Në politikën shqiptare ndodh shpesh një gjë interesante: pushteti fillon të ankohet për pushtetin. Këtë herë këtë rol e ka marrë ish kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila në një status të gjatë në Facebook ka vendosur të flasë për atë që e quan një “model” të instaluar gradualisht në vend. Sipas saj, bëhet fjalë për një sistem ku institucionet nuk janë më hapësira vendimmarrjeje, por instrumente presioni; ku vendimet nuk merren bashkarisht, por veç; ku ligji interpretohet sipas nevojës së momentit dhe jo sipas parimit.
Në këtë përshkrim, Spiropali shkon edhe më tej. Ajo lë të kuptohet se struktura shtetërore të emëruara dhe të promovuara nga e njëjta dorë, të paraprira nga portale të financuara me para të errëta, mund të përdoren për të sulmuar edhe familjarë të njerëzve që mbajnë poste publike. Dhe nëse një mekanizëm i tillë përdoret ndaj njerëzve me mbrojtje publike, pyetja që lind natyrshëm është: çfarë ndodh me ata që nuk kanë asnjë zë?
Mesazhi i saj është lexuar gjerësisht në Tiranën politike si një goditje — edhe pse pa emër — ndaj Belinda Ballukut. Në statusin e saj, Spiropali sugjeron se edhe njerëz që mund të mos kenë më pushtet formal vazhdojnë të kenë “duar të gjata” që ndikojnë në vendimmarrjen e qeverisë dhe të Partisë Socialiste.
Deri këtu gjithçka tingëllon si një analizë e ashpër e mënyrës si funksionon pushteti në Shqipëri. Por ajo që e bën këtë reagim vërtet interesant është momenti kur ai vjen.
Sepse nuk bëhet fjalë për një opozitare që kritikon qeverinë. Nuk bëhet fjalë as për një analiste politike që përshkruan një fenomen të njohur në politikën shqiptare. Këtë herë është një nga figurat më të larta të vetë sistemit që flet për të.
Dhe kjo ndodh në vitin e trembëdhjetë të qeverisjes socialiste.
Por ka edhe një detaj tjetër që e bën këtë reagim edhe më domethënës: ai vjen vetëm dy muaj pasi Spiropali është shkarkuar nga posti i kryetares së Kuvendit. Me fjalë të tjera, zbulimi i “modelit” duket se ka ardhur jo vetëm pas 13 vitesh në pushtet, por edhe pas daljes nga një prej posteve më të rëndësishme të këtij pushteti.
Kjo është ndoshta pjesa më ironike e gjithë historisë. Sepse modeli për të cilin flet Spiropali nuk është një mekanizëm misterioz që u shfaq papritur. Ai është ndërtuar gradualisht gjatë viteve të qeverisjes, përmes centralizimit të vendimmarrjes dhe përmes krijimit të një sistemi ku pushteti real shpesh nuk përkon me pushtetin formal.
Në këtë kuptim, reagimi i Spiropalit nuk është aq zbulimi i një problemi sa pranimi publik i diçkaje që shumë njerëz e kanë thënë prej kohësh. Diferenca e vetme është se këtë herë po thuhet nga brenda pushtetit.
Ajo vetë shprehet se ky model nuk prodhon vetëm padrejtësi, por edhe largim: largon njerëzit nga politika, nga besimi dhe nga vendi. Megjithatë, në fund të reagimit të saj Spiropali mbetet optimiste dhe thotë se Partia Socialiste ka energjinë për përmirësim dhe transformim në dobi të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Këtu lind një pyetje shumë e thjeshtë: nëse modeli është problemi, kush e ka ndërtuar atë? Sepse modelet politike nuk krijohen vetë. Dhe kur pas 13 vitesh qeverisje fillon të flitet për nevojën për ta ndryshuar, ndërsa ky reflektim vjen vetëm pasi një figurë e lartë largohet nga posti, atëherë dyshimi bëhet i pashmangshëm: ose reflektimi ka ardhur shumë vonë, ose grindjet brenda pushtetit janë bërë më të forta se nevoja për ta mbrojtur atë.






















