
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur sot rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të datës 11 Maj 2025, i cili pritet të miratohet në mbledhjen e Komisionit Rregullator më 28 gusht. Pas përfundimit të shqyrtimit të të gjitha ankimimeve të kandidatëve deri në Kolegjin Zgjedhor, tanimë rezultati është shumë pranë certifikimit formal.
Sipas KQZ, mandatet ndahen në 83 të siguruara nga Partia Socialiste, 50 të Partisë Demokratike, 1 mandat i Koalicionit "Shqipëria Bëhet", 2 mandate për partinë Mundësia te Agron Shehajt, 3 mandate të PSD-së së Tom Doshit dhe 1 mandat i partisë "Lëvizja Bashkë" i Arlind Qorit.
Njoftimi i plotë:
Në bazë të nenit 20, pikat 2, shkronja “d”, e 3, dhe nenit 167 të Ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe me propozimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Komisioni Rregullator vendosi:
Të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e datës 11 Maj 2025, duke përfshirë numrin e votave, numrin e mandateve dhe listën emërore të deputetëve për çdo subjekt zgjedhor dhe çdo zonë zgjedhore.
Të miratojë numrin e votave, numrin e mandateve dhe listën emërore të deputetëve për çdo subjekt zgjedhor në rang vendi, sipas lidhjes që bashkëlidhet këtij vendimi.
Vendimi hyn menjëherë në fuqi dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të KQZ-së.
Ky hap formalizon përfundimisht përbërjen e Kuvendit të Shqipërisë pas zgjedhjeve të 11 Majit 2025 dhe ofron transparencë mbi numrin e votave, mandatet dhe emrat e deputetëve të zgjedhur në rang vendi dhe zonash zgjedhore.