Bota 10 December 2024, 08:50 Nga VNA

Rënia e Assad-it shkaktoi dëme të pariparueshme në boshtin iranian të rezistencës

Ndaje në Whatsapp
Rënia e Assad-it shkaktoi dëme të pariparueshme në boshtin

Irani kaloi dekada duke ndërtuar të ashtuquajturin bosht të rezistencës, të përbërë nga përfaqësuesit e tij të armatosur rajonalë. Ky rrjet përbën motorin kryesor të përpjekjeve të Teheranit për t’iu kundërvënë Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara dhe për të ushtruar ndikimin e tij në të gjithë Lindjen e Mesme. Por, rënia e Qeverisë së presidentit sirian, Bashar al-Assad - aleat i Teheranit - i shkaktoi dëme të pariparueshme rrjetit, thonë ekspertët.

Për Iranin, Siria siguronte një korridor të rëndësishëm tokësor për në Levant - rajonin që i ofronte mbështetje logjistike boshtit. Korridori, i njohur gjithashtu si Gjysmëhëna Shiite, lidhte Teheranin me grupin e armatosur libanez, Hezbollah - një aleat ky i rëndësishëm dhe, njëherësh, pjesë integrale e boshtit.

Nuk ka bosht pa qasje”, thotë Ali Vaez, drejtor i Projektit për Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave në Bruksel.

“Humbja e aftësisë për ta mbështetur Hezbollahun me logjistrikë do të thotë humbje e thellësisë strategjike të Iranit”, sipas tij.

Duke vënë në dukje rëndësinë e Sirisë, Irani shpenzoi miliarda dollarë për ta mbajtur Assadin në pushtet. Teherani ndërhyri ushtarakisht në luftën civile të Sirisë në vitin 2013 dhe luajti rol kyç në mbështetjen e forcave të Assadit. Ai dislokoi qindra oficerë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) për të rekrutuar dhe trajnuar dhjetëra mijëra luftëtarë shiitë - vendas dhe të huaj.

Pas humbjes së korridorit tokësor, që lidh anëtarët e boshtit nga Irani me Libanin, “ka të ngjarë të shohim një rezistencë shumë të zvogëluar në muajt dhe vitet e ardhshme”, thotë Farzan Sabet, bashkëpunëtor i lartë kërkimor në Institutin e Gjenevës IHEID. Boshti, sipas tij, do të ketë “një kapacitet dukshëm më të ulët për të kryer operacione ushtarake në të ardhmen”.

Në kulmin e tij, boshti ishte aktiv në Territoret e Pushtuara Palestineze, Liban, Irak, Siri dhe Jemen, dhe kishte për qëllim t’i siguronte Iranit aftësi për të goditur armiqtë e tij jashtë kufijve. Por, qasja e tij pësoi një sërë pengesash goditëse në muajt e fundit. Siria tani drejtohet efektivisht nga organizata Hayat Tahrir al-Sham (HTS) - e shpallur terroriste nga SHBA-ja - dhe aleatët e saj, disa nga të cilët janë të lidhur me Turqinë, rivalen e Iranit. HTS-ja mori pushtetin në Damask më 8 dhjetor.

Hezbollahu, në anën tjetër, u dobësua rëndë pas luftës njëvjeçare me Izraelin, i cili vrau udhëheqësin e grupit, Hassan Nasrallah. Lufta shkatërruese e Izraelit në Rripin e Gazës pakësoi gjithashtu aftësitë e Hamasit - organizatë e shpallur terroriste nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera dhe njëherësh anëtare e boshtit. Ngjarjet në Siri “me siguri se do t’i kufizojnë edhe më shumë aftësitë e Iranit për të ruajtur ndikimin e tij rajonal”, thotë Raz Zimmt, studiues i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Izrael.

I dobësuar në aspketin rajonal, Irani duhet të marrë tani vendime të vështira, përfshirë rishqyrtimin e strategjisë së tij të mbrojtjes e ndoshta edhe zhvillimin e një bombe bërthamore, thonë ekspertët. Zimmt thotë se Irani ka dy “opsione shumë të këqija” - të mos bëjë asgjë dhe të pranojë se mbrojtja e tij kundër Izraelit është komprometuar, ose të krijojë armë bërthamore dhe ta ekspozojë veten ndaj mundësisë së një sulmi izraelit.

Gjërat duken po aq të zymta edhe për boshtin e rezistencës, thotë Sabet, duke shtuar se Teherani do të jetë nën trysni për t’i kufizuar aktivitetet e tij rajonale. Sabet thotë se Irani do të përpiqet të shfrytëzojë çdo kaos të mundshëm në rajon, përfshirë Sirinë e pas Asadit, për ta rikthyer ndikimin e tij.

"Nëse lufta civile në Siri nuk zgjidhet shpejt dhe nuk krijohet një rend i ri, ai vend mund të bëhet pikërisht lloji i mjedisit ku Republika Islamike ka lulëzuar historikisht”,thotë Sabet./ REL

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme