebelëve sirian Abu Mohammed al-Golani tha të mërkurën se do të shpërbënte forcat e sigurisë të regjimit të rrëzuar të Asadit. Ai tha gjithashtu se grupi i tij po punonte me organizatat ndërkombëtare për të identifikuar dhe siguruar vendet e mundshme ku mund të ruhen armët kimike.

Shtetet e Bashkuara reaguan me kujdes ndaj komenteve të Golanit. Zëdhënësja e Pentagonit Sabrina Singh u tha gazetarëve: "Ne e mirëpresim këtë lloj qëndrimi, por ... veprimet duhet t’u përgjigjen fjalëve."

Ndërkohë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden do të marrë pjesë në një takim virtual të G7-ës të premten për të diskutuar mbi Sirinë dhe çështje të tjera të ngutshme në Lindjen e Mesme.

Të dielën e kaluar, grupet rebele siriane përmbysën regjimin e Asadit pas një ofensive të befasishme që zgjati më pak se dy javë, duke i dhënë fund një sundimi prej dekadash të një shtypjeje brutale. Ndërsa shumë sirianë po e përshëndesin largimin e Assadit, ka gjithashtu pasiguri mbi të ardhmen e vendit.

Grupi islamik Hayat Tahrir al-Sham, fraksioni dominues midis forcave opozitare, po konsolidon me shpejtësi pushtetin. Ndërkohë aktorët e huaj po konkurrojnë për ndikim me qeverinë e sapokrijuar ose po përpiqen të kufizojnë potencialin e saj si një kërcënim sigurie.

Gerald Feierstein, drejtor i Programit për Çështjet e Gadishullit Arabik në Institutin e Lindjes së Mesme, i tha Zërit të Amerikës se “turqit e shohin shumë më pozitivisht islamin politik dhe kanë lidhje të gjata me Hayat Tahrir al-Shamin dhe Golanin – jo të ngushta, por kanë lidhje. Vendet e Gjirit do të shohin me më shqetësim se në cilin drejtim do të shkojë Damasku.”

Zoti Feierstein vuri në dukje se megjithëse aktualisht nuk ka "një hendek të madh" midis Turqisë dhe perspektivës së vendeve të Gjirit, ky dallim mund të thellohet me kalimin e kohës nëse qeveria e re në Damask ndjek një qëndrim islamik më të ashpër sesa pritej.

Lufta civile gati 14-vjeçare e Sirisë shkaktoi vdekjen e 500,000 vetëve dhe zhvendosjen e gjysmës së popullsisë së saj prej 23 milionë paraluftës. Miliona sirianë shkuan në vendet fqinje si Jordania, Turqia, Iraku dhe Libani, ku shumë prej tyre vazhduan udhëtimin drejt Evropës në kërkim të sigurisë./VOA

Video

Humbja në Nju Jork, reagon presidenti amerikan Donald Trump Rezultatet jo të favorshme për republikanët janë pranuar nga vetë Donald Trump, i cili u takua këtë mëngjes me ligjvënës të partisë konservatore. Një ditë pas zgjedhjes historike të Zohran Mamdani si kryetar bashkie i Nju Jorkut, presidenti amerikan pranoi: “Nuk mendoj se ishte mirë për republikanët.” Trump fajësoi mbylljen e qeverisë për humbjen, duke theksuar se sondazhet tregojnë se publiku ia atribuon fajin më shumë atij dhe republikanëve. Në të njëjtën kohë, ai i bëri thirrje senatorëve republikanë që të shfuqizojnë filibusterin, një procedurë që lejon debate të pafundme në Senat dhe shpesh bllokon miratimin e projektligjeve. “Është koha që republikanët të bëjnë atë që duhet të bëjnë,” tha ai, duke paralajmëruar se përndryshe partia do të mbetet në një pozitë të pafavorshme.

Një situatë e paprecedentë ka ndodhur në Japoni, ku autoritetet qeveritare kanë urdhëruar ushtrinë të dalë në rrugë e armatosur për të menaxhuar një valë sulmesh nga arinjtë. Trupa ushtarake janë dërguar në rajonin malor, pas një apeli urgjent nga autoritetet lokale, të cilat përpiqen të mbrojnë banorët dhe të kontrollojnë situatën. Operacioni ka filluar në qytetin Kazuno, ku banorëve u është këshilluar të shmangin pyjet e dendura, të qëndrojnë brenda pas errësirës dhe të përdorin zile për të trembur arinjtë që afrohen pranë shtëpive. Që nga prilli, më shumë se 100 sulme të arinjve janë raportuar në të gjithë Japoni, duke shkaktuar 12 viktima.

Drejt Europës vetëm me përgjigje. Se pyetjet nuk i kemi qejf këto kohë…

Menjëherë pas konferencës për shtyp me ambasadorin e BE, në kryeministri kanë mbërritur zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe kryetarë të komisioneve parlamentare.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme