
Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro prezantuan të enjten një reformë të re për menaxhimin e integruar të mbetjeve, e cila parashikon ndër të tjera dy ligje të reja, krijimin e një kompanie publike si dhe investime për ndërtimin e landfilleve të reja.
Në fjalën e tij, kryeministri tha se ndryshimet ishin pjesë e përpjekjes për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe këmbënguli se kjo ishte pjesa më e vështirë.
“Ky është kapitulli më sfidues i negociatave dhe ky është aspekti më sfidues i anëtarësimit tonë në Bashkimin Europian,” tha Rama duke iu referuar direktivës 27 për Mjedisin.
Pas një dekade investimesh të dështuara qindramilionëshe për djegie, ministrja Kumbaro e vuri theksin te riciklimi. Ajo shpjegoi se dy ligje të reja do të mundësonin ngritjen e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, një kompani publike që do të menaxhojë mbetjet në nivel kombëtar, rritjen e masave ndëshkuese ndaj ndotësve si dhe detyrimin e kompanive prodhuese dhe importuese për t’i gjurmuar mbetjet e tyre deri në riciklim.
Premtimi për një reformë të re të menaxhimit të mbetjeve vjen pasi qeveria “Rama” dhe pushteti vendor shpenzuan mbi 100 milionë euro për ndërtimin dhe operimin e tre inceneratorëve – një projekt i shndërruar në një aferë masive korruptive me pasoja të rënda penale dhe mjedisore në vend.
Për ekspertët e mjedisit, edhe nga reforma që propozohet nuk pritet ndonjë gjë e re.
“Në këndvështrimin tim është thjesht një “déjà vu,” thotë Rodion Gjoka, ekspert i mjedisit dhe klimës.
“…Kjo mund të jetë hera e shtatë që ndryshojmë fasadën nën moton Reformë, por aroma e plastikës së djegur vijon të thartojë fytin e banorëve në Vlorë, Elbasan e gjetkë,” shtoi ai.
Gjoka thekson se Shqipëria ofron sot transparencën më të ulët dhe nivelin më të lartë të abuzimit me prokurimet në fushën e mjedisit, ndaj nisma të tilla mund të impresionojnë sipas tij burokratët e Brukselit, por nuk mund të ofrojnë zgjidhje për qytetarët.
“Themeli i menaxhimit të mbetjeve janë 3R: Redukto, Ripërdor, Riciklo. Ne këto themele nuk i kemi, kështu që ajo çfarë po reformojmë ngjan me një kala rëre, që dallga e rradhës e çon në një nivel me detin,” theksoi ai.
Edhe Olsi Nika, drejtues i Eco Albania, thotë se qeveria pati në fuqi një strategji të ngjashme, por mori vendime kundër saj dhe miratoi djegësat.
“Strategjia njësoj ishte, por në një vendimmarrje kundër strategjisë ndërtuan inceneratorët. Duan të bëjnë një shoë më shumë dhe premtojnë riciklimin,” tha Nika për BIRN.
Propozimet pa inceneratorët
Menaxhimi i mbetjeve urbane është një kompetencë e pushtetit lokal në Shqipëri, por kapacitetet e tyre logjistike dhe financiare vlerësohen si minimale. Në këto kushte, Rama dhe Kumbaro theksuan të enjten se krijimi i një kompanie të re publike do t’i jepte zgjidhje situatës së mbetjeve.
“Bashkitë e vogla që shpesh herë janë edhe më turistiket nuk kanë këllqe”, tha Kumbaro, duke iu referuar nevojës sipas saj për krijimin e kompanisë publike.
Përveç ngritjes së Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, i cili do t’i ketë bashkitë klientë të tij, qeveria premton investime në ndërtimin apo zgjerimin e landfilleve të reja apo ekzistuese në dhjetëvjeçarin që vjen.
Landfillet në Fier dhe Elbasan, ku për shkak të dështimit të incenerimit nuk ka më kapacitete, do të zgjerohen. Po ashtu do të zgjerohen landfillet në Korçë, Bushat dhe Bajkal. Tre landfille të reja janë propozuar në Kukës, Dibër dhe Berat, ndërsa janë propozuar një sërë pikash për përpunimin e mbetjeve dhe kompostimin e mbetjeve organike. Reforma parashikon edhe mbylljen brenda dekadës të 67 venddepozitimeve të paligjshme.
“Po nuk i dhamë përparësi këtij sektori [riciklimit] nuk do t’i plotësojmë këto kritere. Po nuk e futëm si prioritet hierarkinë e mbetjeve nga ndarja në burim te asgjësimi, ne nuk do ja arrijmë”, deklaroi Kumbaro.
Olsi Nika i tha BIRN se rikthimi i vëmendjes te riciklimi ishte i mirëpritur, por kjo kërkonte një investim serioz në gjithë infrastrukturën e trajtimit të mbetjeve.
“Riciklimi është kyçi këtu, por kërkon investim serioz, që nga koshi te kontejneri, te lagjja, te makina teknologjike,” tha ai, ndërsa shtoi se riciklimi funksionon vetëm me incentivë ekonomike.
Nika megjithatë e sheh pozitive menaxhimin e mbetjeve nga një kompani kombëtare, pasi thotë se bashkitë qartësisht nuk kanë kapacitete. Ai vë në dukje se ndërsa ka modele të dështuara si inceneratorët në Fier e Elbasan, ka modele të mira si menaxhimi rajonal në Korçë që ka funksionuar.
Edhe eksperti i mjedisit, Lavdosh Feruni e sheh pozitiv krijimin e kompanisë publike, por thotë se ndërhyrja duhet të jetë urgjente dhe ndryshimi të pasqyrohet në buxhet.
“Nëse nuk realizohet në një kohë të shpejtë realisht ndarja në burim e mbetjeve, si fillim, siç ka qenë ligji në 2011…, kalimi i trajtimit nga vendor në operator kombëtar nuk do të ndryshojë asgjë nga situata aktuale,” paralajmëroi Feruni përmes një postimi në Facebook.
Për deputeten e opozitës, Jorida Tabaku, reforma e propozuar është një spektakël. Ajo thotë se zgjidhjet e propozuara në këtë reformë kanë qenë gati që para 12 viteve, por u anashkaluan nga qeveria.
“Asnjë fjalë për 430 mln € kontrata të inceneratorëve. Asnjë fjalë për 12 vite mashtrime se gjoja Shqipëria ishte pastruar,“ shkroi Tabaku në platformën X.
“Por qeveria zgjodhi inceneratorët, i mbrojti publikisht, politikisht dhe sot vazhdon t’i paguajë nga taksat e shqiptarëve. Sa më i bukur power point, aq më e pisët bëhet Shqipëria!“ shtoi ajo.
Eksperti Rodion Gjoka thekson se për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga direktiva 27 e Bashkimit Europian, shqiptarët duhet të përgatiten që të paguajnë shumëfish taksa për trajtimin e mbetjeve.
“Në kushtet që kjo direktivë të zbatohet në mënyrë korrekte çdo qytetari në vend do t’i kushtojë mesatarisht 300-380 euro në vit, shumë e cila sigurisht do të vilet nga taksimi mbi shërbimet publike,” thekson Gjoka. “Thënë ndryshe, 7-8 herë më shumë sesa paguan aktualisht,” përfundoi ai./BIRN/