Bota 12 Dhjetor 2024, 19:35 Nga VNA

Rrëfimet drithëruese të të burgosurve që dolën nga "thertorja" në Siri

Ndaje në Whatsapp
Rrëfimet drithëruese të të burgosurve që dolën nga

Nga Mike Eckel, Riin Aljas REL

Disa njerëz janë parë duke dalë prej korridoreve të zymta të burgjeve të Sirisë, sikurse mumie të ngritura nga varri.

Disave u është kthyer vetëdija vetëm pasi janë ribashkuar me familjarë që nuk i kanë parë një kohë të gjatë. Disa janë parë duke qarë nga gëzimi pasi janë liruar prej një institucioni që është njohur gjerësisht si “thertore e njerëzve”.

Rënia e regjimit të diktatorit Bashar al-Assad e ka hapur Kutinë e Pandorës, pasi prej burgjeve të Sirisë kanë dalë rrëfime drithëruese.

Zona A e burgut Sajdnaja, kompleks i mbikëqyrur nga ushtria në veri të Damaskut, është pjesë ku mijëra njerëz janë mbajtur, torturuar dhe ekzekutuar ndër vite.

Në periudhën 2011-2018, më shumë se 30.000 njerëz janë ekzekutuar apo kanë vdekur nga uria, neglizhenca e mjekëve, apo tortura, sipas vlerësimeve të Vëzhguesit Sirin për të Drejta të Njeriut, organizatë me bazë në Londër.

Sajdnaja – i njohur edhe si Sednaja – ka qenë padyshim një krijim sirian, me qëllim të burgosjes dhe ndëshkimit të ekstremistëve islamistë në fillim, e më pas të burgosurve politikë apo secilit që është parë si kërcënim për regjimin, ka thënë Philip Luther, udhëheqës i hulumtimeve në organizatën ndërkombëtare, Amnesty International.

Prej ikjes së Assadit nga shteti në fundjavë, aktivistët janë nisur drejt burgjeve me vrap për t’ua hapur dyert, dhe kanë liruar njerëz që janë mbajtur aty për dekada.

“Thënë shkurt, nuk kam njohuri që operacioni i Sajdnajas ka pasur udhëzime apo është inspiruar nga subjekte të jashtme sikurse Irani apo Rusia”, ka thënë Luther për Radion Evropa e Lirë.

“Operacioni i burgut duket se u ka shërbyer objektivave të sigurisë së autoriteteve siriane”.

Disa orë pas thyerjes së dyerve të burgjeve, mijëra njerëz kanë dalë prej objekteve.

Në disa video të verifikuara nga Radio Evropa e Lirë, janë parë njerëz, që duket se janë rebelë apo kryengritës, në kërkim të dosjeve administrative, derisa shumë të tjerë duke vrapuar nëpër korridore duke u gëzuar për lirimin e të burgosurve.

Disa burra tjerë janë parë të habitur dhe të fshehur nëpër ambiente të burgjeve, pa qenë në dijeni se janë liruar.

“Mos u frikësoni! Regjimi ka rënë! Mos u frikësoni! Jeni të lirë!”, dëgjohet duket thënë një njeri në një tjetër video të verifikuar nga Radio Evropa e Lirë.

“Nuk kam ngrënë biskotë që nëntë vjet”, ka thënë një tjetër burrë i gëzuar, teksa e ka ushqyer edhe një të burgosur tjetër.

Thashethemet se kompleksi ka qenë i fortifikuar tejet mirë, i ka nxitur njerëzit që të pajisen me mjete të avancuara për demolim, për t’i rrëzuar muret prej betoni.

Organizata humanitare, Helmetat e Bardha, ka mbledhur shumë çekiçë për t’i rrëzuar muret.

Grupi ka thënë përmes një deklarate, më 9 nëntor, se nuk ka zbuluar ndonjë “zonë të fshehur në kompleks”.

Më 2017, Departamenti amerikan i Shtetit e ka akuzuar Qeverinë siriane për ndërtim të një krematoriumi në Sajdnaja, si dhe i ka akuzuar zyrtarët e burgjeve për vrasje të rreth 50 personave në ditë, kryesisht duke i varur.

Zyrtarët amerikanë kanë akuzuar Sirinë për kryerje të vrasjeve përmes “mbështetjes së pakusht të Rusisë dhe Iranit”, ndonëse zyrtarët kanë thënë më vonë se nuk ka prova se Rusia dhe Irani janë të përfshirë në krematorium.

“Ky është burgu Sajdnaja. Ky është ushqimi që servohet. Këto janë qelitë”, dëgjohet duket thënë një njeri teksa incizon brendinë e burgut.

Të mbijetuarit e burgjeve, familjarët e tyre dhe aktivistët kanë raportuar se disa të burgosur janë mbajtur në Sajdnaja për vite – nëse jo dekada.

Në një video tjetër, që ka qarkulluar gjerësisht në rrjete sociale, por të cilën nuk ka mundur ta verifikojë Radio Evropa e Lirë, shihet një burrë që nuk mund të flasë nga tronditja, dhe i cili është mbajtur në burg për 13 vjet.

Hapja e Sajdnajas ka bërë bujë në gjithë Damaskun, dhe qytetet tjera.

“Dhjetë vjet në burg! Dhjetë vjet!”, ka thënë një person i liruar më 8 dhjetor.

Në një tjetër video që ka qarkulluar në rrjetet sociale, një grua që dyshohet se ka kaluar shumë vjet në burgjet siriane, është parë duke qarë, teksa është bashkuar me dy fëmijët e saj.

Riyad Avlar, që ka qenë për 12 vjet në burg dhe tani është bashkëthemelues i Asociacionit të të Burgosuve dhe Zhdukurve në burgun Sednaja – organizatë me seli në Turqi – e ka krahasuar burgun me atë që ka dëgjuar për burgjet në Korenë e Veriut.

“Njerëzit duhet të kuptojnë që regjimi i Assadit ka qenë sikurse i Hitlerit, sikurse nazistët. Po aq i keq”, ka thënë Avlar për Radion Evropa e Lirë.

 

Video

Pas vrasjes së një gruaje nga agjentët federalë të imigracionit, në Minneapolis kanë shpërthyer protesta. Protestuesit nuk lejuan largimin e agjentëve të Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE) dhe hodhën sende në drejtim të tyre. Si pasojë e tensioneve, agjentët përdorën sprej kimik për shpërndarjen e turmës. Sipas dëshmive, disa qytetarë u prekën nga substanca kimike edhe pse nuk ishin të përfshirë drejtpërdrejt në përplasje, duke pësuar irritime në lëkurë, sy dhe rrugët e frymëmarrjes.

Ikona e kinemasë franceze Brigitte Bardot u përcoll me nderime për në banesën e fundit me një funeral të mbajtur në Saint-Tropez, qytetin ku ajo jetoi për më shumë se 50 vite pas tërheqjes nga fama. Bardot do të prehet në një varrezë me pamje nga Deti Mesdhe, pranë prindërve të saj dhe bashkëshortit të parë, regjisorit Roger Vadim. Ajo u nda nga jeta më 28 dhjetor, në moshën 91-vjeçare, pas një beteje me kancerin.

Manjati rus Ilyas Gimandutdinov, pronar i kompanisë së transportit Tattranskom, ka humbur jetën pasi helikopteri me të cilin udhëtonte u rrëzua në qytetin e Permit. Sipas raportimeve, helikopteri është përplasur pasi është ngatërruar në linjat e energjisë elektrike. Si pasojë e aksidentit kanë vdekur dy persona që ndodheshin në bord, përfshirë Gimandutdinov dhe Elmir Koniakov, drejtues në të njëjtën kompani. Momenti i rrëzimit është filmuar dhe videoja është shpërndarë në rrjetet sociale. Autoritetet lokale kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të ngjarjes.

Janë publikuar pamjet e incidentit në të cilin agjentë federalë të Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE) qëlluan për vdekje një grua 37-vjeçare në Minneapolis. Sipas videos, agjentët tentuan ta nxirrnin gruan nga automjeti, por ajo refuzoi të hapte derën dhe lëvizi makinën përpara. Në këtë moment, një agjent që ndodhej përpara mjetit u largua anash dhe hapi zjarr, duke e lënë të vdekur në vend. Ngjarja u filmua nga një dëshmitare dhe pamjet tregojnë automjetin e përplasur, ndërsa zona u rrethua nga policia dhe u mblodhën dhjetëra qytetarë. Departamenti i Sigurisë Kombëtare deklaroi se të shtënat u kryen në vetëmbrojtje, pasi gruaja dyshohet se përdori automjetin për të kërcënuar oficerët. Kryebashkiaku i Minneapolisit, Jacob Frey, reagoi duke shprehur mirëkuptim për zemërimin e komunitetit dhe duke kritikuar praninë e forcave federale në qytet, duke theksuar se veprimet e tyre nuk kontribuojnë në rritjen e sigurisë.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme