Politika 10 Mars 2026, 17:56 Nga VNA

Manjani kundër Shqipërisë: Strasburgu gjen shkelje të nenit 8 dhe i jep peshë kritikave që ishin ngritur më herët nga gjyqtarja Marsida Xhaferllari

Ndaje në Whatsapp
Manjani kundër Shqipërisë: Strasburgu gjen shkelje të nenit

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në çështjen Manjani kundër Shqipërisë, duke vlerësuar se refuzimi i pranimit të Shiqiri Manjanit në Shkollën e Magjistraturës për shkak të një dënimi të kryer kur ishte i mitur dhe për të cilin ishte rehabilituar ligjërisht ishte joproporcional.

Rasti lidhet me aplikimin e Manjanit në vitin 2020 për programin trevjeçar të trajnimit në Shkollën e Magjistraturës për profilin prokuror. Ai kishte deklaruar vetë se në vitin 2006, kur ishte vetëm 15 vjeç, ishte dënuar për vjedhje, por se më pas ishte rehabilituar sipas Kodit Penal. Megjithatë, pas verifikimeve të kryera, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi që ai të mos pranohej në program, duke argumentuar se një person me dënim penal nuk mund të bëhej pjesë e sistemit të drejtësisë.

Vendimi u mbështet më pas edhe nga gjykatat shqiptare, përfshirë Gjykatën e Lartë dhe në fund Gjykatën Kushtetuese, e cila në vitin 2023 e rrëzoi ankesën e tij.

Megjithatë, Strasburgu arriti në përfundimin se autoritetet shqiptare nuk kryen një analizë të individualizuar dhe të plotë të situatës së aplikantit. Sipas Gjykatës Evropiane, institucionet shqiptare nuk morën në konsideratë disa elemente thelbësore: moshën e tij në kohën e veprës penale, faktin që bëhej fjalë për një vepër jo të dhunshme, kalimin e shumë viteve pa asnjë shkelje tjetër dhe rehabilitimin e tij ligjor.

Një element i rëndësishëm i vendimit të Strasburgut është referenca që i bëhet mendimit kundërshtues të gjyqtares Marsida Xhaferllari në Gjykatën Kushtetuese, i përmendur në pikën 10 të vendimit.

Në këtë opinion në pakicë, gjyqtarja Xhaferllari kritikonte mënyrën se si gjykatat shqiptare kishin arsyetuar vendimet e tyre. Sipas saj, gjykatat e zakonshme kishin injoruar faktin se Këshilli i Lartë i Prokurorisë kishte zbatuar në thelb ndryshime ligjore që në atë kohë ekzistonin vetëm si projekt-amendamente, ndërsa Gjykata e Lartë kishte krijuar vetë pamjen e një zbatimi retroaktiv të ligjit, duke përdorur interpretimin e dispozitës së ndryshuar më vonë.

Sipas Xhaferllarit, shumica e Gjykatës Kushtetuese gjithashtu nuk kishte kryer një balancim real midis interesit publik dhe të drejtave të aplikantit, duke mos shpjeguar pse ndalimi i tij për të hyrë në Magjistraturë ishte proporcional me parimin e dinjitetit njerëzor, sidomos duke pasur parasysh moshën e tij në kohën e ngjarjes dhe aftësinë e kufizuar të një të mituri për të kuptuar plotësisht pasojat e veprimeve të tij.

Ajo theksonte gjithashtu se duhej marrë në konsideratë edhe evolucioni i sistemit shqiptar të drejtësisë për të mitur, veçanërisht reforma e vitit 2017 për drejtësinë penale për të mitur. Këto reforma synojnë pikërisht që një vepër e kryer nga një i mitur të mos prodhojë pasoja të përhershme gjatë gjithë jetës dhe që të mbrohet në mënyrë të veçantë jeta private dhe riintegrimi i tyre në shoqëri.

Sipas saj, gjykatat nuk kishin shpjeguar nëse ekzistonte ndonjë bazë reale për të supozuar se Manjani përbënte rrezik për integritetin e sistemit të drejtësisë apo se pranimi i tij në Magjistraturë mund të dëmtonte besimin publik. Kjo mangësi në analizë është pikërisht ajo që më pas theksoi edhe Strasburgu.

Gjykata Evropiane vlerësoi se ndalimi absolut për të hyrë në Shkollën e Magjistraturës, i bazuar vetëm në një vepër të kryer në moshë të mitur dhe për të cilën personi ishte rehabilituar, ishte joproporcional dhe në kundërshtim me të drejtën për respektimin e jetës private.

Si rezultat, Gjykata vendosi që Shqipëria t’i paguajë Manjanit 4 500 euro për dëmin jopasuror, ndërsa theksoi se forma më e përshtatshme e riparimit do të ishte rishqyrtimi i çështjes nga autoritetet shqiptare në përputhje me standardet e nenit 8 të Konventës.

Në thelb, vendimi i Strasburgut nuk vë në diskutim rëndësinë e integritetit për gjyqtarët dhe prokurorët, por thekson se edhe në këto raste shteti nuk mund të aplikojë ndalime automatike dhe pa analizë individuale, sidomos kur bëhet fjalë për një vepër të kryer nga një i mitur dhe për një person që është rehabilituar dhe ka ndërtuar një karrierë juridike të rregullt.

Video

Ku je futur o Joridaa.

Biznesmeni Klodian Allajbeu doli nga ambientet e SPAK pas rreth tre orësh qëndrimi. Ai u shoqërua nga avokati i tij dhe u largua pa bërë asnjë deklaratë për gazetarët që e prisnin jashtë prokurorisë.

Dritan Leli, ish-kryetar i Bashkisë së Vlorës u pyet për më shumë se një orë në SPAK. Në dalje tha se "nuk ka asgjë për t'u shqetësuar".

Biznesmeni Klodian Allajbeu, pronar i Spitalit Amerikan, u paraqit në SPAK në praninë e një avokati, ndërsa është nën hetim për koncesionet në shëndetësi. SPAK dyshon se ai kontrollon përmes bashkëpunëtorëve të tij koncesionet dhe ka përfituar nga procedurat tenderuese.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme