Bota 24 Shkurt 2025, 16:05 Nga VNA

OKB, dy rezoluta për luftën Rusi-Ukrainë 

Ndaje në Whatsapp
OKB, dy rezoluta për luftën Rusi-Ukrainë 

Një rezolutë e hartuar nga Shtetet e Bashkuara dhe një tjetër e hartuar nga Ukraina dhe e mbështetur nga Bashkimi Evropian, që bëjnë thirrje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, do të votohen të hënën në Kombet e Bashkuara.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pritet të votojë për rezolutën e Ukrainës, e ndjekur nga rezoluta e SHBA-së. Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të votojë më vonë gjatë së hënës për rezolutën e SHBA-së.

Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për “përfundimin e shpejtë të konfliktit dhe më tej kërkojnë një paqe të qëndrueshme midis Ukrainës dhe Federatës Ruse”.

Rezoluta e hartuar nga SHBA nuk përmend agresonin e Rusisë ndaj Ukrainës, i cili filloi tre vjet më parë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha të premten se rezoluta “tregonte se ky konflikt është i tmerrshëm, se OKB-ja mund të ndihmojë në përfundimin e tij dhe se paqja është e mundur”.

“Kjo është mundësia jonë për të ndërtuar një rrugë të vërtetë drejt paqes,” tha sekretari Rubio në një deklaratë.

Rezoluta ukrainase thotë se agresioni rus “ka vazhduar për tre vjet dhe vazhdon të ketë pasoja shkatërruese dhe afatgjata jo vetëm për Ukrainën, por edhe për rajone të tjera dhe stabilitetin global”.

Kievi bën thirrje për “ndërprerje të armiqësive dhe një zgjidhje paqësore të luftës kundër Ukrainës” dhe thekson nevojën që lufta të përfundojë këtë vit.

Projekt-rezoluta e Ukrainës thotë se rezolutat e mëparshme të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme duhet të zbatohen plotësisht, duke përfshirë ato që bëjnë thirrje që Rusia të tërhiqet plotësisht nga kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës.

Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë ligjërisht detyruese, por ato tregojnë mbështetjen morale të komunitetit ndërkombëtar.

Në Këshillin e Sigurimit, një rezolutë që të miratohet ka nevojë për mbështetjen e të paktën nëntë nga 15 anëtarët dhe asnjë nga anëtarët e përhershëm, Britania, Kina, Franca, Rusia ose Shtetet e Bashkuara, të mos përdorin të drejtën e vetos. Rezoluta e SHBA-së pritet të ketë mbështetje të mjaftueshme të hënën.

Këto votime në OKB do mbahen ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron viziton Shtetet e Bashkuara për bisedime me Presidentin Donald Trump që pritet të përfshijnë luftën në Ukrainë.

Zoti Macron tha javën e kaluar se ai do t’i thoshte presidentit Trump se udhëheqësi i SHBA “nuk mund të jetë i dobët” përballë presidentit rus Vladimir Putin.

Kryeministri britanik, Keir Starmer do të vizitojë Uashingtonin më vonë këtë javë për bisedime të ngjashme dhe ashtu si zoti Macron ai ka theksuar nevojën që sovraniteti i Ukrainës të jetë në qendër të çdo përpjekjeje për paqe.

Një grup udhëheqësish duke përfshirë Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa, kryeministrin kanadez Justin Trudeau, kryeministren e Danimarkës Mette Frederiksen dhe kryeministrin e Spanjës Pedro Sanchez vizituan Kievin të hënën në shenjë mbështetjeje për Ukrainën.

“Ne jemi sot në Kiev, sepse Ukraina është Evropa”, tha von der Leyen në rrjetin social X.

“Në këtë luftë për mbijetesë, nuk është vetëm fati i Ukrainës që është në rrezik. Është fati i Evropës”, thekson ajo.

Luftimet vijuan edhe këtë të hënën me Rusinë që tha se rrëzoi 23 dronë ukrainas gjatë natës, duke përfshirë 16 mbi rajonin e Oryol-it.

Guvernatori i rajonit Ryazan, Pavel Malkov tha se rënia e mbeturinave nga një dron i rrëzuar ukrainas shkaktoi një zjarr në një ndërmarrje industriale.

Ushtria e Ukrainës tha të hënën se rrëzoi 113 nga 185 dronët që Rusia përdori në sulmet gjatë natës.

VOA

Video

Disa ishuj në Paqësorin Jugor, Zelanda e Re, Tonga dhe Samoa kanë filluar të festojnë Vitin e Ri. Ishulli i Kiritimati, i njohur si Ishulli i Krishtlindjes, është vendi i parë në botë që ka hyrë në vitin 2026. Ky vend bën pjesë në Kiribati, një komb i Oqeanit Paqësor, i vendosur në jug të Havait dhe verilindje të Australisë. Kiribati, i përbërë nga disa atole, u bë i pavarur nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 1979 dhe ka një popullsi prej rreth 116,000 banorësh. Fishekzjarrët janë një mënyrë universale për të festuar vitin e ri, nga Porti i Sidneit në Australi deri në Plazhin e Kopakabanës në Rio de Janeiro, Brazil.

Itali/ Gjashtë të plagosur, mes tyre edhe një vajzë e vogël, dhe njëqind persona të bllokuar. Ky është bilanci dramatik i aksidentit që ndodhi në impiantin e teleferikut të Macugnaga-s, në zonën Verbano-Cusio-Ossola në Piemonte. Ngjarja ndodhi në stacionin e sipërm të Monte Moro-s, në rreth 2.800 metra lartësi, pasi kabina dyshohet se ka mbërritur me shpejtësi të tepërt në stacionin e mbërritjes. https://www.vna.al/bota/itali-aksident-ne-teleferikun-e-monte-moro-ne-macugnaga-tre-te-plagosur-dhe-i18416

Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme pranë stadiumit “Elbasan Arena”, ku një person është gjetur i djegur plotësisht në një ambient të përshtatur si banesë, në katin e parë të këtij pallati. Rrethanat e kësaj ngjarjeje mbeten ende të paqarta. Sipas informacioneve paraprake, ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse është bërë pasi banorët e pallatit kanë sinjalizuar praninë e erës së djegies dhe tymit. Zjarrfikësit kanë hapur me forcë qepenin e ambientit, ku kanë gjetur një person te moshuar mashkull pa shenja jete.

Rama e ngre per vajzat dhe gratë e PS...

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme