
SPAK godet një tjetër rrjet të dyshuar ndërkombëtar të trafikimit të kokainës dhe pastrimit të parave. Në total u firmosën 10 urdhër arreste, ndërsa janë sekuetsruar pasuri me vlerë 150 mln euro, përfshirë dhe ato të Eldi Dizdarit alias Denis Matoshit.
Ndaj të dyshuarve rëndojnë akuzat; “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal;“Pastrim i produkteve të veprës penale”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal; grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grup i strukturuar kriminal”. Janë zhvilluar 23 kontrolle ndaj personave, banesave, zyrave të shoqërive tregtare dhe personave fizikë.
Trafiku i kokainës
Rezulton se gjatë viteve 2019-2021, ky grup ka operuar në Amerikën Latine, Brazil, Belgjikë dhe Holandë. Nga hetimet është krijuar dyshimi se të hetuarit kanë trafikuar për periudhën e mësipërme të paktën 50 ton kokainë.
Gjatë hetime janë mbledhur provat e nevojshme, prej të cilave janë provuar 5 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha. Gjatë tyre janë sekuestruar në total 8 ton e 960 kg lëndë narkotike e llojit kokainë dhe konkretisht:
Episodi 1 – 11 Maj 2020 – Trafikimi i një sasie prej 700 kilogramë lëndë narkotike të llojit kokainë, e sekuestruar në portin e Ëaasland (Antverp), Belgjikë, e gjetur në një kontejner me pjesë këmbimi makinash, i shkarkuar nga një anije e ardhur nga Kina.
Episodi 2 – 6 Qershor 2020 – Tentativa e trafikimit të një sasie prej 2010 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e sekuestruar në Guayaquil, Ekuador. Lënda narkotike kishte si destinacion përfundimtar të saj Holandën dhe kishte të stampuar tre logo të ndryshme (Jaguar, Shqiponjë dhe BB).
Episodi 3 – 16 Gusht 2020 – Trafikimi i një sasie prej 1100 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e sekuestruar në Roterdam të Holandës. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador.
Episodi 4 – 16 Dhjetor 2020– Trafikimi i një sasie prej 4.1 ton lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në portin e Roterdam, Holandë. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador.
Episodi 5 – 03 shkurt 2021– Tentativa e trafikimit të një sasie prej 1 ton e 50 kg lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në Kolumbi me destinacion final Francën .
Hetimet kanë treguar se përveç episodeve të mësipërme, anëtarët e grupit kriminal kanë trafikuar nga Amerika Latine në drejtim të vendeve të Europës dhjetëra tonelata të tjera kokainë, e cila është trafikuar dhe tregtuar te persona të tjerë. Nga realizimi i kësaj veprimtarie janë siguruar të ardhura të konsiderueshme.
Pastrimi i parave
Nga hetimet është provuar se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës janë transferuar në Shqipëri, në formën monetare “cash” për të shmangur sistemin bankar në fazën e parë dhe më pas janë investuar në pasuri të paluajtshme, në krijimin dhe blerjen e aksioneve të kompanive tregtare, shoqëri të ndryshme kryesisht në fushën e ndërtimit, hotelerisë, konsulencës etj.
Sekuestrimi i pasurive
Përmes këtyre investimeve dyshohet se është realizuar pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale, duke fshehur origjinën e tyre të paligjshme dhe duke mundësuar integrimin e tyre në ekonominë dhe qarkullimin financiar të ligjshëm.
Pas injektimeve të parave “cash” në llogaritë e kompanisë “A.. R.. H…” sh.p.k, me qëllim “justifikimin” e investimeve të ardhshme, në muajt Maj 2021 – Qershor 2021, rezulton se kompania “A.. R.. H…” sh.p.k, ka filluar aktivitetin e saj në sektorin e ndërtimit. Dyshohet se, për të mos tërhequr menjëherë vëmendjen nga strukturat ligjzbatuese, personi nën hetim I.A., orientoi që kompania të shfaqej fillimisht si nënkontraktore për ndërtim banesash. Shfaqja e kompanisë në këtë mënyrë, do të “justifikonte” sërish flukset e ardhshme të parave cash dhe shtrirjen e pritshme në sektorin e ndërtimit.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se skema e pastrimit të parave është realizuar përmes blerjes fiktive të kuotave të kapitalit në shoqëri tregtare, me çmime shumëfish më të ulëta se vlera nominale, për të marrë kontrollin e kompanive me kosto minimale. Fondet janë qarkulluar përmes huave mes personave fizikë dhe kompanive të lidhura, me qëllim krijimin e një historiku ekonomik fiktiv dhe humbjen e gjurmës së origjinës së parave, përpara integrimit të tyre në ekonominë formale.
Me kërkesë të SPAK, është vendosur masa e sekuestros në lidhje me 491 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, në pronësi të drejtpërdrejtë, apo të tërthortë të personave nën hetim, si shoqëri, etj. Janë sekuestruar po ashtu 266 pasuri të paluajtshme të llojeve tokë arë, tokë truall, hotel, poste parkimi dhe apartamente, me vendndodhje në Tiranë, Durrës, Elbasan, Hamallaj, Lezhë, Shkodër, Himarë, Sarandë, ndër të cilat mund të listojmë:
121 pasuri të paluajtëshme, si vila , Apartamente, Duplexe, parkime, etj. tek “Kompleksi multi-funksional turistik, rezidencial dhe komercial (Porto Lalzi/Lalzi Marina Seaside)”, me vendndoddhje në Hamallaj, Gjiri i Lalzit Durrës.
Strukturë funksion hoteleri 1,2,3,4 kate mbi tokë dhe 4 nëntokë, me vendndodhje në Dhërmi, Bashkia Himarë;
Sipërfaqe ndërtimore prej 2855 m2, në objektin 6 kate shërbimi e banimi ndodhur në Qerret Kavajë;
Objekti “Hotel Elisa Tirana”, afilated by Melia “Strukturë Hoteleri 2, 4, 5, 8 dhe 10 kat ne 3 kat nëntokë në adresë në rrugën e Dibrës” Tiranë
Vila në kompleksin Altrea Rezidence,. Tiranë;
Vile ne Diamond Hill;
Vila dhe njësi shërbimi në “Braca rezidencës Diamond Hill”, në Durrës;
Pasuri të paluajtëshme ne kompleksi rezidencial vilash në zonën e Mjull Bathores Tiranë, në “Astoria Residence;
32 apartament, 6 njësi tregtare /zyra dhe 52 parkime tek Godina e banimit dhe shërbime me 1,8, 9 dhe 34 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokë me vendndodhje në rr. Xhanfize Keko, Tiranë;
2 objekte banimi 2 dhe 3 kate me 2 dhe 3 kate nëntokë (banim dhe parkim) me mur rrethues, rr. “Herman Gmainer”;
Disa pasuri të paluajtëshme në Godinë banimi dhe shërbime 2,5,7 dhe 9 kate me 2 kat parkim nëntokë” Rr. Ali Visha Njësia 2, Tiranë.
Automjete të markave dhe llojeve të ndryshme (automjete teknologjike për ndërtim, transport mallrash apo autovetura dhe mjete lundruese;
209 llogari bankare që u përkasin personave të ndryshëm juridikë apo fizikë, si dhe shtetasve nën hetim, apo personave të lidhur me ta.
Vlera totale e pasurive të sekuestruara dyshohet të jetë rreth 150 (njëqind e pesëdhjetë ) milionë euro. Gjatë hetimeve do të verifikohet vlera e saktë e pasurive të sekuestruara.






















