Sociale 29 Mars 2025, 14:34 Nga VNA

Portat e Beratit në kërkim të shkëlqimit të dikurshëm

Ndaje në Whatsapp
Portat e Beratit në kërkim të shkëlqimit të

Portat e banesave muze, në lagjet karakteristike të qytetit të mbrojtur nga UNESCO, kanë nevojë për ndërhyrje, ndërsa shumë prej tyre qëndrojnë të mbyllura në pritje të rikthimit të pronarëve, por dhe kthimit në identitet, si pjesë e vlerave dhe krenarisë së qytetit.

“Ç’të ka thënë mamaja, mos u duk te porta, se te shohin bota, moj Kaliro…”.

Janë këto disa nga vargjet e një teksti kënge të njohura beratase, e cila këndohet në dasma e gëzime dhe vë theksin tek qëndrimi pranë portës së shtëpisë të një vajze të re.

Të mëdha, shpesh me dy kanata, të rënda, me material druri dhe aksesorë guri dhe hekuri, portat e banesave në lagjet muzeale të qytetit kanë qenë pjesë e rëndësishme e identitetit të familjeve beratase.

Ato nuk janë thjesht dyert e hyrjes në një shtëpi, por pjesë thelbësore e historisë dhe kulturës së qytetit.

“Sa më e madhe porta, aq më shumë tregonte për nivelin ekonomik dhe social të familjes, ndaj dhe ato kanë qenë shumë të rëndësishme sepse identifikonin banesën, rëndësinë e familjes”, shprehet Çlirim Mukli, studiues dhe përkthyes.

Sipas tij portat e banesave beratase kërkonin jo vetë para – pasi duhej zgjedhur druri më i mirë dhe rezistent, por edhe një dorë e mirë ustai për tu ndërtuar, si dhe vëmendje të herë pas hershme, pasi në këtë mënyrë mirëmbaheshin.

Sipas rastit dhe statusit social, ndërtimi i tyre trajtohej me shkallë të ndryshme zgjidhjesh konstruktivo-arkitekturore, duke i ndarë në porta të jashtme të mbuluara me harqe guri ose arkitra prej druri.

Portat e banesave në tre lagjet muzeale të qytetit atë “Mangalem”, “Goricë” dhe “Kala”, janë fokusuar në telajo pikturash dhe celuloid fotografish ndër shekuj, ndërkohë që ende shërbejnë si muzë frymëzimi në muzikë dhe arte pamore.

Por, fenomeni i emigrimit që preku qytetin pas viteve 1990 la bosh shumë banesa në të treja lagjet historike të qytetit.

Dhe pse zhvillimi i turizmit vitet e fundit ka kthyer një pjesë të mirë të banesave në bujtina, ka ende shumë shtëpi të pabanuara, dukshëm kjo nga portat e tyre.

Kryesisht në lagjet “Goricë” dhe “Kala”,  ka banesa të mbyllura, portat e të cilave mbeten në pritje për tu rihapur sërish dhe kthyer në identitetin e dikurshëm.

Dukshëm në banesat ku nuk jetohet prej vitesh portat janë rrënuar nga faktorët atmosferikë, ndërsa në banesat ku jetohet pronarët mundohen që ti mirëmbajnë jo pa vështirësi.

“Po, do e lyejmë portën pak me vaj si çdo vit pas dimrit se nga shiu rrezikon druri të kalbet”, tha për BIRN një i moshuar në lagjen “Kala”.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore  (DRTK) Berat portat kanë nevojë për ndërhyrje, por sipas ligjit të trashëgimisë kulturore ato realizohen vetëm me projekte që kërkojnë miratime institucionale.

“Çdo ndërhyrje në objektet monument kulture, edhe pse realizohet me fondet dhe fuqinë punëtore të institucionit, duhet të realizohet vetëm pasi të jenë parashikuar në një projekt të hartuar nga institucioni dhe të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale”, tha DRTK në një përgjigje zyrtare për BIRN.

Nisur nga kërkesat e qytetarëve dhe nga monitorimet e specialistëve të DRTK është miratuar një vit më parë një paketë emergjence me ndërhyrje mirëmbajtëse në monumente, mes të cilave dhe në porta.

“Në kuadër të kësaj pakete janë parashikuar ndërhyrje në 5 porta, nga ku 2 porta në banesa monument kulture në lagjen “Goricë’, 1 portë në lagjjen ‘Mangalem’ dhe 2 porta pranë Qendrës Mesjetare,” tha DRTK.

Ndërhyrja në portat hyrëse të banesave kryesisht konsiston në restaurimin e elementëve drusorë të degraduar, lyerjen e tyre me vaj lini dhe antimol.

Deri më tani kanë përfunduar ndërhyrjet në 3 porta, ndërsa parashikohet që dhe për vitin 2025 do të përfshihen ndërhyrje me të njëjtin karakter në të tre lagjjet e qendrës historike.

Portat e jashtme të banesave karakteristike të qytetit, janë dëshmia e parë arkitektonike me të cilën objekti paraqitet në rrugë në sytë e çdo kalimtari. Sipas specialistëve ato kanë rëndësi qoftë si pjesë e vlerave të banesës, por dhe mënyrës së ndërtimit.

“Përveç rolit funksional, porta e jashtme mbart edhe ngarkesë dekorative,” tha Bora Aliaj specialiste, drejtuese pranë DRTK Berat.

“Portat prej druri beratase kanë elementët e tyre karakteristikë dhe janë dëshmi e mjeshtërisë së përpunimit të drurit dhe gdhendjes së simboleve të ndryshme në gur”,” shtoi ajo.

Për pamjen mjaft tërheqëse, mënyrën e ndërtimit dhe hijeshinë, portat plotësojnë gjithë ansamblin e zonës ku  ndodhen, përfshi këtu dhe rrugicat, ose sokakët prej guri.

“Jo më kot, portave, sokakëve, u janë ngritur dhe këngë që këndohen ende sot”, tha studiuesi Mukli.

Ndonëse DRTK Berat deklaron se si pjesë e misionit të saj, ka dhe mbrojtjen e këtyre vlerave me ndërhyrjet mirëmbajtëse dhe restauruese, duke synuar ruajtjen e tyre, jo pak porta sot janë duke u rrënuar.

BIRN pikasi në lagjet muzeale “Goricë” dhe “Kala” disa porta banesash që janë dëmtuar ndjeshëm nga mos ndërhyrja në kohë. Pjesë të elementit bazë të tyre druri është kalbur në disa porta, ndërsa elementët dekorativë kanë humbur në shumë të tjera.

Si një nga elementet më interesante të shtëpive beratase portat e vjetra, tërheqin vëmendjen e vizitorëve të huaj.

“Ata shpesh ndalen për t’i parë nga afër, për t’i fotografuar dhe bëjnë pyetje mbi historinë dhe veçoritë e tyre”, tha Lyto Alliu, guidë kombëtare.

Sipas tij vizitorët ndalojnë dhe pyesin për portat e vjetra, për shkak të pamjes, pasi ato duken të mëdha, të qëndrueshme dhe artistikisht të punuara.

“Ata duan të dinë se nga çfarë materiali janë bërë, si janë ruajtur për kaq shumë kohë dhe cilat janë teknikat e përdorura për krijimin e tyre”, tha ai.

Sipas Alliut, vizitorët bëjnë shumë pyetje mbi funksionin dhe kuptimin e këtyre portave.

“Ata duan të dinë pse portat janë kaq të mëdha dhe të trasha, duke zbuluar se dikur ato kishin një rol mbrojtës”, shtoi Alliu.

Sipas tij shumë vizitorë pyesin për gdhendjet dhe simbolet që ndodhen mbi portat, të cilat mund të përfaqësojnë besimin fetar, statusin social ose mbrojtjen.

“Ata janë kuriozë për çdo gjë, për sigurinë, duke pyetur për bravët e dyfishta ose mekanizmat e vjetër të mbylljes dhe gjithçka”, përfundoi ai./BIRN/

 

Video

Një incident i rëndë është regjistruar në Aeroportin e Araxos gjatë uljes së një avioni të kompanisë TUI, tip Boeing 737-8, i quajtur “Patra”. Ngjarja ndodhi kur një shkallë ku ishin ngjitur gazetarë dhe fotoreporterë për të mbuluar momentin u shemb papritur. Si pasojë, tre persona mbetën të plagosur dhe u transportuan me ambulancë në spital për trajtim mjekësor. Të lënduarit janë një gazetar nga Athina, një kameraman dhe një fotoreporter nga Patra, të cilët pësuan dëmtime në gjymtyrë. Persona të tjerë të medias që ndodheshin në vendngjarje pësuan lëndime të lehta dhe nuk patën nevojë për shtrim në spital. Dyshohet se shkalla u shemb për shkak të mbingarkesës, pasi mbi të ishin ngjitur rreth 10–15 persona për të siguruar pamje më të mira.

Përveç atyre që u vetëpërjashtuan nuk ka

Presidenti i Federatës Palestineze të Futbollit ka refuzuar t’i japë dorën presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, gjatë Kongresit të 76-të të FIFA-s, në një moment që u bë i dukshëm publikisht. Ngjarja ndodhi në kuadër të një përpjekjeje për një gjest simbolik pajtimi, i cili përfshinte edhe një fotografi të përbashkët me përfaqësues të federatave të Izraelit dhe Palestinës. Megjithatë, përfaqësuesit palestinez nuk pranoi të marrë pjesë në këtë skenë protokollare, duke thënë se ata po vuajnë si pasojë e agresionit izraelit.

Aktivistët e Global Sumud Flotilla, të ndaluar në ujëra ndërkombëtare nga forcat izraelite, denoncojnë 40 orë trajtim brutal në një anije ushtarake: dhunë fizike, mungesë ushqimi e uji dhe detyrim për të fjetur në dysheme të përmbytur. Ata thonë se edhe rezistenca paqësore ndaj arrestimit të disa pjesëmarrësve u përball me “dhunë të pastër”, duke lënë disa me plagë serioze. Pas mbërritjes në Crete, pretendohet se policia greke i mbajti në autobusë pa i lejuar të zbresin.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme